Dy ditë nga përleshja e armatosur në “Bon Vivant”, në arrati vazhdon të jetë i dyshuari “Duka”

Aktuale

Dy ditë nga përleshja e armatosur në “Bon Vivant”, në arrati vazhdon të jetë i dyshuari “Duka”

Më: 7 gusht 2023 Në ora: 09:07
Dukagjin Nikollaj

Dy ditë pas përleshjes së armatosur në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, në arrati vazhdon të jetë personi që u përfshi në ngjarje Dukagjin Nikollaj i njohur me nofkën “Duka”.

Përpos rastit në “Bon Vivant”, Dukagjin Nikollaj po kërkohet edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh.

Bazuar në fletëkërkimin e FBI-së, bëhet e ditur se 40-vjeçari ishte i përfshirë në trafikim të marihuanës në periudhën e viteve 2003-2007.

Në konfliktin e së premtes humbi jetën një 39 vjeçar, u plagosën gjashtë persona si dhe u lënduan 13 persona.

Lidhur me rastin, Gjykata Themelore e Prishtinës iu ka caktuar nga një muaj paraburgim A.P për “Vrasje të rëndë” dhe H.G dhe G.Z për “pjesëmarrje në rrahje”, për rastin e vrasjes dhe plagosjeve të premtën mbrëma në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

Ndërkaq, në Klinikën e Ortopedisë po vazhdon trajtimi i personave që u lënduan ditën e premte. Drejtori i Klinikës, Gani Jashanica ka thënë për Telegrafin se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë.

Ai ka bërë të ditur se vajza e cila ka mbetur e plagosur në këtë rast, ka ende plumbin afër shtyllës kurrizore.

“Gjendja është e mirë, kemi pasur pesë pacientë, katër meshkuj dhe një vajzë. Dy nga të lënduarit janë liruar, njëri ka pasur plumbin dhe i është larguar, ndërsa tjetri ka pasur dorën e thyer. Kurse vajza e cila është duke u trajtuar ka plumbin afër shtyllës kurrizore, nuk janë në rrezik për jetë”, ka pohuar ai.

Për ngjarjen tragjike që ndodhi ditën e shtunë ka pasur reagime të shumta, ku edhe u kërkua krijimi i Policisë së Kryeqytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat