MPB-ja takon mërgimtarët në aeroport, iu kërkon të “festojnë me zemër, jo me armë”

Aktuale

MPB-ja takon mërgimtarët në aeroport, iu kërkon të “festojnë me zemër, jo me armë”

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 14:30
Foto nga takimi

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), kanë mbajtur këtë të mërkurë aktivitetin e promovimit të fushatës “Festo me zemër, jo me Armë”, me mërgimtarët që vinin përmes aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Me këtë rast, Koordinatori për Armë të Vogla dhe të Lehta, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, së bashku me një ekip nga Policia e Kosovës dhe zyrtarë të MPB-së, kanë bashkëbiseduar dhe shpërndarë mesazhet kryesore të fushatës për parandalimin e gjuajtjeve festive me mërgimtarët.

Zëvendësministri Gashani ka kërkuar nga mërgimtarët që këtë mesazh për parandalimin e të shtënave festive ta ndajnë dhe me familjarët e tyre në Kosovës, sidomos në ambiente festive ku marrin pjesë për t’i njoftuar qytetarët mbi pasojat që vijnë nga të shtënat gjatë gëzimeve familjare.

“Është e rëndësishme që në ahengjet tuaj të festoni pa të shtëna me armë. E shtëna me armë nuk është traditë, i përket të kaluarës, andaj ju ftojmë që të bashkëpunoni me Policinë e Kosovës, në raste kur jeni ne ambiente ku ka prani, apo të shtëna me armë. Me të gjithë akterët institucional dhe të sigurisë po punojmë ngushtë që të parandalojmë të shtënat festive dhe të rrisim nivelin e sigurisë në vend”, ka deklaruar ndër të tjera zëvendësministri Gashani, njofton MPB-ja.

Ndërsa, mërgimtarët që vinin në Kosovë e mirëpriten nismën e MPB-së për këtë fushatë dhe premtuan që të njëjtat mesazhe t’i ndajnë edhe me familjarët dhe të afërmit e tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme, me 30 qershor filloi zyrtarisht  fushatën ‘Festo me zemër, jo me armë’ me aktivitete në shkolla, takime me Këshillat Komunal për Siguri në Bashkësi, institucionet të sigurisë, institucione fetare dhe asamble Komunale në qytete të ndryshme në Kosovë. Aktivitete të tjera do të përcjellin fushatën gjatë ditëve dhe muajve në vijim, për të ngritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për të rritur numrin e raportimeve për të shtënat festive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat