Murati: Sistemi i kapur i drejtësisë po i lufton ministrat e Kurtit me spektakle nga asgjëja

Aktuale

Murati: Sistemi i kapur i drejtësisë po i lufton ministrat e Kurtit me spektakle nga asgjëja

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 12:58
Ministri i Financave, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Prokuroria Speciale nuk e ka mision luftimin e krimit, por mbrojtjen e “kastës së vjetër kriminale”.

Sipas tij, sistemi “i kapur” i drejtësisë po i lufton ministrat e Qeverisë Kurti.

 Postimi i plotë:

Ish ministri i MTI gjatë Qeverisë Hoti, Vesel Krasniqi nga Nisma, paska qenë mbrëmë musafir në një intervistë gjatë lajmeve të mbrëmjes për të diskutuar për rezervën shtetërore.

Ky status është paksa i gjatë, por keni durim dhe lexojeni deri në fund.

Në fund të vitit 2020, Nja 10 ditë pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur Qeverinë Hoti të paligjshme, Vesel Krasniqi duke u bazuar në një udhëzim administrativ poashtu të paligjshëm, kishte marrë vendim për caktimin e një operatori ekonomik “për shenjimin e naftës”.

Vendimi ishte marrë me 30 dhjetor, një natë para natës së Vitit të Ri.

Kujtojeni që edhe vendimi për shpronësimin e famshëm të rrugës Kijevë-Zahaq nga Qeveria Haradinaj ishte marrë me 31 dhjetor 2019, që poashtu ishte qeveri në ikje dhe e dorëhequr.

Megjithatë, shkojmë me 14 janar 2021, pra dy javë më vonë, Vesel Krasniqi nënshkruan kontratë 5-vjeçare me të njëjtën kompani, për t’i dhënë kompanisë monopol në shënjimin e naftës.

Pra e njejta kastë politike që kishte krijuar monopolin e homologimit, po krijonte edhe një monopol tjetër në tregun e naftës, që do të ngarkonte qytetarët me barrë shtesë financiare, për çdo litër naftë që blejnë.

Kujtojeni se si po kjo kastë që krijonte monopole zhvatëse, kur ne e bëmë Ligjin për Çmimet Tavan për të bërë çmimin e bukës më të përballueshëm, e çuan ligjin në Gjykatë Kushtetuese.

Sidoqoftë, me të marrë mandatin Qeveria Kurti, me datë 3 maj 2021, Ministria që drejton Rozeta Hajdari kishte dorëzuar kallëzim penal për këtë rast në Prokurorinë Speciale.

A e dini se çka ka bërë Prokuroria Speciale që nga ajo ditë e deri më sot, për më shumë se dy vite?

Asgjë.

Me sa kuptova, i ngarkuar me këtë rast qenka prokurori Milot Krasniqi.

Pra përkundër faktit që kallëzimi penal përmbante të gjitha dëshmitë e nevojshme për të ngritur aktakuzë ndaj Vesel Krasniqit, Prokuroria Speciale nuk bëri asnjë hap deri më sot.

Sepse luftimi i krimit e korrupsionit me sa shihet nuk është misioni i tyre, por mbrojtja e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet.

E për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po luftojnë me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjnë spektakle nga asgjëja.

Po të kishte prokurori e gjyqësor që njëmend ka mision luftimin e krimit, Vesel Krasniqi do duhej të jepte llogari për shkeljet që ka bërë.

Por ja që Veseli ftohet për intervistë, në media e jo në prokurori. Ndërsa prokuroria bën spektakël në vend se spektaklin t’ia lërë medias.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat