Cili do të jetë statuti i Asociacionit, Stano s’jep përgjigje konkrete: Kjo çështje të diskutohet në dialog

Aktuale

Cili do të jetë statuti i Asociacionit, Stano s’jep përgjigje konkrete: Kjo çështje të diskutohet në dialog

Më: 21 shtator 2023 Në ora: 14:39
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, sot është pyetur se cili është pozicioni i BE-së për statutin e Asociacionit dhe nëse ka lëvizur nga zotimi që vetë BE kishte dhënë se ai s’duhet të cenojë shtetësinë e Kosovës në letrën e dërguar nga ish-Përfaqësuesja e Lartë, Frederica Mogherini.

Stano nuk dha përgjigje konkrete, por tha se kjo temë duhet të diskutohet brenda dialogut dhe jo në media e publik.

“Mendimi dhe rekomandimi i shteteve anëtare dhe pritjet ishin që puna për Asociacionin duhet të fillojë pa ndonjë vonesë dhe pa ndonjë kusht. Dhe të gjitha palët e përfshira e dinë mirë se çfarë duhet të bëhet dhe si, si dhe cili është pozicioni i BE-së sepse kjo nuk është hera e parë që çështja është në tavolinë”.

Stano u pyet po ashtu nëse të gjitha vendet e BE-së kanë të njëjtin qëndrim meqë jo të gjitha kanë pozicion të njëjtë sa i përket statutit të Kosovës dhe me çështje të tjera që lidhën më statutin.

“Si do të duket Asociacioni dhe si jo? A mund të vijmë te përfundimi që ju nuk jeni në gjendje që në emër të BE-së që të thoni që ky Asociacion duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ishte pyetja që mori Stano.

“27 shtetet anëtare e kanë thënë shumë qartë që puna për themelimin e Asociacionit sikurse ky i komunave duhet të fillojë pa vonesa dhe pa kushte. Çështja se si të bëhet ai, në çfarë mënyrë e forme është për t’u diskutuar në dialog. Dialogu është platforma për të zgjidhur këto çështje. Procesi duhet të zhvillohet dhe do të zhvillohet në dialog, jo në publik, jo në media. Të gjithë të përfshirët e dinë se cili është pozicioni i BE-së dhe të gjithë janë në dijeni se cili është procesi që të mbërrijmë atje, që të kemi këto marrëveshje. Puna ka filluar në njëfarë mënyrë. Pritjet janë kornizuar në deklaratën e fundit të BE-së”.

SHBA-ja publikisht ka kërkuar që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Dhe si një partner kryesor në dialog, Stano u pyet nëse BE-ja është në një linjë për statutin e Asociacionit me SHBA-në dhe nëse edhe BE duhet të qëndrojë pas zotimeve rreth kësaj çështje sikurse që i kërkohet qeverisë aktuale të Kosovës të zbatojë një marrëveshje të nënshkruar nga një qeveri tjetër.

“Është një obligim ndërkombëtar që e ka marrë Kosova. Më pas, se si duhet të duket ai, se si do të operojë, se cili do të jetë statuti – kjo është pikërisht ajo ku duhet të punohet në dialog. Dhe kjo është ajo për të cilën BE-ja është e interesuar dhe ajo që pret që të bëhet në kornizën e dialogut”, ishte përgjigjja e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat