Mbi 50 mijë aplikime për subvencionim, ankesat nuk mungojnë

Aktuale

Mbi 50 mijë aplikime për subvencionim, ankesat nuk mungojnë

Më: 28 gusht 2023 Në ora: 21:52
Ilustrim

Platformës E-Kosova për subvencionim e teksteve shkollore dhe materialeve shkollore, deri në mëngjesin e së hënës, i janë drejtuar 51 mijë e 200 aplikues.

Kjo shifër, është dhënë nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

Megjithatë, mësimdhënësit, janë duke u ballafaquar me ankesa nga prindërit mbi procesin.

Kështu të paktën tregon Drita Bajrami, mësimdhënëse në fshatin Shkabaj të Obiliqit, që adreson disa prej problemeve që i kanë mbërritur asaj.

“Bashkëpunimin që e kam me prindërit ne rrjete sociale, ata kanë reagime të mëdha. Nuk po i pëlqen aspak kjo metodë e re tash që ata vet ti blejnë ato libra e vazhdimisht po na shkruajnë që nuk janë të kënaqur me reformën e re. shumica e prindërve janë në punë. Po behën tollovi të mëdha nëpër librari”, ka thënë mësimdhënësja, Drita Bajrami.

Një prind i këtij fshati e hodhi në pah një tjetër problematikë për procesin e subvencionimit.

“Edhe përmes aplikimit po është vështirë se dikush nuk ka as internet, as telefon e nuk di qysh aplikojnë. Shumë vështirë është edhe për prind edhe për nxënësa sivjet për libra”, u shpreh Sinan Makolli.

Forma e aplikimit është hapur nga data 25 gusht e mjetet e planifikuara nga Ministria e Arsimit do të dalin në llogaritë bankare të prindërve.

Po ashtu, shtëpitë botuese kanë publikuar çmimin e librave, i cili nuk do të ndryshoj gjatë gjithë procesit te blerjes së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat