Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve fillon në sesion privat

Aktuale

Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve fillon në sesion privat

Më: 28 gusht 2023 Në ora: 06:45 Përditësuar në ora: 10:39 më 28.08.2023
Hagë

Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve fillon në sesion privat

Seanca e së hënës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar në sesion privat.

Me të arritur trupi gjykues në sallën e gjyqit, në momentin kur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka filluar të flasë, përmbajtja është redaktuar, për të vazhduar më tej seanca në sesion privat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në seancën e fundit të mbajtur më 17 gusht në këtë çështje, është dëgjuar dëshmitarja e 17-të me radhë, Dragica Bozhaniq.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Këtë javë tri seanca në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët”

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, vazhdon sot.

Ndryshe në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, versioni i redaktuar i “Raportit të Katërmbëdhjetë mbi Kërkesat eViktimave për Pjesëmarrje në Proces”, i cili fillimisht u dorëzua si konfidencial, u bë publik më 23 gusht.

Në këtë raport, Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave i përcolli Trupit Gjykues kërkesat e nëntë viktimave, me rekomandimin që ato të pranohen të marrin pjesë në proces si pjesë e grupit të viktimave pjesëmarrëse.

Në të njëjtën çështje, më 23 gusht, Paneli i Gjykatës së Apelit hodhi poshtë një apel të Mbrojtjes ku kundërshtohej vendimi i Trupit Gjykues për t’i lejuar ZPS-së të paraqiste për pranim prova të cilat nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë prej dëshmive të dëshmitarëve.

Më 16 gusht, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Trupi Gjykues konstatoi se ekziston rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi dhe z. Veseli të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë krime të tjera.

Ndryshe në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë do të mbahen tri seanca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat