E tmerrshme: Hiqet me bager guri përkujtimor i nënës gjakovare që dogji vetën pas varrimit të djemve që ia vranë kriminelët serbë

Aktuale

E tmerrshme: Hiqet me bager guri përkujtimor i nënës gjakovare që dogji vetën pas varrimit të djemve që ia vranë kriminelët serbë

Nga: M.L. Më: 21 korrik 2023 Në ora: 11:12
Foto nga vendngjarja

Shkrimtari Ag Apolloni, ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme është hequr guri përkujtimor i Pashkë Markut, nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë të djegur nga kriminelët serbë. Në një postim në Facebook, Apolloni shkruan se ky veprim është bërë nga pronari i tokës ku ndodhej guri përkujtimor.

Guri përkujtimor i Pashkë Markut (nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë) qenka hequr sot pasdite me bager nga pronari i tokës, Hasan Zenun Bala. Nëna Pashkë është simbol i Kosovës, prandaj heqja e atij guri është një gjest i pamenduar i pronarit. Lus Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës ta mbrojnë këtë simbol, duke e kthyer gurin aty ku ka qenë, në atë arë të Korenicës (Gjakovë)”, shkruan Apolloni.

Po ashtu, ai shprehet se ka dyshime se guri është hequr për arsye fetare, pavarësisht se familja e Pashkës së ndjerë e ka siguruar pronarin se nuk do të ndërtohej kishë afër gurit.

“Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike, se s'i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri. Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë”, thekson ai.

Apolloni ka shtuar se çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur.

“Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare. Ai simbolizon vuajtjen e një nëne shqiptare dhe, njëkohësisht, vuajtjen e një populli, pjesë e të cilit është edhe Hasani që bëri një gjest fisnik kur e lejoi vendosjen e gurit në arën e tij, dhe një gjest të pahijshëm kur e hoqi. Hasan, ne shqiptarët (katolikë dhe myslimanë) ishim viktima, dhe lufta nuk u bë për arsye fetare. Ai gur është pjesë e kujtesës sonë kolektive kombëtare. Ktheje gurin në vend të vet! ©️Ag Apolloni”, përfundon Apolloni.

Postimi i plotë:

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat