Kryeministri Kurti për Nënë Terezën: Fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre

Aktuale

Kryeministri Kurti për Nënë Terezën: Fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 16:54
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori sot pjesë në hapjen solemne të edicionit të tretë të manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Drita e Gonxhes”, e njëkohësisht ka bërë homazhe te shtatorja e “Nënë Terezës”, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

26 gushti i sivjetëm na ka bashkuar sot në qendër të Prishtinës dhe na ka mbledhur këtu në sheshin Nënë Tereza, për më tepër pranë shtatores së Nënë Terezës, për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor “Drita e Gonxhes”, e nisi fjalën e tij para të pranishmëve kryeministri Kurti, i cili më pas foli për biografinë e Nënë Terezës.

Kryeministri Kurti tha se 26 gushti është data e saj e lindjes, kurse 27 gushti është data e pagëzimit të saj nga Don Zef Ramaj.

Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ka lindur sikur sot, plot 113 vite më parë, më 1910 në Shkup, atë botë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës. Ishte vajza e Nikollë Bojaxhiut, i lindur në Prizren në një familje të ardhur nga Fani i Mirditës dhe i nënës Drane Barnaj nga Novosella e Gjakovës. Vajzë shqiptare e një patrioti, e cila lindi në periudhën osmane dhe që ishte fëmijë kur vendi i saj u pushtua nga fqinjët, gjatë Luftës së Parë Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Pas vdekjes së babës Kolë kur ajo ishte pothuajse 9 vjeçare, Anjeze Bojaxhiun e rriti nana Drane, sikur edhe vëllaun dhe motrën e saj, Lazërin dhe Agen.

Pasi foli për biografinë dhe rrugëtimin e saj, kryeministri tha se personi Anjeze Gonxhe Bojaxhiu vdiq 87 vjeçare, më 5 shtator 1997, por figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre.

Duke uruar që aktivitetet e këtij manifestimi të shkojnë mirë dhe mbarë si këtu në Prishtinë, ashtu edhe në Shkup e në Tiranë, kryeministri u shpreh me shpresë që “Drita e Gonxhes” të përhapë dritë nga shembulli që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza dha me jetën e saj për njerëzoren e secilit ndër ne.

 Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar z. Skender Hasani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirëtore e Kulturore të Shqiptarëve,

E nderuara znj. Teuta Shala, Drejtoreshë e Institutit të Historisë ‘’Ali Hadri’’,

I nderuar imzot Dom Lush Gjergji,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe Vëllezër,

Të nderuar të pranishëm,

26 gushti i sivjemë na ka bashkuar sot në qendër të Prishtinës dhe na ka mbledhur këtu në sheshin “Nënë Tereza”, për më tepër pranë shtatores së Nënë Terezes, për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor “Drita e Gonxhes”.

26 gushti është data e saj e lindjes, kurse 27 gushti është data e pagëzimit të saj nga Don Zef Ramaj. Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ka lindur sikur sot, plot 113 vite më parë, më 1910 në Shkup, atë botë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës. Ishte vajza e Nikollë Bojaxhiut, i lindur në Prizren në një familje të ardhur nga Fani i Mirditës dhe i nënës Drane Barnaj nga Novosella e Gjakovës. Vajzë shqiptare e një patrioti, e cila lindi në periudhën osmane dhe që ishte fëmijë kur vendi i saj u pushtua nga fqinjët, gjatë Luftës së Parë Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Pas vdekjes së babës Kolë kur ajo ishte pothuajse 9 vjeçare, Anjeze Bojaxhiun e rriti nana Drane, sikur edhe vëllaun dhe motrën e saj, Lazërin dhe Agen.

Që e vogël e devotshme ndaj besimit të saj fetar, Gonxhja u largua nga shtëpia më 1928 dhe shkoi e u bashkua me Motrat e Loretos në Irlandë, ku anglishtja u bë gjuha e saj e komunikimit. Një vit më pas shkoi në Indi ku do ta përqendronte veprimtarinë e saj. Më 1950 ajo themeloi bashkësinë fetare Misionarët e Bamirësisë, me të cilën arriti që ndër vite të shtrinte një rrjet të tërë me institucione dhe veprimtari bamirësie për të varfërit, apo siç thoshte ajo, për më të varfërit e të varfërve. Kësisoj, kjo motër, motra Gonxhe Bojaxhiu, u bë nënë, Nënë Tereza, apo siç u njoh si Tereza e Kalkutës. Në të gjallë, atë e nderoi pothuajse e gjithë bota. Më 1979 ajo u laureua me Çmimin “Nobel” për Paqe, kurse më 1985, Presidenti amerikan Ronald Regan i dha asaj Medaljen Presidenciale të Lirisë, përveç shumë diplomash e titujsh nderi që iu dhanë nga shumë vende të botës anembanë. Në kohë aq të vështira, ajo arriti të gjente mundësitë për të vizituar Kosovën dhe Shqipërinë, tokën e saj të lindjes dhe të të parëve të saj. Pas vdekjes, ajo u shenjtërua nga Kisha Katolike Romane dhe kështu Tereza e Kalutës u bë Shën Tereza. Gonxhja e kishte ruajtur shqipen e saj të fëmijërisë, që mbase ishte gjuha e lutjeve të saj më personale dhe më të thella drejtuar Zotit.

E bëra këtë udhë disi paksa të gjatë nëpër këto të dhëna biografike të Nënë Terezës, për të ardhur te thelbi i fjalimit tim të shkurtër, e që është: shembulli që japim me veprën dhe jetën tonë çdo ditë secili prej nesh për gjithë të tjerët. Personi Anjeze Gonxhe Bojaxhiu vdiq 87 vjeçare, më 5 shtator 1997, por figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre.

Duke uruar që aktivitetet e këtij manifestimi të shkojnë mirë dhe mbarë si këtu në Prishtinë, ashtu edhe në Shkup e në Tiranë, shpresoj që “Drita e Gonxhes” të përhapë dritë nga shembulli që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza dha me jetën e saj për njerëzoren e secilit ndër ne.

Ju faleminderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat