Rashiq: Vuçiqi është radikal i vjetër, mua si serb më vjen turp që ai është president i Serbisë

Aktuale

Rashiq: Vuçiqi është radikal i vjetër, mua si serb më vjen turp që ai është president i Serbisë

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 16:29
Nenad Rashiq

“Aleksandar Vuçiq është radikal, është rritur me mendësinë e radikalizimit, këtë nuk duhet harruar”, kështu ka thënë ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, derisa komentoi zhvillimet e fundit në veri, ku nga sulmi terroristë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ministri Nenad Rashiqi në një intervistë ka thënë se sulmi terrorist që ndodhi ndaj Policisë se Kosovës më 24 shtator, do të ketë afekt të shumëfishtë.

“Javën e fundit top temë ka qenë sulmi i cili ka prodhuar më së shumti ndikim në diplomaci, jo vetëm në terren që ka krijuar kushte abnormale, por gjithashtu në arenën ndërkombëtarë u krijua një energji e re cila më ka kujtuar vitet e 90’ta, dhe unë mendoja që kemi harruar konfliktet. Ne politikanët jo vetëm që duhet të jemi pjesë e bisedimeve, por duhet të iniciojmë që në çdo takim që flitet me ndërkombëtarët, të tregojmë shqetësimin sa i përket rastit që ka ndodhur në Zveçan, dhe të mos ndodhë kurrë më”, është shprehur ai.

Rashiq thekson se jemi në një shoqëri ku ndikimi me forcë është i papranueshëm, derisa tha se do të bashkëpunojnë më ndërkombëtarët që të mos ndodhin më sulme të tilla.

Gjatë intervistës së dhënë për Telegrafin, ministri bëri të ditur se ditën e hënë ka vizituar komunën e Leposaviqit.

“Dje kam vizituar Leposaviqin dhe bisedova me kryetarin, dhe punëtorët e rinj në Leposaviq. E di që njerëzit shpeshherë janë të hutuar dhe të frikësuar, por ne njerëzit që jemi që një kohë të gjatë në institucionet e Kosovës mund të tregojmë anën tjetër që është rruga e duhur sa i përket integrimit, krijimin e kushteve për një jetesë të përbashkët me të gjithë ne. Kjo që po ndodhë herë pas here, duhet të dënohet pa kurrfarë dyshimi se është veprim i tmerrshëm”, është shprehur më tej ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat