Kurti në takim me gratë pensioniste: Trajtuam nevojën për pensione më të larta

Aktuale

Kurti në takim me gratë pensioniste: Trajtuam nevojën për pensione më të larta

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 10:38
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në një bashkëbisedim me gratë pensioniste nga Komuna e Prishtinës.

Kurti tha se në këtë takim u trajtuan çështje që nga brengat rreth reformës së skemës pensionale deri te nevoja për pensione më të larta.

“Biseda me gra të kësaj moshe që e kanë njohjen, përvojën, e mbi të gjitha dashurinë për vendin, është gjithnjë mësim për secilin nga ne. Trajtuam shumë çështje që nga brengat rreth reformës së skemës pensionale deri te nevoja për pensione më të larta. Pa dyshim gatishmëria që kemi treguar duke ndihmuar këtë kategori në përballje me inflacionin dhe vendimi që të mos e lemë asnjë pension nën 100 euro, ishin vendime që u vlerësuan nga secila prej grave pensioniste”, tha ai.

“Bashkëbiseduam edhe për punët tjera që kemi bërë për këtë gjysmë mandati për këtë kategori, e cila asnjëherë nuk është trajtuar sistematikisht e ashtu siç duhet:  Mbi 280 mijë pensionistë kanë përfituar tri herë shtesa nga 100 euro, në nëntor 2021, prill 2022 dhe tetor 2022. Miratuam ndryshimet në ligj për t’ju mundësuar pensionistëve që janë larguar nga puna në vitet ’90-ta të përfitojnë nga pensionet kontributpaguese, nga e cila nismë përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë/e. Vizita në shtëpi për pensionistët që janë mbi 80 vjeç apo që për shkaqe shëndetësore nuk mund të paraqiten fizikisht në zyret e pensioneve. Kemi arritur marrëveshje të njohjeve të kontributeve të sigurimeve për efekt pension pleqërie me Shqipërinë, që është vënë në zbatim për qytetarët në Shqipëri e Kosovë”, tha tutje Kurti.

Teksa theksoi se ato që sot janë pensioniste kanë bërë shumë për këtë shoqëri, dhe tash Qeveria dhe gjithë shoqëria sipas tij,  duhet të bëjnë më shumë për to, në mënyrë që secila të ketë mirëqenie dhe jetë të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat