Presidenca ende pa vendim për kryeprokurorin e shtetit

Aktuale

Presidenca ende pa vendim për kryeprokurorin e shtetit

Më: 2 shtator 2023 Në ora: 20:09
Foto ilustrim

Nuk ka asgjë të re nga presidenca në lidhje me udhëheqësinë e prokurorisë së shtetit.

Kështu janë shprehur nga ky institucion në pyetjet e televizionit se çka po ndodh me postin e kryeprokurorit të shtetit.

Këtë pozitë, për më shume se një vit po e mban një ushtrues detyre.

E nga 6 prilli, në presidenca nga Këshilli Prokurorial është dërguar emri i Blerim Isufaj për kryeprokuror të shtetit.

Për këtë propozim, nga presidenca nuk ka as po, as jo.

Fillimisht u tha se pas kundërshtimeve dhe reagimeve të ndërkombëtarëve për procesin e konkursit për kryeprokurorë, presidentja Vjosa Osmani do të takohet me të gjitha palët e interesit, para se ta merrë një vendim përfundimtar.

Kur këto u kryen, dolën ankesat e kandidatëve të tjerë për kryeprokurorë në Kushtetuese, për çka presidenca tha do të presin vendimin e Kushtetueses për të proceduar tutje.

Në proces shqyrtimi është një lëndë.

“Parashtruesi, Shqipdon Fazliu, gjithashtu i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të 23 dhjetorit 2022. Kjo kërkesë, e regjistruar me numër të lëndës KI90/23, është parashtruar në Gjykatë më 28 prill 2023 dhe është në proces të shqyrtimit”, bëhet e ditur nga Gjykata Kushtetuese.

Si të pajustifikueshme, avokati Kadri Osaj, e sheh kohëzgjatjen për marrjen e një vendimi për dekretim të kryeprokurorit të shtetit nga ana e presidencës.

Mungesa e një vendimi, përgjatë kësaj periudhe, u kritikua në vazhdimësi nga ana e shoqërisë civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat