Seanca e grushteve, Musliu: U nxit nga Besnik Bislimi, Mergim Lushtaku e mbrojti Albulena Haxhiun nga turma e LVV-së

Aktuale

Seanca e grushteve, Musliu: U nxit nga Besnik Bislimi, Mergim Lushtaku e mbrojti Albulena Haxhiun nga turma e LVV-së

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 16:48
Ganimete Musliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ka treguar edhe njëherë kronologjinë e seancës së Kuvendit të 13 korrikut 2023, ku pati përleshje fizike mes deputetëve dhe disa prej ministrave.

Musliu ka thënë se është e vërtetë qe në histori të Kuvendit nuk mbahet mend kur qeveria grushton deputetët.

“Është e vërtetë që nuk mbahet mend në historinë e Kuvendit të Kosovës por mund të them ndoshta edhe në parlamentet demokratike, kur qeveria grushton deputetët. Në në seancën e 13 korrikut e kemi një precedent të rrezikshëm ku zëvendëskryeministri Besnik Bislimi grushton deputetët në mënyrën më makabre të mundshme”, ka thënë Musliu.

Ajo më tej shton se mllefi që shihet në fytyrën e Bislimit gjatë goditjes që i bënë me shishe deputetit Mergim Lushtaku, “tregon saktë dhe qartë se deri në çfarë niveli ka arritur arroganca dhe dhuna e Qeverisë”.

Musliu thekson se dhunë ka pasur edhe më herët në parlament, ku përmend rastin e përleshjes mes Rexhep Selimit dhe Bekim Haxhiut vite më parë. Deputetja përmend edhe rastin e hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës kur ishin në opozitë.

“Dhunë në parlament ka pasur edhe më herët. Kemi pas raste kur janë shty e janë grushtu e godit në mënyra të ndryshme deputetët mes vete. Kemi pas rastin kur janë grushtu Rexhep Selimi dhe Bekim Haxhiu, ka ndodh në holl të Kuvendit e jo në seancë. Nuk është që nuk kemi pa raste dhune. Gazi lotsjellës është sulm për jetë, ai në hapësira të mbyllura është vrasës. Ne jemi me fat që nuk kemi viktima nga dhuna e shkaktuar me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, sepse kemi pasur disa deputet me probleme të rënda shëndetësore”, ka thënë Musliu.

Deputetja Musliu ka hedhur poshtë pretendimet se e gjithë ajo që ndodhi në seancën e 13 korrikut kishte qenë një organizim paraprak nga deputetët e PDK-së.

“Në fillim të seancës kemi vendosur një pankartë që shkruante “Zdravo”, njërën në foltore e tjetrën para ulëses së kryeministrit dhe gjithçka ka qenë heshtje. Në momentin kur unë e kam vendosur fotografinë e Albin Kurtit, e cila e përshkruan më së miri Kurtin dhe gënjeshtrat e tij atëherë për të tregu besnikëri ndaj liderit, qohet zëvendëskryeministri që e luan rolin e truprojës dhe e shqyen fotografinë. Unë isha nis drejt foltores me vendos fotografinë tjetër sepse kisha rezervë, dhe kur e kam parë Mërgimin tek foltorja duke i spërkat me ujë, për mua ka qenë e papritur dhe kjo tregon se ka qenë e pa organizuar. Nuk më dhanë afat me vendos fotografinë tjetër, sepse sulmi kriminal i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi atëherë e ka nxit edhe reagimin e deputetëve të partisë tonë”, tha Musliu.

Madje sipas saj, deputeti Mergim Lushtaku në tërë atë kaos që ishte shkaktuar e kishte mbrojtur ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

“I pari që e nxiti krejt këtë situatë ishte Besnik Bislimi, pastaj kur kthehet Mergim Lushtaku me ju përgjigj Bislimit në reagimin e tij, hidhet Hekurani dhe Albulena Haxhiu. Më vjen shumë mirë nga gjesti i Mergim Lushtakut në gjithë atë tension që e ka pas në mënyrën sesi e mbron Albulenën nga turma e Vetëvendosjes”, tha Musliu.

Ajo shtoi se kjo rrëmujë është bërë për t’i hedhur mjegull qytetarëve për “ikjen e tyre të turpshme nga veriu i Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat