Kica-Xhelili i drejtohet Kurtit: Këto janë dy arsyet që nuk e dini se si po funksionon drejtësia

Aktuale

Kica-Xhelili i drejtohet Kurtit: Këto janë dy arsyet që nuk e dini se si po funksionon drejtësia

Më: 9 gusht 2023 Në ora: 13:15
Doarsa Kica-Xhelili dhe Albin Kurti

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili përmes një postimi publik, i është drejtuar kryeministrit Kurti, duke thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka të qartë se si funksionon sistemi i drejtësisë.

“Kyeministër Kurti – për hir të viktimave e të lënduarve nga sistemi i drejtësisë keqas, para jush fshehtas e me ju haptas, kur flisni për

VETINGUN, tregoni si JU e hodhët në baltë”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Shkrimi i plotë:

Kyeministër Kurti – për hir të viktimave e të lënduarve nga sistemi i drejtësisë keqas, para jush fshehtas e me ju haptas, kur flisni për VETINGUN, tregoni si JU e hodhët në baltë.Deklarimi i sotëm i kryeministrit Kurti lidhur me sistemin e drejtësisë dhe Vetingun e konfirmon atë që po e them tashmë një kohë të gjatë.

Kjo Qeveri nuk e ka të qartë as si funksionon drejtësia, as nuk e ka për qëllim reformimin demokratik të saj.Këtë po e them veçanërisht për dy arsye:

Arsya e parë: Procesi i Vetingut ka qenë nismë e kahmotshme politike që nuk u jetësua kurrë, e që thënë të vërtetën, as nuk u pat inicuar nga VV por Ldk, e u kapitalizua më pas si nismë e VV-së. Sot ka pak rëndësi kush e inicoi. Rëndësi ka kush e dështoi si ide fillestare, dhe përgjegjësia këtu bie mbi Qeverinë e sotme.Vetingu ka qenë (dhe vazhdon të jetë për aq sa ka kapacitet) një ndër prioritetet e mia profesionale politike. Përgjatë vitit të parë si deputete, kam insistuar me gjithë qenien (dhe për këtë kam dëshmi), që Vetingu të inicohej si reformë e parë, t’i ipej prioritet, e vetëm pas konfirmimit që i kemi forcuar themelet e fuqishme Vetingut, të vazhdohej me nismat tjera. Shkurt e shqip, ta vendosnim gurin para rërës.

Nuk u pajtuan me mua. Nuk konsideruan që Vetingu të jetë prioritet mbi prioritetet.Çka bënë në vend të kësaj? Vendosën që t’i nisin tre reforma paralele: Ristrukturimin e Këshillit Prokurorial – të parin; Vetingun e Byronë më pas, gati në të njëjtën kohë. Që të trija, gati si kallëp, ja dërguan Komisionit të Venecias për shqyrtim.

Tash – kushdo që e kupton si funksionon drejtësia, dhe me këtë Komisioni i Venecias, e kupton që interpretimi i ligjeve dhe nismave nuk bëhet strikt literalisht si krahasim i përputshmërisë me Konventat dhe praktikën ndërkombëtare, por e përmban edhe segmentin e analizës së proporcionalitetit: që i bie, merr parasysh edhe kontekstin shoqëror të vendit që e inicon nismën, qëllimin mbi mjetet.

Si rezultat, kur këto tre nisma gati paralelisht, i shkuan Venecias për konfirmim, dhe e para KPK-ja, Venecia në analizën e saj proporcionale nuk e aprovoi asnjërën nismë si tërësi. E nisma që u “amputua” më së shumti, ishte Vetingu.Kush do, mund të gjej pretekst se kjo është supozim e jo fakt, por kush do të jetë objektiv dhe e kupton si funksionojnë këto gjëra, e kupton që si probabilitet, gjasat e këtij konstatimi janë maksimale.

Për ta përmbledhur, duke mos e prioritizuar Vetingun për rëndësinë që kishte, e rrezikuan deri në dështim. Dhe pse është dështim, e sqaroj te arsya e dytë.

Arsya e dytë: Me “amputimin” që iu bë Vetingut, sot është vështirë që ky proces të quhet më i tillë, sepse mashtron qytetarët në idenë që kur flasim sot për Veting, flasim për Vetingun e fjalëve të fushatës 2021. E vërteta është dhimbshëm tjetër. Vetingu sot nuk është as 5% i idesë fillestare. Vetingu për të cilin flasin sot nuk është gjithpërfshirës por do t’i përfshijë vetëm këshillat (rreth 30 veta), dhe nuk e analizon aspak performancën. PERFORMANCA RA!Këtu e kam sidomos problemin me deklarimin e kryeministrit Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Ai fliste për lëndët që kthehen në rigjykim, recedivizmin, e si zgjidhje e përmendi Vetingun (e këshillave).

Si, kryeministër? Si saktësisht, analizoma të lutem, vetimi i limituar te anëtarët e këshillave, do të ndikoj që lëndët të mos kthehen më njësoj në rigjykim? Si? Si do të guxojnë sipas jush, më pas, anëtarët e këshillave të ndërhyjnë në kapacitetin diskrecional të gjyqtarëve të apelit në vendosjen rreth kthimit në rigjykim apo vendosjes vet për ato lëndë? Si, kur performancën tanimë e eliminuat, pikërisht të atyre gjyqtarëve e prokurorëve? Dhe më besoni, dhimbja më e madhe përtej qytetarëve vlen për ata gjyqtarë e prokurorë të denjë që ju i nëpërkëmbni e që janë paguesit kryesor të mosbesimit në drejtësi për faj të kolegëve të tyre.Andaj, si, kryeministër?

Si do ta konfirmosh se disi filtrimi i anëtarëve të këshillave – pa ASNJË analizë të performancës sikurse e synonte Vetingu fillestar që NUK po bëhet shkaku juaj – disi do të ndikojë cilësinë dhe efikasitetin e lëndëve?Unë jam në grup punues për Veting, dhe ne po merremi me MBETJE të procesit. Literalisht, MBETJE. Po mundohemi të nxjerrim diçka nga asgjëja e mbetur. Nga asgjëja që e sollët ju, sepse nuk ishte e tillë.

Andaj, të lutem, ma sqaro, a e ke idenë çka i keni bërë këtij procesi?A e ke idenë që e keni djegur këtë kartë aq keq sa nuk di nëse do të ishte e mundur ta digjnit aq keq edhe po ta planifikonit?

Me çfarë të drejte sot përmend emra viktimash e emra kriminelësh kur PERSONALISHT dhe si GRUP, e dorëzuat Vetingun për hir të prioriteteve tjera që ju kishit? Që të kapnit vet KPK-në, e vet kryeprokurorin.Vetingu për ju ishte i rëndësishëm vetëm në fushatë. Në pushtet, Vetingun ia dorëzuar lakmisë për të kapur drejtësinë haptas. Nuk dalloni asgjë nga individë në të kaluarën që pushteti ia verbëroi idealin për drejtësi. Absolutisht asgjë! Por, keni përgjegjësi për shpresën që e falët dhe e nëpërkëmbët në brutalitet. Keni përgjegjësi për lëndimin sistematik e të përditshëm të demokracisë tonë. Kaq bëtë ju!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat