Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, Bardhyl Mahmuti komenton vulat hyrëse-dalëse për në Republikën e Shqipërisë

Aktuale

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, Bardhyl Mahmuti komenton vulat hyrëse-dalëse për në Republikën e Shqipërisë

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 15:13
Bardhyl Mahmuti

Në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Bardhyl Mahmuti, një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka komentuar vulat hyrëse-dalëse në pasaportën e tij për në Republikën e Shqipërisë për periudhën prill-qershor 1999.

Këtë deklarim, dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Jean-Louis Gilissen, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Mahmuti lidhur me vulën e 22 prillit 1999 tha se është vulë hyrëse nga aeroporti i Rinasit në Republikën e Shqipërisë.

Kurse, vula e 11 prillit për të nënkupton vulën hyrëse në Portin e Durrësit.

Më tej, lidhur me vulën e tretë ai tha se është vulë dalëse nga Republika e Shqipërisë, por se nuk mund të identifikojë datën e saktë.

“Mund ta them se dalja duhet të jetë nga fundi i muajit prill, e deri në qershor në përfundim të luftës nuk kam qenë në Shqipëri, sepse kam qenë në Zvicër, Gjermani, Francë dhe Belgjikë”, tha dëshmitari.

Po ashtu, ai tha se ka një lidhje mes vulës së Republikës së Sllovenisë e 21 prillit 1999 dhe vulës së Republikës së Shqipërisë më 22 prill 1999.

Ai tha se ka ardhur atë kohë në Shqipëri përmes Sllovenisë, andaj është i sigurt se vula e 22 prillit është vulë hyrëse për në Shqipëri.

Mahmuti sqaroi se ka qëndruar rreth një javë në Shqipëri dhe më pas është larguar nga fundi i prillit për në Zvicër.

Në vazhdim të dëshmisë së tij, dëshmitari ka treguar edhe dy dokumente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, të cilat sipas tij tregojnë se dëshmitari nuk është i përfshirë në listën e njerëzve që kanë hyrë apo kanë dalë nga Shqipëria.

Për këtë, ai tha se personat nuk janë regjistruar për arsye se në atë kohë 1 milion shqiptarë janë dëbuar nga forcat serbe, por se shtoi se nuk kanë mundur të bëhen hyrje-dalje pa vula e që për këtë ka sjellë edhe dokumentet e udhëtimit.

Ndërkaq, Mahmuti tha se në Kukës ka qenë vetëm një herë në maj të vitit 1998.

“Nga qershori 1998 deri në qershor kur ka përfunduar lufta në Kosovë, asnjëherë s’kam qenë në Kukës, përveç në Tiranë dhe Durrës, asnjë vend tjetër s’kam qenë gjatë periudhës 1 qershor 1998 – 12 qershor 1999’’, tha dëshmitari.

Paraprakisht ai ka treguar për shkollimin, kualifikimet e tij dhe të prindërve të tij dhe se e ka quajtur familjen e tij si familje e angazhuar në realizimin e të drejtës kombëtare duke shtuar se kanë qenë të vetëdijshëm se diskriminimi hiqet përmes angazhimit politik.

Ai po ashtu tha se duke qenë pjesë e Lëvizjes Populliste ka qenë edhe në strukturat e UÇK-së.

Më tej, tha se UÇK-ja nuk ka pasur karta anëtarësimi pasi nuk ka qenë parti politike dhe se i njëjti nuk ka pasur ndonjë nofkë.

Lidhur me veprimtarinë e tij në kuadër të UÇK-së, i njëjti tha se ka qenë i angazhuar në mbrojtjen politike të UÇK-së, për të arsyetuar në rrafshin diplomatik domosdoshmërinë e luftës çlirimtare të UÇK-së.

Më tej, ai tha se grupi diplomatik nuk ka pasur një seli në qytet apo shtet të caktuar por se kanë udhëzuar në shtete të ndryshme për të përfaqësuar luftën e UÇK-së si të drejtë dhe të qëndrueshme.

Mahmuti tha se në periudhën qershor 1998 -qershor 1999 ka shkuar në Francë, Gjermani, Angli, ShBA, Itali, Austri, Slloveni, Shqipëri, Belgjikë, Holandë, e në shumë vende.

Ndërkaq kur u pyet nga avokati Gilissen për periudhën prill – qershor 1999, ai tha se ka qenë një herë në Shqipëri dhe disa herë në Francë, Gjermani dhe Belgjikë për takime zyrtare.

Kështu, me kërkesë të avokatit Gilissen, seanca në këto momente po vazhdon në sesion privat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat