Propozimi i fundit i Sveçlës pas sulmit në “Bon Vivant”, komentohet nga juristët – ja çka kërkojnë!

Aktuale

Propozimi i fundit i Sveçlës pas sulmit në “Bon Vivant”, komentohet nga juristët – ja çka kërkojnë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 gusht 2023 Në ora: 20:00
Foto nga vendngjarja

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të shtunën se do të krijohet një task-forcë e re për hetimin e krimeve të rënda, pas vrasjes së një personi dhe plagosjes së disa të tjerëve më 4 gusht në qendër të Prishtinës.

Një 39-vjeçar mbeti i vdekur dhe 17 persona u lënduan gjatë një përleshjeje me armë zjarri në qendër të Prishtinës të premten pak para mesnatës.

“Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të iniciojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme”, shkroi Sveçla në një reagim në Facebook më 5 gusht.

Incidenti i 4 gushtit ndodhi në lokalin “Bon Vivant” në qendër të kryeqytetit, dhe sipas policisë, erdhi pas një mosmarrëveshjeje mes disa burrave.

Svelça njoftoi se “palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale”, duke e fajësuar sistemin e drejtësisë se po i lë të lirë të dyshuarit për vepra të rënda.

Kelmendi: Organet e rendit dhe të sigurisë në Kosovë kërkohet të paguhen mirë dhe të jenë të siguruar

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Së pari, ai vlerësoi se ka mjaftë organe për luftimin e krimeve, por kërkoi që të ketë mobilizim më të madh dhe rritje të pagave për pjesëtaret e tyre.

Organe për luftimin e krimeve të ndryshme, qoftë edhe të rënda, ka mjaftë. Ato duhet të mobilizohen, të pajisen me mjete adekuate dhe të paguhen mirë e sipas rreziqeve, gjendjes ekonomike dhe punës, ku ka pagesa adekuate ka edhe pjesëtarë dhe organe të suksesshme.

Me atë ngritet mundësia për të luftuar më me sukses kundër dukurive kriminale dhe të rwnda antiligjore në vend”, deklaroi juristi.

Krahas kësaj, Kelmendi nuk kundërshtoi krijimin e një task-force të re, pasi nuk e pengon sistemi dhe në këtë mënyrë mund të luftohen më shumë krimet e rënda.

“Mirëpo, nuk është e gabueshme, nëse krijohet edhe një task-forcë e re dhe që merret kryesisht me krimet e rënda. Kjo nuk e pengon sistemin. Kështu rritet edhe më shumë mundësia që të luftohen krimet e rënda. Por, edhe këtu mbetet mjetet e punës dhe pagesa e të ardhurave për pjesëtarët. Ndoshta më mirë është që organet aktuale në Kosovë të kenë pagesa adekuate dhe mjete të nevojshme për punë”, theksoi ai.

Ndër të tjera, juristi, përmendi disa elemente që e bëjnë një bazament të suksesshëm të punës.

“Ku ka mjete dhe pagesë që siguron jetën, sikurse sigurimi shëndetësor gjatë punës, dhe pas jetës, edhe sigurime pensionale, lufta kundër krimit të rëndë do të ishte më e ashpër.

Nuk ka rëndësi numri dhe organet që merren me dukuritë e tilla. Rëndësia qëndron te vullneti dhe dëshira e organeve për të vepruar.

Bazament i punës së suksesshme janë sigurimet adekuate shëndetësore e pensionale, mjetet sikurse edhe të ardhurat personale. Mbi këtë ndërtohet profesionalizmi”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Duhet polici me profil të specializuar

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, juristi tjetër Blerim Burjani nuk e sheh të nevojshme krijimin e një task-force të re.

Këtë e potencoi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ku tha se ka nevojë për profilizim të specializuar të policisë.

“Jo nuk ka nevojë për task forcë, shumë mirë do të themelohet policia e kryeqytetit, ku do të përbëhej prej disa njësive të specializuara policore, kjo do të ndihmonte zbardhjen e organizatave kriminale dhe personave të involvuar në krime ekonomike, dhe prostitucion, dhe krime të rënda, pra polici me profil të specializuar” deklaroi Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat