Protestë 10 minutëshe, Klinaku: Specialja po gjykon vetëm shqiptarët, kërkojmë nga shteti të mos i lejojë bastisjet

Aktuale

Protestë 10 minutëshe, Klinaku: Specialja po gjykon vetëm shqiptarët, kërkojmë nga shteti të mos i lejojë bastisjet

Më: 15 shtator 2023 Në ora: 07:43 Përditësuar në ora: 12:48 më 15.09.2023
Foto ilustrim

Klinaku: Specialja po gjykon vetëm shqiptarët, kërkojmë nga shteti të mos i lejojë bastisjet

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbajti protestë para zyrave të EULEX-it në Fushë-Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, në fjalën e tij gjatë protestës tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës po gjykojnë vetëm shqiptarët.

“Dhomat e specializuara të Kosovës gjykojnë vetëm shqiptarët por jo krimet e kryera në Kosovë, jo krimet që i kanë shkaktuar pushtuesit serb civilëve. Ata gjykojnë luftën tonë çlirimtare, gjykojnë vetëm UÇK-në, duke quajtur ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

Tutje, Klinaku kërkoi nga Policia që mos të lejojë zyrtarët e Speciales që të hyjnë në shtëpi dhe të kryejnë bastisje.

“Në mungesë të fakteve vazhdojnë me filma. Institucionet tona po heshtin, po na hyjnë në shtëpi, e ne thirrëm këtë protestë kundër tyre, duke pasur parasysh se Policia është reaguesi i parë, kërkojmë që shteti të merret me ta, përndryshe do të kemi reagime të vazhdueshme”, u shpreh ai.Gjatë protestës u hodhën telefonat në oborrin ku EULEX-i ka zyrat.

Përfundon protesta 10 minutëshe e veteranëve para Eulex-it

Organizata e Veteranëve të Luftës ka protestuar para zyreve të EULEX-it.

Ata kanë kundërshtuar kështu bastisjet e e fundit ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së.

Protesta ka përfunduar.

Protestuesit i kanë gjuajtur telefonat e tyre para zyrës së EULEX-it, në shenjë pakënaqësie ndaj bastisjeve të fundit që po bën EULEX-I i cili dhe ka konfiskuar disa telefona.

Nis protesta e veteranëve

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka filluar protestën para zyrave të EULEX-it në Fushë-Kosovë.

Kjo protestë është thirrur për të kundërshtuar veprimet e fundit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Ditëve të fundit, me urdhër të Gjykatës Speciale në Hagë, EULEX-i ua ka konfiskuar telefonat ish-komandantit në Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafës – Remit, ish të burgosurit politik, Nait Hasanit, Arben Mustafës, vëllait të ish-komandat Salih Mustafës – Calit.

Ndërsa, përveç vëllait të “Calit”, njësitet e EULEX-it dje kryen një bastisje edhe në shtëpinë e Behar Berishës, ish-pjesëtarit të UÇK-së i cili ishte bashkëluftëtar i Salih Mustafës.

OVL e UÇK-së proteston sot

Organizata e Veteranëve të Luftës do të mbajë sot protestë për të kundërshtuar bastisjet e fundit ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur dje (e enjte) se protesta do të nisë nga ora 12:00 para objektit të EULEX-it në Fushë Kosovë.

“Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i, janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal. Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë”, ka shkruar Klinaku.

Me urdhër të Dhomave të Specializuara, EULEX dje ka bastisur shtëpinë e ish-luftëtarit të UÇK-së, Behar Berisha. Ndërkaq ditëve të fundit u ka sekuestruar telefonat personalë ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës, si dhe ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat