Rasti i trevjeçarit në Fushë Kosovë – 48 orë ndalim për dy edukatoret e dyshuara për dhunë, deklaratat e familjarëve dhe avokatëve

Aktuale

Rasti i trevjeçarit në Fushë Kosovë – 48 orë ndalim për dy edukatoret e dyshuara për dhunë, deklaratat e familjarëve dhe avokatëve

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 08:12
Foto ilustrim

Të hënën në orët e vona në rrjetet sociale ka qarkulluar një video ku shihet se si një fëmijë i moshës 3-vjeçare tërhiqej zvarrë nga dy edukatore në një çerdhe në Fushë Kosovë.

Pas publikimit të rastit në media institucionet e vendit kanë nis edhe hetimet.

Në orët e mëngjesit të së martës Inspektorati i Arsimit kishte shkuar në këtë institucion dhe më pas edhe Policia e Kosovës.

Pas marrjes në pyetje në orët e pasdites Policia e Kosovës të martën ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh ndaj dy edukatoreve të çerdhes “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, që dyshohet se rrahën një fëmijë 3-vjeçar.

Sipas njoftimit, të dyshuarat janë N.M 64-vjeçare si dhe N.H 56-vjeçare.

Të njëjtat dyshohen për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

“Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave; N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe N. H, femër, 56 vjeç, shtetase  Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një deklaratë për media kishte thënë se rasti nuk është i izoluar dhe se do të marrin masa ndaj abuzuesve të fëmijëve.

Fitore Geci, nëna e 3-vjeçarit ka folur lidhur me rastin. Ajo ka treguar se si në kopsht e kanë thirrur edukatoret për të treguar për problemet që i ka bërë djali i saj.

Ajo tutje ka thënë se djali i saj ka probleme shëndetësore dhe sipas saj edukatoret e kopshtit nuk e kanë ushqyer.

Sipas saj, fëmija në këtë kopsht është duke shkuar që nga 1 shtatori.

Para mediave ka folur edhe avokati i familjes së 3-vjeçarit, Nasuf Hasani, i cili ka thënë se pret që organet e drejtësisë të veprojë sipas procedurave.

Uroj të mos ketë më raste të tilla. Është hera parë, fëmija ka trauma, sa i përket kopshtit tashmë është e pamundur të dërgohet, ai ka qenë edhe i izoluar nga fëmijët tjerë. Edhe gjatë natës, ai po ka truma, nuk dëshiron të kujtojë muhabetet rreth kopshtit, ai duhet t’i nënshtrohet tretmanit të psikologut”, ka thënë avokati.

Por, akuzat ndaj klientes së tij i ka hedhur poshtë avokati i njërës prej edukatoreve të çerdhes “Gëzimi Ynë”.

Bajram Zogiani, avokat i edukatores N.M, ka thënë se rasti është hiperbolizuar fillimisht nga mediat e më pas nga familjarët.

Teksa ka mohuar akuzat për keqtrajtim, Zogiani ka shtuar se qëllimi i edukatores ishte mbrojtja e fëmijës.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka shprehur shqetësim për pamjet filmike të publikuara lidhur me qasjen e edukatoreve dhe trajtimin ndaj një fëmije 3 vjeçar në kopshtin “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.

Momentet e të ushqyerit, pushimit, gjumit apo aktiviteteve dhe lojërave të tjera, janë të natyrës edukative dhe rekreative.

Prandaj, çdo qasje e papërshtatshme, e vrazhdë apo e dhunshme e përdorur nga edukatoret, për të detyruar fëmijën që t’i realizojë ato përmes presionit, tërheqjes, zvarritjes, dhunës verbale apo fizike, përbën një shkelje të rëndë e cila dëmton të gjitha sferat e zhvillimit të fëmijës”, thuhet në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat