​Mbrojtja: Dëshmitarët do të tregojnë që nuk e kanë parë Pjetër Shalën në fabrikën e metalit

Aktuale

​Mbrojtja: Dëshmitarët do të tregojnë që nuk e kanë parë Pjetër Shalën në fabrikën e metalit

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 14:31
Pamje nga seanca

Mbrojtja e Pjetër Shalës ka deklaruar se do të sjell dëshmitarë të cilët do të tregojnë se i akuzuari nuk ishte në Kukës siç pretendon Zyrës e Prokurorit të Specializuar, në periudhën që përfshinë aktakuza. Në konferencën përgatitore për mbrojtjen, avokatët kanë thënë se dëshmitarët do të bëjnë të ditur se Shala nuk ka qenë pjesë e Brigadës 128 dhe se nuk ka pasur asnjë rol në fabrikën e metalit, ku ZPS pretendon se janë mbajtur e keqtrajtuar njerëz.

Por për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, shumë dëshmitarë të mbrojtjes janë të parëndësishëm.

Derisa prokurori Filippo De Minicis ka treguar pse kundërshtojnë disa nga dëshmitarët, seanca është transmetuar me përmbajtje të redaktuar.

“Jemi të çuditur si mund të jetë ky një dëshmitar i cili do të mbështesë argumentet e mbrojtjes. Kundërshtimi lidhur edhe me tre ndërkombëtarët e propozuar nga pala mbrojtëse, që kanë kërkuar edhe të përmirësojnë listën e provave materiale nuk është i qartë për ne. Një nga këto prova materiale përmenden dy dëshmitarë që ZPS pretendon që janë ndaluar në Kukës”, ka thënë prokurori.

Ndërsa mbrojtja e Pjetër Shalës ka deklaruar se do të sjellin njerëz nga Brigada 128, ndër të tjera, për të dëshmuar që Shala nuk ka pasur marrëveshje me individë për të kryer vepra penale.

“Dëgjuam kolegët e ZPS-që janë të çuditur nga informacioni i paktë, ne po ashtu ishim të hutuar nga informacioni i paktë që na kanë paraqitur ata gjatë argumenteve të tyre, ne u përpoqëm ta trajtojmë situatën në bazë të asaj. Zoti Shala ishte akuzuar se ishte pjesë e Brigadës 128, ne po sjellim njerëz për të treguar qe zoti Shala nuk ka qenë në brigadën 128, ne po sjellim njerëz që të thonë që nuk e kanë parë zotin Shala atje, ne po përpiqemi të luftojmë kundër argumenteve që zoti Shala ka qenë atje apo që ka pasur ndonjë rol në fabrikën e metalit në Kukës, apo që ka qenë në marrëveshje me individë të tjerë për të kryer vepra penale, dhe kjo është arsye pse po sjellim njerëz nga brigada 128 për të provuar këtë”, ka thënë ai.

Avokati ka thënë se të gjithë dëshmitarët që mbrojtja po kërkon t’i sjellë për të dhënë dëshmi kanë rëndësi për këtë proces gjyqësor.

“Shumica e dëshmitarëve janë dëshmitarë të marrë në pyetje nga ZPS dhe prandaj po kërkojmë që të vinë këtu për të dhënë dëshmi që të dalë e vërteta. Duam të tregojmë që ka ekzistuar ky informacion kur kanë formuluar aktakuzën ZPS dhe kjo është me vlerë shumë të madhe për këtë çështje, bëhet fjalë për një individ që ka qenë atje i cili ka thënë që ka qenë gjatë gjithë kohës deri në çlirim dhe do të shpjegojë se kush ka qenë kjo brigadën, kush ishin njerëzit që kanë qenë aty, ky është në listën tonë numri 3. Pika tjetër e rëndësishme është dëshmitarët që janë tërhequr nga ZPS, ekziston një person i cili ka pasur filmim mbi ngjarjet që kanë ndodhur në atë kohë dhe ne po kërkojmë që të vijë ai për të dhënë dëshmi. Dhe ka qenë një person që ka qenë atje gjithë kohës, e ka takuar zotin Shala dhe do të shpjegojë në cilin kontekst, kur e ka parë, dhe kur e ka parë herën tjetër. Dhe këta janë të gjithë me vlerë shumë të madhe”, ka thënë ai.

Kundërshtimit të ZPS-së lidhur me dëshmitarët i është përgjigjur edhe avokati kryesor i Shalës, Jean-Louis Gilissen.

“Unë pyes vetën çfarë po ndodh, pse, nga çfarë kanë frikë, që të dëgjojnë disa njerëz, ne e dimë që ata janë persona që kanë qenë pjesë e brigadës, që kanë qenë në listën e UÇK-së, çfarë, ZPS ka frikë t’i dërgojë këta njerëz, ka frikë nga realiteti, kjo është pyetja”, ka thënë Gilisen”, ka thënë ai.

Gjatë kësaj konference, mbrojtja e Pjetër Shalës ka folur edhe për frikësimin apo hezitimin e disa personave për të biseduar me avokatët lidhur me çështjen për të cilën akuzohet ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas mbrojtjes, shumë takime janë zhvilluar infromale, sepse kjo ka qenë mënyra e vetme për të biseduar me persona të caktuar.

Mbrojtja ka deklaruar se kanë bërë një përmbledhje pas takimeve që kanë zhvilluar me njerëz të ndryshëm.

“Një prej vështirësive është se ne nuk jemi gjykatës, nuk jemi prokurorë, nuk kemi polici dhe për këta persona në Kosovë kjo është shumë e rëndësishme, janë shumë hezitues, edhe në rastet kur pranojnë të merren me ne, ndjehen të lirë, ndodh që bëjmë një takim e nuk vinë, kemi takime të programuara por nuk vinë. Herën e fundit ishim në Prishtinë për të takuar një person të caktuar dhe ditën kur shkuam na tha kam dasmë, ne thamë çfarë dasme ne kemi takim, tha është dasma e vajzës time, ne thamë ju e dini këtë gjë, pra këto janë lloje të vështirësive me të cilat jemi përballur, jemi përpjekur maksimalisht, me gjithë mend, ata kanë frikë qartësisht, nuk janë të bindur që të bashkëpunojnë, pra është një punë që kërkon shumë diplomaci, është shumë vështirë. Jemi përpjekur me dëshmitarët në grupin e parë që t’i kemi, do të përpiqemi shumë e vështirë, është shumë e vështirë, nuk kemi zgjedhur ne kështu pro është shumë e vështirë”, tha Gilisen.

Derisa ka kërkuar që trupi gjykues të aprovojë kërkesën e tyre për të thirrur dëshmitarët, mbrojtja gjithashtu ka bërë të ditur se kanë kontaktuar edhe me disa ekspertë për t’u marrë me disa prej dëshmive të paraqitura nga viktimat e pretenduara.

Mbrojtja ka thënë se po përpiqen të takohen edhe me katër dëshmitarë derisa ka shtuar se hapat përfundimtar të hetimeve nuk do të çojnë në vonesa të procesit gjyqësor dhe paraqitjes së provave.

Ndërsa në përfundim të seancës, kryegjykatësja Mappie Veldt Foglia ka bërë të ditur se në seancën që do të mbahet nesër do të lëshojë disa urdhra.

Pjetër Shala ka marrë pjesë në këtë konferencë përmes videolidhjes nga qendra e paraburgimit në Hagë ku po qëndron prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat