Vushtrriasit rrëfejnë për të bëmat e të arrestuarit për krime lufte

Aktuale

Vushtrriasit rrëfejnë për të bëmat e të arrestuarit për krime lufte

Më: 21 shtator 2023 Në ora: 23:24
Musli Uka

“Unë ma së pari po të tregoj që i kam 73 vjet, edhe Ilinë e kam njoftë më së paku qe nja 40 vjet”.

Kështu e nis rrëfimin e tij, Idriz Popova për të bëmat e Ilija Elezoviqit gjatë viteve të 90-ta në Vushtrri.

Elezoviq përfundoi në prangat e Policisë së Kosovës të mërkurën, bashkë me dy serbët e tjerë, Dragan Miloviq dhe Zoran Kostiq.

Ata dyshohen për krime lufte, përderisa të enjten dolën për herë të parë para gjykatës.

“Këtë teren, këto udhë krejt Ilija i ka ditë. Edhe njerëzit i ka njoftë, e ka njoftë këtë popullatë krejt. Një shok e kam pas unë të Nadakocit, një kojshi të tij. Dora e Ilijes i ka ra pushkë Sabit Ferizit. Edhe u ardhë u shëru këtu”, ka thënë Popova.

Popova tregon se Elezoviq e kishte pasion gjuetinë.

Këtë fakt, e konfirmon edhe bashkëfshatari i tij, Musli Uka.

“Me njoftë e njoh. Edhe e njoh me qat aktivitet që ka dal shumë shpesh në gjueti. E unë mendoj që rrugët në të cilat kanë dal, secila rrugë prej Shalës e deri në Studime, nuk kanë hy në asnjë rrugë qorre, do të thotë të gjitha rrugët kanë qenë të sigurta. E kanë ditë ku kanë me hy dhe ku kanë me dal”, ka thënë Uka.

Uka ka dyshime se Elezoviq mori pjesë edhe në masakrën e Studimes, duke ua treguar forcave serbe rrugët e fshatrave.

“Me pas qenë ata paramilitarët e Serbisë, ose ushtria e Serbisë nuk e besoj që do t’i dinin gjithë ato rrugë, se disa kanë qenë edhe rrugë të vjetra të papërdorura, mirëpo gjithmonë kanë hyrë në rrugë të sigurta, që kanë dal deri këtu. Unë vetëm për këta e njoh Ilijen”, është shprehur Uka.

Në lidhje me këto arrestime, ka folur gjatë ditës zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ai ka thënë se janë duke e monitoruar situatën dhe se janë në kontakt të ngushtë me autoritetet në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat