​Xheladini kërkon ndihmë nga Osmani për projektet e Dragashit

Aktuale

​Xheladini kërkon ndihmë nga Osmani për projektet e Dragashit

Më: 15 gusht 2023 Në ora: 13:41
Presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar në komunën e Dragashit, ku është pritur nga kryetari Bexhet Xheladini

Presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar në komunën e Dragashit, ku është pritur nga kryetari Bexhet Xheladini. Me këtë rast, Osmani iu është drejtuar edhe këshilltarëve lokalë në Asamblenë komunale me një fjalim duke kërkuar angazhim mbi partiak për të zhvilluar Dragashin.

Në fjalën e tij, kryetari i Dragashi, Bexhet Xheladini, tha se i kërkoi Osmanit që të shfrytëzonte autoritetin e saj për të çuar përpara disa projekte të cilat janë jetike për qytetarët e kësaj komune.

“Kërkesa e parë ka qenë granti i katërt i financimit të komunave, nuk është vetëm kërkesë e komunës sonë, por edhe kërkesë edhe e të gjitha komunave të tjera, ky grant do t'i barazojë komunat e Kosovës sa i përket financimit. Gjithashtu ju e dini se ne kemi një projekt shumë madhor, projektin e ujësjellësit, të cilin projekt ne kemi filluar dhe i cili do të kushtojë mbi 4 milionë euro dhe me buxhetin tonë këtë projekt nuk do ta mund të përfundojmë dhe kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe kërkojmë që presidentja jonë të ndikojë që edhe Qeveria të subvencionojë këtë projekt. Gjithashtu, e përmenda parkun nacional i cili është bërë pengesë për zhvillimin ekonomik të komunës, problemi me AKP që 15 vite që jemi në gjykatë dhe që lënda është në gjykatë dhe pret epilogun e saj... Gjithashtu presidentes ai përmenda edhe rrugën e Brodit e cila që 3 vite e ka bllokuar qarkullimin e njerëzve, të mallrave, pasurisë dhe zhvillimin e turizmit në atë pjesë dhe kompanisë qendrës turistike ‘Arxhena’ i ka shkaktuar humbje të mëdha.

Xheladini gjithashtu ka përmendur problemet me energjinë elektrike, subvencionimin e fermerëve, si dhe integrimin e komuniteteve pakicë.

Po ashtu, kryetari i Dragashi kërkoi nga presidentja Osmani që ndikojë te homologu i saj maqedonas dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut për të përfunduar rrugën që lidh Dragashin me Mavrovën. Sipas tij, ata e kanë asfaltuar pjesën e tyre të rrugës së gjatë 22 kilometra ndërsa ka mbetur pa përfunduar pjesa nga ana maqedonase.

“Siç e dini komuna e ka bo asfaltimin e rrugës që lidh komunën tonë me atë të Mavrovës në Republikën e Maqedonisë (së Veriut) është një rrugë gjatësi 22 kilometra na kemi bo asfaltimin e saj dhe presim që presidentja së bashku me presidentin e Maqedonisë (së Veriut) dhe Qeverinë e Maqedonisë (së Veriut) të bëjnë përpjekje që edhe Republika e Maqedonisë (së Veriut) të bëjë asfaltimin e pjesës së mbetur të rrugës në komunën e Mavrovës”, tha ai.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani tha se Dragashi është një dëshmi e fuqisë që e ka bashkëjetesën në diversitet. Sipas saj, pikërisht ky diversitet ka potencial që të jetë forca më e madhe në rrugën drejt zhvillimit të gjithmbarshëm të komunës së Dragashit.

Ajo u shpreh se Dragashi është një ndër komunat me potencialin më të madh të zhvillimit, porse sipas Osmanit, zhvillimi duhet të prek të gjithë sektorët dhe për secilin qytetar.

“Ky zhvillim duhet ti përfshijë të gjithë pa dallim, në çdo çep të komunës suaj, kjo përfshin edhe investimin në arsim në mënyrë që mos të shkojë duke u zvogëluar numri i fëmijëve të cilët e përcjellin arsimin por duke u rritur, përfshinë dhe kujdesin shëndetësor në mënyrë që edhe përtej hapave shumë pozitivë që tashmë janë bërë nëpërmjet mjekëve specialistë që janë prezentë në sistemin shëndetësor të rritet kujdesi shëndetësor për të gjithë qytetarët e Dragashi, e po ashtu investime në infrastrukturë të cilat përtej pengesave të tjera edhe i pengojnë njerëzit që të kenë komunikimin e rregullt por edhe të shijojnë bukuritë magjepse që i ofron kjo komunë e mbi të gjitha siç e thash të krijojnë mundësi ekonomike dhe zhvillim ekonomik i cili prek çdo cep të komunës dhe përmirëson jetën e secilit qytetar”, tha Osmani.

Presidentja Osmani tha se të gjitha kërkesat që i mori në Dragash do t’ia përcjellë edhe Qeverisë së Kosovës, por kërkoi nga këshilltarët komunalë në Dragash që të punojnë së bashku si ekip.

“Për të arritur këto objektiva fisnike, siç jemi ngritur mbi dallimet etnike, duhet të ngrihemi edhe mbi dallimet partiake e të punojmë si një ekip. Puna juaj është e ndërthurur me sfidat me të cilat përballeni dhe të cilat mund të kapërcehen vetëm me një unitet dhe angazhim të përbashkët për përmirësimin e jetës në komunën tuaj. Si anëtar të kuvendit komunal, roli juaj është thelbësor pavarësisht cilës parti apo cilit komunitet i takoni, juve ju është besuar përgjegjësia për ti miratuar politikat të cilat e promovojnë zhvillimin e kësaj komune sepse potenciali i komunës është i pakufishëm dhe duke e ditur konfiguracionin gjeografik të Dragashit”, deklaroi Osmani.

Osmani tha se Dragashi ka mundësi të jashtëzakonshme për turizëm prandaj duhet të përfundojnë të gjitha projektet e lëna në mes. Sipas saj, si zonë kufitare, Dragashi duhet të orientohet edhe në projektet ndërkufitare që do të nxisnin edhe më shumë bashkëpunimin rajonal.

Në fund, kryetari i Dragashit, Xheladini, i dhuroi disa dhurata presidentes Osmani, përfshirë edhe mjaltin bio.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat