Gërmimet në parkun arkeologjik ‘Ulpiana’, Kurti takon ekipin udhëheqës

Aktuale

Gërmimet në parkun arkeologjik ‘Ulpiana’, Kurti takon ekipin udhëheqës

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 15:41
Foto nga takimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe këshilltarja e ministrit, Nora Arapi Krasniqi, ka pritur në takim ekipin udhëheqës të gërmimeve në lokalitetin arkeologjik "Ulpiana", në përbërje të Christophe Goddard nga Universitetit "Ecole Normale Supérieure" në Paris, Arben Hajdari, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe arkeolog, dhe Milot Berisha, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës.

Kryeministri Kurti falënderoi për punën dhe përkushtimin në projektin “Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana” që po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Universitetit të Prishtinës dhe atij francez, “Ecole Normale Supérieure”, ndërsa u informua për punën e deritanishme dhe zbulimin e fundit me rëndësi historike në këtë lokalitet.

“Në takim u theksua se mbishkrimi monumental paraqet një dëshmi shumë të rrallë, një dedikim perandorak nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s) dhe kishës së tij. Zbulimi dëshmon afërsinë e perandorit me provincën e origjinës, ndërkaq Kisha paraqet një strukturë arkitektonike të klasit botëror sikurse ndërtimet e S. Sophia në Konstandinopojë dhe S.Vitale në Ravenë. Kjo kishë po ashtu paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm”, citohet në komunikatë Kurti.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, projekti "Gërmimet në lokalitetin arkeologjik Ulpiana" po realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional në mes të Ministrisë dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, Universitetit të Prishtinës - Fakultetit Filozofik, Departamenti i Antropologjisë, dhe Universitetit në Paris, “Ecole Normale Supérieure”.

Në korrik të vitit të kaluar ishte nënshkruar vazhdimi i marrëveshjes fillestare të bashkëpunimit nga viti 2017. Projekti ka një shtrirje kohore tre vjeçare dhe buron nga ligji për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare për IPA 2020 në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, dhe financohet nga fondet IPA II të Bashkimit Evropian në vlerë prej 1 milion euro”, thuhet në njoftim.

Përmes tij është siguruar mbështetje teknike, shkencore dhe financiare për zhvillim të lokaliteti Arkeologjik Ulpiana si aset me vlera të rëndësishme historike, artistike, shkencore dhe ekonomike.

Në fund të komunikatës thuhet se përpos mbështetjes teknike dhe shkencore, ky bashkëpunim ndikon në ngritje të kapaciteteve profesionale shkencore, përmes programit të shkëmbimit të studiuesve, profesorëve, arkeologëve dhe studentëve, dhe trajnimeve të përbashkëta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat