Sejdiu: Nëse vazhdojmë me këtë trend ky vend nuk do të ketë të ardhme

Aktuale

Sejdiu: Nëse vazhdojmë me këtë trend ky vend nuk do të ketë të ardhme

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 22:52
Opinionisti Dardan Sejdiu

Opinionisti Dardan Sejdiu, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kujtuar kohën kur kjo parti dilte me parulla kundër negociatave me Serbinë.

Ai tha se ato parulla i shkruanin shumë lehtë, por shton se tash ka ndryshuar situata pasi LVV-ja është në qeveri, e jo në opozitë.

“E mbaj mend sa lehtë i bënim parullat ‘Jo negociata, Vetëvendosje’, shumë lehtë i shkruanim. I bënim fllasterat, i vendosnim nëpër mure. Shumë lehtë i shkruanim. Por, tash jemi në një situatë ma tjetër. Tash nuk je në opozitë. Ke fatin e këtyre pak qytetarëve që po mbesin në këtë vend, sepse po e ripotencoj, Kosova po zbrazet shpejt”, deklaroi Sejdiu në Rubikon me Adriatik Kelmendin.

Ai tha se hallin e ka se nuk po sheh të ardhme në këtë vend, nëse qasja e qeverisë vazhdon e pandryshuar në shumë aspekte.

“Unë hallin e kam që ky vend nuk ka me pas asnjë të ardhme, për asnjërën prej dy palëve (50 përqindëshi që e ka votu Kurtin, dhe pjesa tjetër që s’e kanë votu), nëse vazhdojmë me trendin e izolimit, me daljen e të rinjve nga 1000 në javë, 50 mijë në vjet nga viti 2016, nëse në shëndetësi e kemi këtë situatë çfarë e kemi, nëse në arsim e kemi këtë situatë, nëse në ekonomi i kemi të bllokuara lekët, nëse diaspora nuk vjen por vetëm ia bën ‘skip’ Kosovës”, tha opinionisti Sejdiu.

Sipas tij, nëse qeveria nuk merret me të ardhmen dhe vizionin për të.

“Nëse nuk merremi me të ardhmen e këtij vendi, se qysh duhet me u dok e ardhmja e këtij vendi, dhe merremi me njëfarë qasjeje goxha problematike, kur krejt bota është fajtor, por fajtori kryesor je vet, por nuk do ta pranosh, nuk do ta shohësh veten në pasqyrë, nuk do të ndalesh e të thuash, ‘a ka shanse që unë po gaboj diku, a ka gjasa që gjithë këta miq që për 30 vite na kanë nxjerr nga një situatë të jashtëzakonshme’… Për ata që i kanë kaluar vitet e ’90-ta, për ata që kanë pas guxim të marrin armën e të mbrojnë këtë vend e të provokojnë intervenimin e NATO-s, për ata që kanë pasur angazhim politik, për ata që nga viti ‘99 deri në 2008 e kanë bërë njëfarë ndërtimi të një kauze për shpallje të këtij vendi të pavarur dhe sovran… Pra krejt ata kanë bërë diçka, e na tash vijmë në përfundimin se këto i kemi të ‘given’, pra neve na takon gjithçka, sepse po kom qejf. Pra, angazhim minimal në struktura të sigurisë rajonale, angazhim dhe kontribut minimal në rajon, angazhim dhe kontribut minimal në ecjen sa më të shpejtë të rajonit në struktura të NATO-s dhe BE, kundër çdo procesi, herë me vend e herë pa vend, në fillim kemi qenë edhe kundër Procesit të Berlinit, kemi mbajt konferenca për shtyp kundër Procesit të Berlinit, pra tash jemi kundër Ballkanit të Hapur dhe Procesi i Berlinit është në rregull, është koha për me u rrit pak, me u pjekë pak. Edhe shoqëria, edhe qeveria, me e kuptu peshën që e ka Kosova në këto rrethana dhe në këtë konstrukt gjeopolitik, dhe të qeni me pas drejtë është e pamjaftueshme dhe e parëndësishme”, deklaroi Dardan Sejdiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat