Qeveria synon të punësojë të papunët në procesin e regjistrimit të popullsisë

Aktuale

Qeveria synon të punësojë të papunët në procesin e regjistrimit të popullsisë

Më: 13 shtator 2023 Në ora: 13:55
Albin Kurti

Qeveria e Kosovës ka ndarë gjysmë milioni euro për familjet e ndikuara nga tërmeti në Turqi, që ka ndodhur muaj më parë. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi ndau edhe 4200 euro për transportimin e kufomës së shtetases argjentinase, e cila javë më parë u vra në Kosovë. Kabineti qeveritar miratoi edhe një sërë projektligjesh dhe nismash për marrëveshje ndërkombëtare. Krahas këtyre shtuan një masë të re për mbështetje të punësimit, ku personat e papunë do të kenë mundësi të angazhohen si punonjës në procesin e regjistrimit të popullsisë që pritet të nisë në nëntor.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ndihma prej 500 mijë eurosh ndaj Turqisë ishte paraparë të bëhet në takimin që ishte organizuar në Bruksel për këtë qëllim, mirëpo Kosovës iu pamundësua të jetë pjesëmarrëse në nivel të barabartë me shtetet e tjera.

“Një ndarje e tillë ka qenë e paraparë që të zotohet në takimin që ishte organizuar në Bruksel për këtë qëllim. Megjithatë për shkak të pamundësisë për pjesëmarrje në nivel të barabartë me shtete të tjera ne kemi vendosur të mos bëjmë zotimin aty, por si qeveri në formë bilaterale të ndajmë këto mjete, në mënyrë që edhe të japim kontributin për popullin turk”, tha ai.

Ndërkaq, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorolli, tha se ndarja buxhetore për transportimit të kufomës së shtetases së ndjerë argjentinase po bëhet për shkak të pamundësisë financiare të familjes së saj.

“Ministria e Drejtësisë duke marrë parasysh ndjeshmërinë dhe aspektin human dhe marrë parasysh pamundësinë financiare të familjes së saj në Argjentinë ka propozuar kërkesë për ndarjen e mjeteve financiare për të mbuluar shpenzimet e transportimit të kufomës të shtetases së ndjerë argjentinase nga Prishtina në Argjentinë”, theksoi Qorolli.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati tha se nisma për negocimin e marrëveshjes me Austrinë për sigurime shoqërore do të mundësojë që qytetarët që kanë punuar në Austri do të kenë mundësi të marrin pensionin edhe në Kosovë.

“Nismën për negocimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore mes Kosovës dhe Austrisë. Ky projektligj ka për qëllim mbrojtjen shoqërore për qytetarët e Kosovës dhe Austrisë që jetojnë ose punojnë në vendet përkatëse. Atyre iu mundësohet të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, familjare, invalidore të punës si dhe e drejta në pension nga fondi i kursimeve individuale. Me këtë marrëveshje qytetarët të Kosovës që kanë punuar një kohë në Austri do t’iu mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin edhe në Kosovë”, tha ai.

Qeveria miratoi edhe tri nisma për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare me Suedinë në sektorin e drejtësisë.

Ekzekutivi i dha dritë të gjelbër Ministrisë së Drejtësisë që të nisë diskutimet për marrëveshjen për ekstradim me Suedinë, për transferim të personave të dënuar mes dy vendeve dhe për ndihmën të ndërsjellët juridike për çështjet penale

“Kjo kërkesë është e bazuar në aspiratën dhe zotimin e Kosovës që të zhvillojë partneritet evropian që do të kontribuoj në afirmimin e vlerave evropiane dhe bashkëpunimin bilateral dhe atë ndërkombëtar. Qëllimi i kësaj marrëveshje është edhe forcimi dhe bashkëpunimi i mëtutjeshëm në fushën e ekstradimit në mes dy vendeve”, theksoi Qorolli.

Krahas këtyre shtuan një masë të re në kuadër të masave për Mbështetjen e Punësimit, ku personat e papunë do të kenë mundësi të angazhohen si punonjës në procesin e regjistrimit të popullsisë që pritet të nisë këtë vit.

“Përmes kësaj mase aktive të tregut të punës të mundësojmë punësimin e përkohshëm të gjithë atyre që janë të papunë”, tha ai.

Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi edhe Projektligjin për shërbimet sociale dhe familjare dhe mori vendim për shpronësim të pronave publike në disa zona në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat