Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti

Aktuale

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti

Më: 24 shtator 2023 Në ora: 14:12
Kryeministri, Albin Kurti

Të nderuara medie të pranishme,

Të dashur qytetarë,

Sapo kemi mbajtur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Kjo mbledhje sot e Këshillit të Sigurisë u thirrë pas një sulmi agresor të bandave kriminale e terroriste të Serbisë jo vetëm ndaj Policisë së Kosovës, por edhe ndaj rendit, sigurisë dhe paqes sonë.

Në mëngjesin e hershëm, rreth orës 3:00, pas një sulmi të orkestruar, ka humbur jetën zyrtari ynë policor Afrim Bunjaku, me gradën rreshter, ndërsa në trajtim ndodhet edhe një zyrtar tjetër, Alban Rashiti, i cili fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë. Ai sot do të lirohet nga spitali pas operacionit të suksesshëm që largoi një predhë nga ana e majtë e kraharorit të tij.

Zyrtarët policor tashmë edhe sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, pasi që janë penguar në rrugë sot rreth orës tre të mëngjesit, janë sulmuar me armë të ndryshme përfshirë edhe granata dore e me zolla.

Sot është një ditë e rëndë për vendin tonë. Nga sot Policisë do t’i mungojë një pjesëtar i përkushtuar i saj, ashtu siç do t’i mungojë edhe familjes së tij e mbarë shoqërisë sonë. Por para se gjithash vrasja e tij duhet të kthehet në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave, strukturave ilegale, krimit e terrorizmit, që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rendin kushtetues.

Sulmet e grupeve të armatosura me armë të të gjitha llojeve afër lokacionit ku është vrarë polici ynë po vazhdojnë akoma.

Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjshmërinë, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur.

Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen dhe dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës qëndrojmë pranë familjes së policit të rënë, policëve të plagosur e të lënduar dhe Policisë së Kosovës. Ne jemi në anën e drejtë, po punojmë dhe po angazhohemi për siguri, rend dhe ligj andaj në këtë rrugëtim jemi absolutisht bashkë.

I ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të të gjitha komuniteteve që të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë maturi duke i lejuar institucionet përgjegjëse të sigurisë që të kryejnë punën e tyre profesionale për të vendosur rend, ligj dhe për të sjellur siguri për të gjithë neve.

Ngushëllime edhe një herë të gjithëve për vdekjen e policit tonë, Afrim Bunjaku, i cili u vra mizorisht në mëngjesin e ditës së sotme, teksa ishte në krye të detyrës.

Siç thash dhe më herët sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet e tona të sigurisë. Pra, janë së paku 30 të tillë. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë edhe pasi që kanë vrarë Afrim Bunjakun e kanë plagosur Alban Rashitin.

Unë jam sot këtu para juve bashkë edhe me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Fehmi Hotin, dhe para se të kalojmë tek pyetjet tuaja dua të prezantoj fotografi nga vendi i ngjarjes në fshatin Banjskë të Zveçanit ku do të mund të shihni se nuk bëhet fjalë as për civil të armatosur dhe as për qytetarë të zakonshëm, por bëhet fjalë për një formacion me pjesëtarë që janë profesionistë, ushtarakë a policorë në Banjskë të Zveçanit, në dhe rrotull Manastirit apo Kishës atje.

Të gjitha këto fotografi gjithashtu do t’ua përcjellim edhe juve pas përfundimit të kësaj konference për media.

Siç mund të shihni këto automjete janë pa targa dhe janë automjete që nuk i posedojnë serbët lokal dhe askush që është civil në Republikën tonë.

Këta janë dy kamionët që janë vendosur tek ura për të bllokuar qarkullimin. Ju e shihni atje një person të uniformuar i cili mbanë një armë krahu që nuk është tipike për policinë.

Njerëz të armatosur rëndë me pajisje ushtarake, me maska të cilët janë rrotull Manastirit në Banjskë të Zveçanit.

Organet tona të sigurisë edhe Prokuroria me siguri do t’i zhvillojnë hetimet për të kuptuar më shumë për këto uniforma, të cilat siç shihet përveç xhipave që i kanë, kanë edhe një autoblindë aty. Kjo autoblindë nuk është e Policisë së Kosovës.

E vëreni se [personi në foto] ka një gjoksore e cila është tipike për uniformën dhe pajisjet në vendluftime e këtij personi të uniformuar që nuk e ka as uniformën e një polici të rregullt, por të dikujt që është i njësive speciale ushtarake ose policore. Shihni edhe një herë xhipat pa targa tek muri i Manastrit.

Këtu keni një person po ashtu të uniformuar i cili ka edhe helmetë dhe është duke bartur diçka që s’është lehtë e identifikueshme se çfarë paraqet.

E shihni këtu personi i uniformuar se si ka në shpinë këtë armën, që nuk e di cili është emri teknik i saj, por në mënyrë të popullarizuar e quajmë “zollë”. Pra mban një zollë në shpinë teksa kalon pranë xhipit pa targa.

Është e qartë se këta persona të uniformuar  që janë së paku 30, ndonëse nuk vërehen distinktivët apo bexhat në uniformat e tyre, paraqesin një formacion të organizuar i cili ka ardhur të luftojë në Kosovë. Por unë ju bëj thirrje që të gjithë atyre, edhe si formacion edhe si individë, që t'i dorëzohen organeve të sigurisë të cilët kanë vendosur perimetrin rreth atyre në Banjskë të Zveçanit. 

Kosova është vend demokratik, i përket të gjithëve pa dallim etnie dhe cenimet e këtilla të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, sigurisë, paqes, jetës e mirëqenies së qytetarëve janë të pa tolerueshme. 

Andaj, para se të kalojmë të pyetje e juaja, më lejoni të përsëris edhe një herë thirrjen time si kryeministër i Republikës së Kosovës ndaj këtyre mbi 30 persona që të dorëzohen tek organet e sigurisë. 

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat