Kurti: Mbi 5 mijë marrëdhënie pune të ndërmjetësuara me superpunën

Aktuale

Kurti: Mbi 5 mijë marrëdhënie pune të ndërmjetësuara me superpunën

Më: 31 korrik 2023 Në ora: 19:32
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se për shkak të interesimit të vet komunave dhe shkollave, viti shkollor 2023-2024, do të na gjej me 21 shkolla profesionale në 13 komuna, ku do të ofrohen edhe tetë profile shtesë, përfshirë atë si rrobaqepës, automekanik, përpunues i metalit, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregtar me shumicë dhe pakicë, si dhe estetist.

Kurti i bëri këto komente gjatë një bashkëbisedimi me studentë nga instituti veror ‘’Teach for Kosova’’, në hapësirat e Universitetit Amerikan në Kosovë, RIT Kosovo.

Teksa falënderoi për mundësinë e këtij bashkëbisedimi, kryeministri riktheu në kujtesë e me nostalgji kohën kur ka qenë student dhe është marrë me studime aktive.

“Nostalgjia për studime bën që të mos e braktisësh asnjëherë të qenurit student”, tha ai.

Kryeministri Kurti ndau me studentet e pranishëm detaje dhe ndodhi nga angazhimi dhe udhëtimi i tij politik, duke filluar nga aktivizmi studentor.

Sot si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, ai tha se vëren vazhdimisht se sa herë që flasim për arsimin përfundojmë duke folur për ekonominë, së herë flasim për ekonominë përfundojmë duke folur për arsimin, duke theksuar keshtu rëndësinë lidhjes së tregut të punës me arsimimin profesional përmes arsimit dual.

“Arsimi dual sipas modeleve të vendeve gjermano-folëse, në Kosovë ka nisur pilotimin në vitin 2022-2023 në katër shkolla profesionale, në tre komuna, me katër profile: kuzhinier, floktar, kamerier dhe murator. Ndërkaq tani, për shkak të interesimit të vet komunave dhe shkollave, viti shkollor 2023-2024, do të na gjej me 21 shkolla profesionale në 13 komuna ku do të ofrohen edhe tetë profile shtesë, përfshirë atë si rrobaqepës, automekanik, përpunues i metalit, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregtar me shumicë dhe pakicë, dhe estetist”, tha ai.

Kryeministri fokus i dha edhe qeverisjes dyvjeçare. Ai veçoi se gjatë kësaj periudhe Qeveria ka rritur buxhetin për arsim për 26%, teksa arsimin e lartë publik e ka bërë falas, ndërkaq vëmendje të veçantë i ka dhënë vajzave në fushat STEM duke i ofruar mbështetje të madh përmes bursave.

Para studentëve, ai ka folur për angazhimet e shumta të qeverisë me theks të veçantë për platformën e punësimit për të rinjtë e moshës 18-25, Superpuna, e cila që prej lansimit të saj ka rezultuar mjaft e suksesshme me mbi 5 mijë marrëdhënie pune të ndërmjetësuara.

Sipas një komunikate për media, kryeministri iu përgjigj pyetjeve të studentëve të cilët ishin kureshtar për të ditur rreth shumë çështjeve të ndryshme që lidhen me qeverisjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat