Gjykata e Pejës konfirmon lirimin e vilave të sekuestruara në Brezovicë

Aktuale

Gjykata e Pejës konfirmon lirimin e vilave të sekuestruara në Brezovicë

Më: 6 korrik 2023 Në ora: 13:43
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorit Rasim Maloku për caktim të masës së sigurisë për vilat e sekuestruara në Brezovicë.

Këtë e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti.

“E konfirmojmë se me Urdhrin e Gjykatës Themelore në Pejë UGJK.nr.161/22, të datës 06.07.2023, është hudhë si e pasafatshme kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar”, ka thënë Zhuti.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë në nëntor të 2022, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kishte lëshuar urdhër për sekuestrim të përkohshëm të villave në zonën e II-të të Pakurt Kombëtar “Sharri”, në Brezovicë. Ndryshe, më 20 tetor, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar ekskluzivisht për listën prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, e cila përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.

Këto villa të sekuestruara, sipas burimeve të “Betimit për Drejtësi” në Gjykatën Themelore në Ferizaj, rezulton se janë ndërtuar në Zonën e II-të në Parkun Kombëtar “Sharri” – Zona e Brezovicës, në të cilën ndalohet ndërtimi me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”.Sipas dokumenteve zyrtare të Prokurorisë Themelore në Ferizaj të dorëzuara në Gjykatë, thuhet se sipas këtij ligji, Zona e II-të e këtij Parku karakterizohet me ekosisteme, vlera peisazhore dhe vlera tjera të natyrës, ku mund të ushtrohet eko-turizmi, bujqësia tradicionale dhe veprimtari, të cilat nuk janë në kundërshtim me qëllimet e Parkut, kurse është e ndaluar ndërtimi i çfarëdo objekti për banim.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar listën e 75 pronave, kryesisht villa, ku figurojnë emrat e pronarëve, ku ka gjykatës të të gjitha niveleve, politikanë, biznesmenë si dhe qytetarëve të tjerë, të cilët kanë blerë villa apo kanë blerë parcela dhe më pas kanë ndërtuar villa.

Në këtë listë janë tre gjykatës të Ferizajt, të cilët janë gjykatës nga të tria niveleve të gjyqësorit. Të tretë fillimisht kanë blerë parcela në vitin 2016, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar villa. Fjala është për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit,  si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme. Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili.

Sekuestrimet e këtyre pronave, sipas dokumenteve të siguruara, rezulton se janë bërë duke u mbështetur në Kodin e Procedurës Penale, ku theksohet se sendet që përkohësisht mund të sekuestrohen janë sende që mund të jenë prova gjatë një procedure penale, sende ose pasuri që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose sende që konsiderohen dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale dhe për të cilat ligji parasheh sekuestrimin.

Pas aktakuzës së ngritur në vitin 2022 për degradim të Brezovicës nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, rasti Brezovica është zgjeruar, duke rritur numrin e personave të arrestuar dhe personave që janë nën hetim, përfshirë zyrtarë dhe biznesmen të ndryshëm, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Ndër politikanët që figurojnë në listë janë Enver Hoxhaj ish-Ministër, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i bizesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat