Për njërën të akuzuar veçohet procedura, të tjerët deklarohen të pafajshëm për vjedhje të votave brenda subjektit të Vetëvendosjes

Aktuale

Për njërën të akuzuar veçohet procedura, të tjerët deklarohen të pafajshëm për vjedhje të votave brenda subjektit të Vetëvendosjes

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

Është veçuar procedura ndaj të akuzuarës Vlora Jasharaj, ndërsa Luljeta Kelmendi, Altin Bektashi, Faime Sijarina, Arton Makolli, Fatbardha Berisha, Avdullah Azemi dhe Samsun Bolukbashi janë deklaruar të pafajshëm për manipulim me rezultatet e votimit brenda subjektit të Vetëvendosjes në zgjedhjet e 2017-ës.

Të njëjtit sipas prokurorisë po akuzohen se kanë manipuluar me 69 vota të kandidatëve brenda përbrenda Lëvizjes Vetëvendosje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një deklarim të tillë të njëjtit e dhanë në seancën e së enjtes pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Ilaz Beqiri i cili bëri plotësimin e dispozitivit të aktakuzës sa i përket cilësimit juridik duke shtuar bashkëkryerjen.

Paraprakisht në këtë seancë prokurori Beqiri propozoi që ndaj të akuzuarës Jasharaj të bëhet veçimi i procedurës, duke pasur parasysh faktin që e njëjta mungoi edhe në seancat e kaluara dhe duke pasur konfirmimin që e njëjta jeton jashtë vendit dhe është e pa arritshme për gjykatën.

Një propozim i tillë u bë për shkak të ekonomizimit të procedurës për të akuzuarit e tjerë dhe nuk u kundërshtua nga mbrojtësit e të akuzuarve tjerë me të njëjtën arsye.

Gjykatësi i rastit Gëzim Ademi aprovoi propozimin e prokurorit Beqiri për veçimin e procedurës ndaj të akuzuarës Jasharaj, me qëllim të moszvarritjes dhe të ekonomizimit të procedurës.

Ndryshe në këtë seancë ishin prezentë shtatë të akuzuarit e tjerë me mbrojtësit e tyre.

Ndër ta në këtë seancë po ashtu prezantoi edhe mbrojtësja e të akuzuarës Sijarina, avokatja Emine Bajrami Statovci e cila mungoi në seancën e kaluar, ku  më 4 shtator 2023 ishte ndaluar nga Policia e Kosovës (PK), për veprën penale “Keqpërdorim i besimit”.Ndërsa më 6 shtator ishte bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari se avokatja Emine Bajrami Statovci ishte liruar në procedurë të rregullt.

Për shkak të mungesës së të akuzuarës Jasharaj kishte dështuar po ashtu të nis ky gjykim i planifikuar më 14 korrik 2023.

Ndërsa më 3 korrik të këtij viti në mungesë të akuzuarve Vlora Jasharaj dhe Samsun Bolukbashi, kishte dështuar po ashtu të nis gjykimi për këtë rast.

Dhe po ashtu më datë 4 shtator 2023 seanca fillestare kishte dështuar në mungesë të akuzuarës Vlora Jasharaj dhe avokates Emine Bajrami- Statovci.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë kundër Luljeta Kelmendi, Altin Bektashi, Faime Sijarina, Arton Makolli, Vlora Jasharaj, Fatbardha Berisha, Avdullah Azemi dhe Samsun Bolukbashi të cilët po ngarkohen se më 11 qershor 2017, në Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë, në bazë të marrëveshjes paraprake, gjatë numërimit të votave kanë falsifikuar rezultatet e votimit për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Aktakuza thotë se, e pandehura Kelmendi në cilësinë e kryesueses së Këshillit të vendvotimit dhe të pandehurit tjerë, Sijarina, Jashari, Bekteshi, Makolli, Bolukbashi, Azemi dhe Berisha anëtarë të këtij Këshilli, kanë falsifikuar rezultatet e votimit duke manipuluar me 69 vota të kandidatëve brenda përbrenda subjektit të njëjtë politik, ashtu që kandidatëve të preferuar nga LVV u kanë shtuar 50 vota dhe kandidatëve tjerë nga LVV u kanë hequr 19 vota dhe këto rezultate i kanë bartur në Formularin e përputhjes se të dhënave dhe rezultateve, me ç ‘rast kanë dëmtuar KQZ-në.

Me këto veprime, të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 219 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej tre deri në pesë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat