Vela tregon për dallimet mes Presidencës dhe Qeverisë në raport me dialogun

Aktuale

Vela tregon për dallimet mes Presidencës dhe Qeverisë në raport me dialogun

Më: 13 shtator 2023 Në ora: 08:24
Blerim Vela

Shefi i stafit i presidentes Vjosa Osmani e ka pranuar se ka dallime mes Presidencës e Qeverisë sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.

Blerim Vela në KTV ka thënë se presidentja Osmani synon që nëpërmjet procesit të konsultimit të brendshëm të arrihet dakordim për t’i tejkaluar dallimet që ka.

Vela ka thënë se pika e parë e dallimeve në raport me dialogun është përmbajtja e Marrëveshjes Bazë.

“Kemi pasur pritjet tonë, dhe ia kemi komunikuar drejtpërdrejt edhe ndërmjetësit që marrëveshja të jetë eksplicite në njohje. Në komentet e përgatitura në versionin e parë të shtatorit, Presidenca ka dhënë inputin, është tentuar që të forcohen nenet e përmbajtja. Çfarë kemi parë është njëfarë zbehje të marrëveshjes. Kishte disa ndryshime të marrëveshjes në versionin e dhjetorit e janarit, dhe ajo është zbehur edhe tutje. Nuk është në standardin as të marrëveshjes gjermano-gjermane që ishte si bazë”, ka thënë Vela.

Ai ka treguar se pala serbe kishte luftuar për ta ndryshuar nenin 4.

“Në draftin e parë të sekuencimit që ishte dorëzuar një ditë para takimit në Ohër, ndërmjetësi e përfshiu këtë kërkesë të Serbisë. Në plan të zbatimit është paraparë që neni 4 të zbatohet në kuptim të organizatave evropiane. Natyrisht se Kosova se ka pranuar, e ka refuzuar atë. Dokumenti i dalë nga Ohri, është dokument jashtëzakonisht divers. Nuk e ka as strukturën e as logjikën e një plani të zbatimit”, ka thënë Vela. “Te marrëveshja e Brukselit është një nen që parasheh arritjen e marrëveshjes ligjërisht obliguese finale. Argumenti i ndërmjetësve ishte që ne po kërkojmë hapësirën juridike që të shkojmë në drejtim të asaj. Të arrijmë marrëveshje. Kur kemi diskutuar për sekuencimin kemi kërkuar që të jetë i përcaktuar në kohë. E të mos jetë thjeshtë të zbatohet neni 7 pastaj nenet tjera, pasi Serbisë i jepet një lloj vetoje”.

Vela ka thënë se nuk ka garancë që Serbia do ta zbatojë nenin 4 plotësisht.

Ai ka thënë se Serbia nuk e ka zbatuar as Marrëveshjen e Uashingtonit, jo vetëm pjesën që ka të bëjë me Kosovën por edhe në raport me ndërkombëtarët, ku ka marrë obligime sa i përket teknologjisë së dyshimtë kineze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat