Kurti: Të përkushtuar për rritjen e qëndrueshme ekonomike, ka ende shumë punë për të bërë

Aktuale

Kurti: Të përkushtuar për rritjen e qëndrueshme ekonomike, ka ende shumë punë për të bërë

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 21:55
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu mirënjohjen për Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, në pritjen e organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Banka Qendrore e Kosovës për përfaqësuesit e lartë nga konstituenca e Kosovës në këto dy institucione.

Në këtë pritje, Kurti ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për rritjen e qëndrueshme ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe çrrënjosjen e varfërisë, si shtytësit kryesorë për arritjen e qëllimeve afatgjata.

Kryeministri Kurti theksoi se vitet e fundit si qeveri kanë bërë përparime të rëndësishme në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës, arsimin dhe kujdesin shëndetësor. Megjithatë, ai tha se janë të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të bërë.

“Jemi të përkushtuar për zbatimin e reformave që do të përmirësojnë mjedisin tonë të biznesit, do të tërheqin investime të huaja dhe do të nxisin inovacionin. Qeveria jonë është e vendosur të sigurojë transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje të mirë në të gjithë sektorët. Duke vepruar kështu, ne synojmë të krijojmë një mjedis që promovon rritjen e sektorit privat, përmirëson kushtet për ndërmarrësi dhe nxitë një ekosistem ku idetë mund të lulëzojnë”, citohet në komunikatën e Qeverisë, kryeministri Kurti.

Ai tha se Kosova është e përkushtuar për të përqafuar burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe dekarbonizimin.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, , kryeministri Kurti tha se është nder dhe privilegj të mirëpresë në këtë mbrëmje përfaqësuesit nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, prezenca e të cilëve simbolizon angazhimin dhe bashkëpunimin mes vendeve dhe me institucione me famë si Grupi i Bankës Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në komunikatën e Qeverisë thuhet se Kurti ka vlerësuar se ky organizim i sontëm është jo vetëm për të festuar qëllimet dhe aspiratat e përbashkëta, por edhe për të krijuar lidhje më të forta që do të nxisin zhvillimin dhe përparimin e qëndrueshëm.

“Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për Grupin e Bankës Botërore dhe FMN-në për mbështetjen e tyre të çmuar në rrugëtimin e Kosovës drejt stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik. Ne e njohim rolin kritik që luajnë këto institucione në ofrimin e ekspertizës teknike, asistencës financiare dhe këshillave për politikat për vendet që përpiqen për përparim socio-ekonomik, si dhe përparimin shumë të prekshëm që rezulton nga kjo punë”, citohet në komunikatë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat