Osmani: Presidenca do të marrë rolin e saj në përkrahje të “Hardh Fest”

Aktuale

Osmani: Presidenca do të marrë rolin e saj në përkrahje të “Hardh Fest”

Më: 1 shtator 2023 Në ora: 15:14
Vjosa Osmani.

Me sloganin "Prek n'rrush, shijo n'ven", ka nisur sot edicioni i 22-të i festës së vjeljes së së rrushit "Hardh Fest", në Rahovec. E mbështetje për festivalin që tashmë është shndërruar në traditë premtoi presidentja Vjosa Osmani.

Në ceremoninë hapëse, Osmani tha se përgjatë viteve presidenca do të marrë rolin e saj në përkrahje të kësaj feste.

Ajo shprehu mirënjohje ndaj vreshtarëve rahovecianë të cilët siç tha ajo, me këtë traditë po arrijnë ta mbajnë gjallë ekonomikisht Kosovën.

Osmani: Presidenca e Kosovës do ta marrë rolin e saj në përkrahje të kësaj feste

“Nuk ka vend më akekuat për të cakërruar gotat sesa festivali ‘Hardh Fest’, i cili nëpërmjet rrushit e verës po promovon Kosovën gjithandej nëpër botë. Nëpërmjet kësaj trashëgimie, përgjatë viteve që do të vijnë, Presidenca e Kosovës do ta marrë rolin e saj në përkrahje të kësaj feste të përvjetshme të begatisë në tokën tonë. ‘Hardh Fest’ është festival i rrushit, i verës, por edhe i miqësisë. Këtu gërshetohen në mënyrë fantastike tradita me modernen, si një dedikim edhe për ata që janë kujdesur më parë që këto hardhi të na e jap rrushin e dëshiruar... Ndërsa shijojmë shijen e rrushit dhe të verës le të reflektojmë edhe për punën e vreshtarëve e verëtarëve të shkathtë, të cilët këtë rrush e shndërrojnë në vepër arti”, tha Osmani.

Se “Hardh Fest” ndikon në zhvillimin e turizmit tha ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Hajdari: Hardh Fest ndikon në zhvillimin e turizmit në vendin tonë

“Kosova ka kapacitet dhe po shndërrohet në qendër atraktive për vizitorët. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, kemi pasur rritje të numrit për 30 për qind më shumë se vitin e kaluar. Në këtë drejtim, edhe ‘Hardh Fest’, përveç tjerash, ndikon në zhvillimin e turizmit në vendin tonë”, u shpreh Hajdari.

Ndërsa i pari i Rahovecit, Smajl Latifi, tha se këtë vit komuna ka mbështetur më shumë “Hardh Fest-in”. Ai tha se ky festival ka vizitorë nga e gjithë bota.

Latifi: Hardh Fest e ka vendosur Kosovën në hartën e madhe të botës

“’Hardh Fest’ e ka vendosur Rahovecin në hartën e ngjarjeve kulturore artistike më të rëndësishme të Kosovës, ndërsa Kosovën e ka vendosur në hartën e madhe të botës... Jam shumë i gëzuar që sivjet kemi gjetur mundësitë që ta mbështesim ‘Hardh Fest-in’ më shumë se në vitet e shkuara. Jam i vetëdijshëm që çfarëdo mbështetje që i jepet ngjarjeve të tilla është investim që i kthehet shoqërisë sonë me përplot përfitime ekonomike, ashtu edhe kulturore”, tha Latifi.

E kryetari i Aleancës për Ardhshmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se thithja e investimeve e çon vendin përpara. Porse, ai u ndal më shumë tek qëllimet që sipas tij, ka Kosova.

Haradinaj: Qëllimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO

“Qëllim e kemi anëtarësimin, veçanërisht NATO-n. Për të arritur këtë qëllim nuk guxojmë të largohemi nga aleatët, por duhet të punohet me shumë kujdes të afrohemi me ta, që ta fitojnë besimin dhe të anëtarësohemi në NATO”, tha ai.

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se janë gjashtë kantina nga Shqipëria që marrin pjesë në festivalin e sivjetmë të vjeljes së rrushit në Rahovec.

Demo: Kjo zonë ka potencial të jashtëzakonshëm

“Më vjen shumë mirë që kjo zonë ka potencial të jashtëzakonshëm dhe jam i bindur që vit pas viti, ne do të jemi jo vetëm me produkte më të mira, por do të jemi edhe më shumë në të gjitha aktivitetet që organizohen në të dy anët e kufirit”, u shpreh ai.

E kryetari i Shoqatës së vertarëve, Haziz Tafaj, kërkoi nga institucionet që të orojnë ndihmë për vertarët në mënyrë që siç tha ai, këta të fundit në vitet e tjera ta bëjnë punën edhe më mirë.

Ndërsa në fund, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ndau gjashtë çmime për vreshtarët më të mirë.

Festivali i vjeljes së rrushit që po mbahet në Rahovec, do të qëndrojë i hapur për tri ditë, prej sot deri më 3 shtator. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat