Gjykimi për krime lufte në Istog, i dëmtuari: Ende i kam dhëmbët e thyer prej tyre

Aktuale

Gjykimi për krime lufte në Istog, i dëmtuari: Ende i kam dhëmbët e thyer prej tyre

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 15:16
Pamje nga seanca

Në shqyrtimin gjyqësor të së premtes në Gjykatën Themelore Prishtinë, ndaj të akuzuarit për krime lufte Caslav Jolic, u dëgjua dëshmitari- i dëmtuari Nexhmedin Curraj, i cili tha se ishte rrahur në postbllokun e vendosur në fshatin Gurrakoc bashkë me dy serbë tjerë me emrat Llaza dhe Rad Pitoliq, dhe se nga ai rast i ka ende të thyer dhëmbët.

“Më kanë goditur me shkelma dhe kontakt të automatit-armës dhe ende i kam dhëmbët e thyer prej tyre”, tha dëshmitari Curraj.

I pyetur nga prokurori special Ilir Morina, dëshmitari Curraj tha se i akuzuari Jolic dhe serbi tjetër me emrin Llaza ishin të uniformuar kur e kishin rrahur, kurse tjetri me emrin Rad Pitoliq ishte me rroba civile, duke shtuar po ashtu se rrahja ka zgjatur diku 10 minuta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Curraj sqaroi se pasi që e kishin rrahur, e kishin tërhequr për toke deri në një kafene afër postbllokut, ku personalisht personi Rad Pitoliqi i kishte thënë që nëse do e zënë herën tjetër, do ta vrasin.

“Brenda tani Rad Pitoliqi më kërcënoi tha qetash kurgja s’ta kemi ba, tjetër herë të mysim krejt”, deklaroi dëshmitari Curraj.

Gjithashtu, ai tha se pasi që ishte rrahur kishte vazhduar rrugën për në makinë në një gjendje të rëndë, ku duke shkuar rrugës kishte parë sërish të akuzuarin Jolic dhe tre persona të tjerë serbë, duke rrahur personin tjetër Naim Ferati deri në stacion policor.

Për rrahjen e tij (dëshmitarit), i njëjti tha se e kishin parë personat Skender Shatri, Lum Musolli, Avdi Aliti dhe Kushtrim Kabashi.

Paraprakisht, dëshminë e vazhdoi dëshmitari Zef Malësia, i cili tha se ndalesën për të dalë e kishte marrë që prej kohës kur ishte pjesëmarrës i organizimeve të demonstratave në Komunëm e Istogut.

Gjithashtu, dëshmitari Malësia sqaroi se në postbllokun ku ishin të vendosur në Gurrakoc, policët serbë e kishin rrahur edhe djalin e tij, i cili ishte në klasë të 6-të dhe se vetë personalisht dëshmitari Malësia tha së policët e kanë lajmëruar që të mos dalë në qytet se do e vrasin herën tjetër.

Ndërkaq, Malësia tha se nuk e di se çka ka shënuar policia në deklaratën e dhënë në polici, por se të goditurën kryesore e kishte marrë nga i akuzuari Jolic, ku edhe e kishte humbur vetëdijen.

Më pas, seanca u ndërpre dhe e radhës u caktua të mbahet më 18 shtator 2023, ku pritet të vazhdojë me dhënien e dëshmisë dëshmitari Curraj dhe më pas dëshmitari Naim Ferati.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 nëntor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Caslav Jolic me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës prej muajit janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në territorin e Komunës së Istogut në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.

Sipas aktakuzës, në muajin maj të vitit 1998 në lagjen Bllagaq të fshatit Gurrakoc ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Zef Malsia po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë ndërkombëtarë, njëri anglez e tjetri belg së bashku me një përkthyese shqiptare dhe me të arritur tek vendi i ngjarjes, nga shtëpia e familjes së Rosa Pejcinoviq dalin 5 persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Radule (Dule) Pejqinoviq, Caslav Joliq, Darko Pejqinoviq, Milosh Jolic dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët të dëmtuarin e kishin akuzuar se pse i kishte sjellë gazetarët e huaj tek vendi i ngjarjes, dhe për këtë arsye e sulmojnë fizikisht.

Aktakuza thotë se dy prej policëve të uniformuar e kishin kapur për krahë dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grusht dhe shqelma për një periudhë kohore rreth 20 minuta derisa në një moment i pandehuri i identifikuar me nofkën “Dulle”, e kishte goditur me boks në kokë, me ç’rast i dëmtuari kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat i kishte mjekuar në kushte shtëpiake, pastaj gazetarët e kishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe ashtu të gjakosur e kishin kthyer në shtëpi në Gurrakoc, kurse pas disa javësh si rezultat i luftës i dëmtuari ishte larguar nga Kosova.

Tutje sipas aktit akuzues, rreth datës 15 mars 1998 derisa i dëmtuari Naim Ferati po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurrakoc, i shoqëruar nga Shemsi Kabashi pronari i restorantit, Mujë Hajzeraj, Refik Hajzeraj dhe Nue Pepaj, kishin shkuar 5 policë serbë dhe e kishin kapur për qafe duke e tërhequr zvarrë e kishin qitur jashtë lokali dhe që të pestit e sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Prej tyre, aktakuza thotë se polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur disa herë me tytë të automatikut në kokë, duke ia mbuluar tërë trupin me gjak pastaj duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion policor në Gurrakoc, në ato momente ngjarjen e kishte parë i dëmtuari Nexhmedin Curri pasi që edhe ai ishte rrahur nga i njëjti grup i policëve, me të dërguar në stacion të dëmtuarin Naim Ferati e paralajmërojnë se deri në ora 17:00 do të ekzekutohej dhe vazhdimisht ishte nën shoqërinë e policëve Halil Kovaqeviq dhe Popoviq.

Gjithnjë sipas aktakuzës, aty pastaj kishte ardhur një epror polic i quajtur Gruica Veloviq dhe e kishte liruar të dëmtuarin nga stacioni i policisë, pastaj me ndihmën e disa fqinjëve të tij kishte arritur që të shkojë në spitalin e Istogut, ku e kishte mjekuar doktori Xhevat Avdijaj, kurse më 28 mars 1999 ishte urdhëruar nga policia serbe që ta lëshojë shtëpinë sikurse çdo banor tjetër i fshatit dhe ishte nisur për në Shqipëri, ku gjatë rrugës prapë ishin maltretuar dhe plaçkitur nga ana e forcave serbe, ndërsa si pasojë e luftës ka pësuar dëme material në vlerë prej 50 mijë marka gjermane.

Më pas, në aktakuzë thuhet se rreth 15 marsit 1998, i dëmtuari Nexhmedin Curri ishte nisur nga Gurrakoci për në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut për të marë familjen e tij, ku kishte arritur në pikën e kontrollit policor në fshatit Gurrakoc, ishte ndalaur nga ana e policisë dhe dy prej pjestarëve të policisë, njëri i njohur me nofkën “Llaza” dhe tjetri i paidentifikuar kishin hyrë me dhunë në veturë dhe kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i dërgonte deri tek shtëpia e personit me pseudonimin “Mala”.

Pastaj, aktakuza thotë se meqenëse i dëmtuari iu kishte thënë se nuk ia dinte shtëpinë atij personi, të njëjtit kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i kthejë në qendër të fshatit Gurrakoc, saktësisht tek dyqani ku kishte punuar personi me emrin “Sllavisha”, pastaj me të arritur para shitores e cila ishte në afërsi të pikës së kontrollit të policisë personi me emrin Rade Pituliq iu ishte drejtuar të pandehurve me fjalët “Se si po shëtiteni ju me iredintistin”, kurse personi me pseudonimin “Joliqi” e kishte nxjerrë nga vetura të dëmtuarin duke e goditur me kondak të armës automatike dhe nga aty kishte tërhequr zvarrë duke e dërguar në një lokal aty afër dhe kishte vazhduar duke e rrahur derisa kishin ndërhyrë disa policë të tjerë dhe e kishin nxjerrë të dëmtuarin nga lokali në gjendje të përgjakur, me dhëmbë të thyer.

Ndërsa, i pandehuri Jolic thuhet se i kishte thënë të dëmtuarit “Nuk je në Kosovë por je në Serbi, këtu është Serbia e madhe dhe se këtu nuk flet Ibrahim Rugova, por Millosheviqi”, kurse i dëmtuari ashtu në gjendje të përgjakur e merr veturën dhe largohet nga fshati Gurrakoc dhe gjatë largimit kishte parë se si policët serbë e kishin rrahur të dëmtuarin Naim Ferati, ndërsa kishte vazhduar rrugën për në shtëpinë e tij dhe pastaj ishte larguar për në Mal të Zi prej ku ishte kthyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.

Me ketë, Calsav Jolic akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkueshme sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjen së veprës penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat