Çitaku: PDK po punon për zgjedhje të parakohshme

Aktuale

Çitaku: PDK po punon për zgjedhje të parakohshme

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 23:21
Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Vlora Çitaku, ka adresuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës, duke konsideruar se nuk po punon në interesin e qytetarëve.

Çitaku sonte ka folur edhe për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, dhe mundësinë e dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri, ku dy nga kryetarët janë nga PDK.

Partia opozitare kritikoi edhe zotimet që Kosova i mori nga Bratislava, rreth vendimeve për de-përshkallëzim të situatës në veri.

Kurse për mundësinë që të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, Çitaku tha se PDK po punon në këtë drejtim. “Do të punojmë që të kemi zgjedhje të parakohshme , tha Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së tha se qeveria kohëve të fundit është shndërruar në një “album skandalesh”.

“Çfarë kemi parë javëve të fundit është një shpalosje e përditshme e skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Skandali po e zë skandalin dhe nuk po arrijmë që të ta shtjellojmë deri në fund asnjë nga temat e shpërfaqura. E vetmja gjë që po pasurohet në Kosovë për tre vite qeverisje të kryeministrit Kurti është albumi i skandaleve”, tha ajo.

Çitaku përmendi edhe rastet e fundit të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësuesit e Listës Serbe.

“Eksponentët e LVV-së kanë thënë se në asnjë rrethanë nuk bashkëpunojnë me Listën Serbe. Dhe çfarë u pa nga përgjimet që dolën nga biseda mes shefes së Grupit Parlamentar të VV-së dhe nënkryetarit të Listës Serbe, ishte që jo vetëm që ka koordinim me Listën Serbe, por ka koordinim edhe me Radojçiqin, me një kriminel në kërkim nga institucionet e Kosovës për vrasje”, tha ajo.

Sipas saj, edhe nëse Kusari-Lilës i është lëshuar telefoni në interfon, Çitaku thotë se ajo “menjëherë është dashur të lajmërojë Prokurorinë”.

“Mirëpo çfarë u kuptua kohëve të fundit është që ajo ka pasur koordinime të vazhdueshme me Radojçiqin”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat