Bashkëshortja e Agim Ramadanit: Nuk është kjo Kosova për të cilën ai ka luftuar

Aktuale

Bashkëshortja e Agim Ramadanit: Nuk është kjo Kosova për të cilën ai ka luftuar

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 08:13
Shukrije Ramadani, gruaja e ish-komandantit, Agim Ramadani

Shukrije Ramadani, gruaja e ish-komandantit, Agim Ramadani,  ka thënë se nuk është kjo Kosova për të cilën Agim Ramadani ka luftuar.

“Fatkeqësisht ende jo. Unë shumë shpresoj që gjeneratat e reja vërtet do ta përjetojnë një Kosovë për të cilën ëndërruam. Por, ëndrrat shpesh s’mund të bëhen realitet, por liria ka ardhur falë gjakut të familjes Jashari, falë gjakut të mijëra Agimëve, të cilët dhanë më të çmuarën e tyre”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se ish-komandanti Agim Ramadani ishte njeri që e donte jetën më së shumti në botë.

“Nëse sot shkel mbi gjakun e tyre edhe harrojmë idealin e tyre, ne kemi harruar ku kemi qenë, ku jemi dhe ku do të shkojmë”, ka thënë tutje ajo, derisa u pyet se nëse po e harrojmë atë, ajo u përgjigj “fatkeqësisht, po”.

“Fatkeqësisht po, atë ditë kur i kam parë në Parlament duke grushtuar njëri-tjetrin, shpirti më ka dhimtë e më ka ardhur të bërtas në kupë të qiellit”, ka shtuar tutje ajo në “Debat Plus”.

Gjersa rrëfen kujtimet me Agimin, bashkëshortja e tij, Shukrije Ramadani, ka treguar se ishte Ukshin Hoti, ai i cili, sipas mendimit të Agimit, do të duhej të ishte prijësi i luftës çlirimtare të Kosovës.

Shukrije Ramadani ka treguar bisedat e saj me bashkëshortin rreth figurave politike të vendit, e ndër të cilat, veçon Ukshin Hotin e ish-presidentin Ibrahim Rugova.

“Agimi ka menduar se Ukshin Hoti duhet të jetë prijësi i luftës çlirimtare. Kjo është arsyeja pse me Xhafën dhe Hoxhën ia nis më herët”, tregon Ramadani. “Ukshin Hoti duhet ta ketë rolin e udhëheqësit, ngase është i aftë në të gjitha aspektet…është njeri që bashkon”.

Për ish-presidentin Ibrahim Rugova, Agim Ramadani, siç tregon bashkëshortja, ishte në “rolin e Gandit”.

“Ngase Rugova e ka zgjedhur durimin, ai duhet t’i përmbahet asaj që para botës të dalë me këtë logo. Që është me rëndësi…ndoshta bota përmes një gandizmi do të na çmojë”, tregon Shukrije Ramadani, gjersa citon bashkëshortin e ndjerë, Agimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat