Deklarohen të pafajshëm noterja e akuzuar për korrupsion dhe dy të tjerët se e ndihmuan atë

Aktuale

Deklarohen të pafajshëm noterja e akuzuar për korrupsion dhe dy të tjerët se e ndihmuan atë

Më: 17 korrik 2023 Në ora: 11:30
Foto ilustrim

Noterja Valbona Murtezi-Bytyqi, është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare rreth shitblerjes së një lokali në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë. Të pafajshëm u deklaruan edhe dy të akuzuarit se i ndihmuan asaj në kryerjen e veprës penale, Agim Spahiu e Bekim Maloku.

Deklarimin rreth fajësisë, tre të akuzuarit e bënë në seancën e shqyrtimit fillestar, të hënën, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bashkim Zeqaj raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, Murtezi-Bytyqi po akuzohet se në cilësinë e noteres në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar një aneks-kontratë, duke ndryshuar bashkë-blerësit e lokalit, ndërsa Spahiu e Maloku akuzohen se kanë ndihmuar të njëjtën në kryerjen e veprës penale.

“Nuk e ndjej veten fajtore për veprën penale për të cilën ngarkohem sipas aktakuzës”, tha e akuzuara Murtezi-Bytyqi.

Ndërsa, të akuzuarit Spahiu e Maloku deklaruan se ndihen plotësisht të pafajshëm.

Meqenëse të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, gjykatësi i rastit Gëzim Ademi i ka njoftuar ata se konform dispozitave ligjore, brenda afatit prej 30 ditëve, të njëjtit kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 25 janar 2023, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, noterja Valbona Murtezi-Bytyqi akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Agim Spahi dhe Bekim Maloku akuzohen se i kanë ndihmuar të njëjtës për kryerjes e veprës penale.

Sipas aktit akuzues, më 15 shkurt 2022, e pandehura Valbona Murtezi-Bytyqi në cilësinë e noteres të cilës i janë besuar kryerja e autorizimeve publike që të vendos për të drejtat, obligimet ose interesat e personave fizikë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo tjetrit ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme ashtu që ka përpiluar “Aneks-Kontratën për shitblerjen e paluajtshmërisë – lokalit në lagjen Ulpiana”.

E përmes të cilit, aktakuza thotë se e pandehura Murtezi-Bytyqi ka ndryshuar njërin nga dy bashkë-blerësit në këtë rast të dëmtuarin Krenar Alidema sipas kontratës bazë, të cilën e pandehura e ka përpiluar pa e pasur pëlqimin apo aprovimin e tij për tërheqje dhe pa e nënshkruar, i cili edhe kishte kryer edhe obligimin sipas kontratës bazë, pagesën e shumës së caktuar për blerjen e lokalit, në bashkë-blerësin e ri, të pandehurin Agim Spahiu.

Tutje aktakuza thotë se me ketë rast i ka shkaktuar dëme të dëmtuarit Alidema, duke ia mohuar të drejtat  e parapara në kontratën bazë dhe ka përfituar personi tjetër, ndërsa i pandehuri Spahiu pas lidhjes se aneks-kontratës nga e pandehura, i njëjti është duke e shfrytëzuar lokalin i cili ka qenë objekt i kontratës bazë dhe aneks-kontratës.

Me këto veprime, Murtezi-Bytyqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe burgim prej tre deri në dhjetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë kësaj aktakuze, të pandehurit Spahiu e Maloku akuzohen se në bashkëkryerje e kanë ndihmuar të pandehurën Murtezi-Bytyqi për kryerjen e veprës penale të përshkruar si më lartë, duke nënshkruar “Aneks Kontratën për shitblerjen e paluajtshmërisë-lokalit”, pa qenë prezent dhe në dijeni i dëmtuari Alidema.

Me këtë, Spahiu e Maloku ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Ndihmë”, nga neni 33 në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së,  e cila dënohet më dënim më të butë sesa kryesi i veprës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat