Rasti i 3-vjeçarit në Fushë Kosovë, vendoset masë disiplinore ndaj drejtoreshës dhe kërkohet suspendimi nga puna i tri punëtoreve

Aktuale

Rasti i 3-vjeçarit në Fushë Kosovë, vendoset masë disiplinore ndaj drejtoreshës dhe kërkohet suspendimi nga puna i tri punëtoreve

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 13:27
Foto ilustrim

Rasti i 3-vjeçarit në Fushë Kosovë, vendoset masë disiplinore ndaj drejtoreshës dhe kërkohet suspendimi nga puna i tri punëtoreve

Inspektorati i Arsimit në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka nxjerrë vendim për suspendimin e menjëhershëm nga puna të tri punëtoreve të institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, pas publikimit të një videoje ku shihen duke e keqtrajtuar një fëmijë të moshës 3 vjeçare.

Kjo është konfirmuar nga zyrtarë të MAShT-it.

“Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që menjëherë të suspendojë nga marrëdhënia e punës 3 punëtoret e Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, N.M, SH.I dhe N.H  derisa të vendosin organet e hetuesisë/drejtësisë”, ka thënë zëdhënësja për media në MAShT, Edona Kutleshi-Maliqaj.

Ajo ka treguar se masa disiplinore janë marrë edhe ndaj drejtoreshës së çerdhes “Gëzimi Ynë”.

“Po ashtu, përmes këtij vendimi, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të arsimit në Kosovë që të merr masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, në Fushë Kosovë, e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë”, u shpreh Kutleshi-Maliqaj.

Në ndërkohë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata që te caktojë masën e paraburgimit ndaj edukatoreve dhe kuzhinieres së kopshtit,.

Ato po dyshohen për  veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

“Ju njoftojmë se pas publikimit të video-incizimit në media dhe portale, mbi dyshimet për keqtrajtim të një fëmijë në njërën nga çerdhet në Fushë Kosovë, Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, si dhe në koordinim me institucionet e tjera relevante janë angazhuar në trajtimin e këtij rasti, ashtu që pas përfundimit të hetimeve preliminare, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personave të lartcekur, në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatën për media.

Nëna e trevjeçarit: Djali ka marrë dënime brutale

Prindi ka treguar se si në kopsht e kanë thirrur edukatoret për të treguar për problemet që i ka bërë djali i saj.

“Mësuesja Fitore më tha hajde këtu se djali ytë e ka ba namin. Më erdhi shumë keq sepse mendova që e ka rrëzu dikon ose ka thy ndonjë gjë. I thashë ju kërkojë falje, por tha jo ka dal e ka shkarravitë. Unë i thash kena me ja ble mësues një çokollatë edhe me i thënë më fal nesër, jam lazdru, dhe i thashë duhet me i përmbushë dënimet nëse t’i ka dhënë mësuesja por ky kishte marrë dënime brutale”, tha ajo.

Ajo ka treguar se si djali i ka treguar se gjatë qëndrimit në kopsht nuk ka ngrënë e as nuk ka pirë për 8 orë rresht.

“Më ka thënë djali nuk kam hëngër bukë, nuk kam pi ujë që 8 orë. Fëmija im pa hangër pa pi. Ka pi ujë i kam përgatitur ushqimin në shtëpi. I thash le se të jep mami në shtëpi bukë. Jam detyru mu ndal i ka hëngër dy hamburgerë dhe një shishe ujë. I thirra familjarët dhe u thashë qashtu po më thotë djali por nuk jam e sigurt”, ka thënë ajo.

Fjalë të mira ajo ka pasur vetëm për drejtoreshën.

“Këtu e kam edhe vajzën. Vajza po kalon shumë mirë. Drejtoresha më ka përkrahur dhe kemi me shku deri ne fund. Ajo ka qenë gjithmonë me mua, me neve prindërve dhe me gjithë fëmijët e çerdhes. E falënderojë shumë por edukatorët nuk janë të sjellshme”, deklaroi tutje ajo.

Nagavci paralajmëroi masa ndaj institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”: Kushdo që ushtron dhunë, të marrë dënimin e merituar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas publikimit të pamjeve nga një çerdhe shtetërore në Fushë Kosovë, u ku shihet duke u rrahur brutalisht një tre vjeçar.

Nagavci tha se e dënon ashpër dhunën në këtë institucion parashkollor, teksa kërkoi dënimin e merituar ndaj personave që kanë ushtruar dhunë.

“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar. Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar”, ka shkruar Nagavci.

Ajo konfirmoi se inspektori i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe paralajmëroi ndërmarrje të masvae të menjëhershme.

“Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme. MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”, ka thënë ajo.

KOMF reagon pas rrahjes së 3-vjeçarit në një kopsht në Fushë Kosovë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF kanë reaguar pas publikimit të pamjeve ku shihet duke u rrahur një fëmijë 3-vjeçar në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë.

KOMF u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin hapat dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit lidhur me këtë rast.

“Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF bën thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të ndërmarrin menjëherë veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi. KOMF bën thirrje që të intensifikohet monitorimi dhe inspektimi sistematik i kopshteve përmes inspektorëve dhe konsultimeve me prindërit në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla”, thuhet në reagim

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat