​“Policia e Kosovës përballë sfidave por gjithmonë duke u forcuar”

Aktuale

​“Policia e Kosovës përballë sfidave por gjithmonë duke u forcuar”

Më: 6 shtator 2023 Në ora: 21:12
Ceremonia

Një histori suksesi u vlerësua Policia e Kosovës nga përfaqësuesit e institucioneve të vendit, në 24 vjetorin e themelimit.

Në ceremoninë e shënimit të Ditës së Policisë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se kjo është festë për secilin qytetar.

Ai tha se falë sukseseve të Policisë së Kosovës, është shndërruar edhe një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët.

Sveçla: Policia e Kosovës është një prej institucioneve më të besueshme në vend

"Një festë e një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Të flasësh për një institucion sikurse PK është lehtë por edhe kënaqësi, ky institucion na fut në kujtesë në rrugëtimin e saj plot lavdi, sfida e suksese, të cilat duhet të vlerësohen si arritje të shumta falë angazhimit të përbashkët për t'i shërbyer vendit e qytetarëve tanë pa dallim. Me kalimin e viteve PK është zhvilluar dhe rritur duke qenë në gatishmëri për të ju përgjigjur nevojave të ndryshme të shoqërisë tonë. Prej më shumë se dy vite bashkëpunim jemi përball me sfida të ndryshme, por gjithmonë jemi ngritur e forcuar duke demonstruar përkushtimin tonë të palëkundur për të garantuar sundim të ligjit e për të ofruar siguri për qytetarët tanë. Si ministër e vlerësoj lartë punën e palodhshme të secilit zyrtar policor, të cilët përkundër sfidave e rreziqeve që janë përballur, nuk janë ndalur asnjëherë. Sukseset e tyre kanë ngritur lartë PK-në duke qenë sot njëri nder institucionet më të besueshëm për qytetarët tanë", tha Sveçla.

Mes tjerash, ministri Sveçla ka shprehur mirënjohjen për gjithë aleatët e bashkëpunëtorët që ndihmuan këtë institucion.

Sveçla: Shpreh mirënjohje për partnerët që kontribuuan në ngritjen e profesionalizimit të Policisë

"Në këtë ditë të veçantë për secilin prej nesh, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për aleatët e partnerët e Republikës së Kosovës, e aleatët e partnerët e Policisë sonë, gjithë ju që keni kontribuar pa u ndalur në ngritjen e profesionalizimit dhe shërbimit efikas të Policisë sonë", tha Sveçla.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se pavarësisht sfidave të ndryshme, zyrtarët policorë asnjëherë nuk kanë hezituar të kryejnë punën e tyre.

Hoxha tha se Policia në vazhdimësi po kryen detyrën e saj, duke siguruar rend dhe ligj për secilin qytetar pa dallim.

Hoxha: shënimi i Ditës së Policisë na jep mundësinë të reflektojmë mbi rolin tonë të rëndësishëm në shoqëri

"Jemi mbledhur sonte për të festuar një ditë të veçantë dhe shumë të rëndësishme të historisë së organizatës tonë policore. Ky është një rast që na bënë të reflektojmë mbi përkushtimin, sakrificën dhe angazhimin e palëkundur që policët tanë demonstrojnë çdo ditë për të garantuar zbatimin e rendit e ligjit, gjithnjë me qëllim të ofrimit të një ambienti të qetë për gjithë qytetarët tanë pa dallim. Shënimi i kësaj dite na jep mundësinë të reflektojmë mbi rolin tonë të rëndësishëm në shoqëri, ne nuk jemi thjesht vetëm mbrojtës dhe zbatuesit e ligjit, por jemi edhe bashkëpunëtorët e komunitetit, partnerë të organizatave të ndryshme, jemi ndihmësit e parë, shpresa e qytetarit në ditët më të vështira, andaj, nuk guxojmë ta zhgënjejmë atë, sepse do ta tradhtojmë betimin tonë dhe do humbasin besimin e fituar ndër vite", tha Hoxha.

Mes tjerash, Hoxha tha se bazuar në parimet themelore me të cilat është ndërtuar dhe vazhdon të punojë PK, në vazhdimësi ushqejnë një mjedis transparence, paanshmëri dhe llogaridhënie.

Hoxha: Policët tanë janë pjesë integrale e komunitetit tonë

"Roli i Policisë shtrihet përtej zbatimit të ligjit, policet tanë janë pjesë integrale e komunitetit tonë, duke punuar krahë për krahë me organizata, bashkësitë fetare, shkollat e bizneset për të ndërtuar ura dhe për të krijuar besimin e ndërsjellë. Në këtë kohë dinamike dhe me zhvillim të hovshëm të teknologjisë ne do ta përqafojmë inovacionin dhe teknologjinë në mënyrë që personeli ynë të ketë kushte sa më të mira, në përpjekjet e tyre për të ofruar paqe dhe siguri. Bazuar në parimet themelore me të cilat është ndërtuar dhe vazhdon të punojë PK, ne në vazhdimësi ushqejmë një mjedis transparence, paanshmërie dhe llogaridhënie, ku veprimet e zyrtarëve tanë janë në përputhje me vlerat që ne kemi përqafuar shumë herët. Jo rastësisht është thënë se PK është një skorie suksesi e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, por, PK vazhdon të jetë storie suksesi edhe sot, ku roli dhe mandati i misioneve ndërkombëtare është shumë më i kufizuar, por ne vazhdojmë të kultivojmë raporte dhe bashkëpunim të mirëfilltë me të gjithë partnerët ndërkombëtar dhe vendor", tha mes tjerash Hoxha.

Drejtori i parë i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, u shpreh i emocionuar teksa kujtoi vitet e para të detyrës.

Ahmeti: Çdo sukses i Policisë më ripërtërin jetën

"Është kënaqësi e veçantë, por më keni emocionuar që më keni ftuar, sepse bashkë me ju kemi kaluar sfida të rënda, por me sukses dhe jam shumë krenar me punën që kemi bërë në shërbim të qytetarëve. Jam i bindur se edhe sot e bëni e do të bëni gjithmonë, sepse është obligim moral, njerëzor e kombëtar në shërbim të vendit. Çdo sukses i juaji mua më gëzon, më ripërtërin e më shton jetën", tha Ahmeti.

Ndërkaq, zyrtari nga gjenerata e parë, Anton Cena, ka kujtuar kohën kur ju bashkua shërbimit në këtë institucion.

Cena: Vitet e para të punës në polici ishin sfiduese

"Ishte viti 1999-të kur u formua shërbimi Policor i Kosovës, koha e çlirimit të Kosovës, histori e njohur botërisht. Unë dhe kolegët nga gjenerata e parë e PK vendosëm që t'i bashkohemi radhëve të para të themeluesve të institucionit të PK-së, që t'i shërbejmë Kosovës në ofrimin e të gjitha kapaciteteve tona, në ruajtjen e rendit dhe krijimit të mjedisit të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës pa dallim. Për këtë sfidë erdha nga shteti i Belgjikës për t'i shërbyer vendit tim. Ishte kohë shumë e ndjeshme duke marrë parasysh se lufta sapo kishte përfunduar dhe kjo donte përveç profesionalizëm në aspektin e sigurisë, edhe maturi të dyfishtë në qasjen e secilit që kemi hasur gjatë punës, falë aleatëve tanë ndërkombëtar që ishin pranë nesh e falë tyre ja dolëm mbanë. Vitet e para të punës ishin sfiduese, por dëshira për t'i shërbyer vendit i kalonte kushtet e tilla të punës ", kujtoi Cena.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, deputetë e ministra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat