Shteti i shpalli organizata terroriste, Sveçla shuan zërat kritikë: Qeveria u koordinua me partnerët

Aktuale

Shteti i shpalli organizata terroriste, Sveçla shuan zërat kritikë: Qeveria u koordinua me partnerët

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 08:40 Përditësuar në ora: 13:39 më 29.06.2023
Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla

Qeveria u koordinua me partnerët për shpalljen si organizata terroriste të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se për shpalljen si organizata terroriste të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

Qeveria e Kosovës të enjten i ka shpallur terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” që veprojnë në veri të vendit.

Sveçla në konferencë për media ka thënë se “padyshim që për këtë hap jemi koordinuar me partnerët”.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë. Ndonjëherë pajtohemi, ndonjëherë s’pajtohemi”, ka thënë ai.

Sveçla tutje ka bërë të ditur se pjesëtarët e komuniteteve joshumicë që kanë aplikuar për t’u bërë polic në konkursin e parë janë afër përfundimit të trajnimeve përpara se të dërgohen në veri. Ka shtuar se shumica janë serbë.

“Janë dy konkurse. Kemi shpall konkurs për komunitetet joshumicë, një numër i caktuar ka aplikuar. Tashmë trajnimi për kontingjentin e parë është në përfundim e sipër. Aty shumica janë serbë me përkatësi etnike. Ata shumë shpejt do të jenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe do të veprojnë në veri”, ka thënë ai.

Sveçla ka theksuar se edhe konkursi i dytë është gati në fazën përfundimtare përpara se të nisë trajnimi, ndërsa në këtë mënyrë pritet të mbushet boshllëku i lënë pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

U shfaq dje në Kosovë/ Ministri Svelça flet për djalin e Vuçiqit

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dje në Kosovë ka hyrë si qytetar i rëndomtë.

Ai tha se pas shfaqjes së tij me bluzë provokative, polica ka marrë vendim që ta ndalin dhe ta kontrollojnë.

“Ai pastaj është shfaqur në Graçanicë me bluzë provokatikve, por policia ka marrë vendim që të ndalin dhe të kontrollojnë veturat që janë sjellur në mënyrë të çuditshme”.

“Atij i është kërkuar, gjë që është realizuar, heqja e kësaj bluze me mesazh provokativ dhe me kaq ka përfunduar e gjitha dhe ata janë larguar për në Serbi”, është shprehur Sveçla.

Tutje, Sveçla tha se Vuçiq është gënjeshtar kronik, pasi sipas tij, djali i tij s’është ndaluar tri herë, por vetëm një herë – në dalje të Prishtinës.

“Me gjasë ka hyrë në Merdare, patjetër që policia e di. Kur është bërë kontrolli ndaj tij, s’është gjetur asgjë e dyshimtë. Sikur të ishte gjendur ndonjë armë, policia e kishte pasur obligim që të ndërmarrë hapat e duhur.

“Nëse dikush nga ta do të kishte armë, policia do t’i zbulonte. Kontrolli ishte i detajuar mjaftueshëm për të zbuluar armë ilegale nëse do të kishte në eskortë”, tha Sveçla.

Sveçla i reagon Rashiqit për “Mbrojtjen Civile” dhe Brigadën e Veriut”: Secili që vazhdon të jetë anëtar i tyre do të hetohet

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se bashkëbisedimi me qytetarët në veri është krucial.

Sipas tij, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, përmes dhunës e kërcënimeve po e pamundësojnë bashkëpunimin me qytetarë atje.

“Prona, jeta, siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë atje po rrezikohet cdo ditë nga pjesëtarë të këtyre dy grupeve”, tha Sveçla.

Tutje, ai th se sjellja para drejtësisë e këtyre grupeve që sipas tij, kanë shkaktuar vepra të panumërta penale, do të sjellë rezultate.

“Ky vendim nuk prek askënd i cili deri në momentin e shpalljes si organizata terroriste kanë qenë pjesëtarë të këtyre dy organizatave e s’kanë kryer vepra penale tashmë”.

“Pra, s’vihen në rrezik pjesëtarët e këtyre organizatave që janë integruar apo amnistuar më herët. Nuk ka prapa-veprueshmëri”, tha Sveçla.

Sveçla më tej tha se secili që është pjesë e këtyre organizatave do të jetë subjekt i hetimit dhe përndjekjes së organeve të drejtësisë.

“Janë organet adekuate që bëjnë vlerësimet e nevojshme për secilin akt dhe secilin pjesëmarrës të këtyre organizatave”, tha ai.

Pro këtij vendimi ishte i gjithë kabineti qeveritar, përveç ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.

Rashiq ankohet për “shkopinj” në veri, Bislimi: Për kriminelët shteti s’jep “karrota”

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i është drejtuar ministrit Nenad Rashiq i cili kundërshtoi shpalljen e “Mbrojtja e Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste se bëhet fjalë për struktura kriminale.

“Pretendimi se ka vakuum të sigurisë… Nuk mund të ekzistojë vakuum pa u mbushur nga dikush!”, është shprehur Bislimi.

“Brenga e dytë ka të bëjë me faktin që atje po vërehen më shumë ‘shkopinjtë’ se ‘karrota’. Nuk mund prej shtetit të ketë ‘karrota’ për grupet kriminale”.

Bislimi ka thënë se si qeveri janë përpjekur që të ndërhyjnë në pjesën veriore me mjete financiare për ta lehtësuar jetën e qytetarëve.

“Shteti e ka për obligim që t’i mbrojë qytetarët nga grupet kriminale. Asnjë masë nuk është e drejtuar ndaj qytetarëve të zakonshëm”.

Organizatat terroriste, Rashiq kundër: S’po shoh mënyrë si t’i bindim qytetarët se kjo është mirë

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka votuar kundër shpalljes si organizata terroriste të grupeve “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

Gjatë diskutimit, Rashiq tha se duhet kuptuar se në vend që të gjendet një mënyrë e komunikimit dhe lidhje të mirë me qytetarë, ato çdo ditë po ndërpriten.

“Është më komplekse dhe më e vështirë të gjendet një bashkëbisedues në veri të vendit. Ne nuk i japim alternativa në zgjatjen/vazhdimin e proceseve normale por shpesh po e shfaqim vetëm shkopin”, tha Rashiq.

Tutje, ai tha se duke i shpallur këto grupe si organizata terroriste, nuk po sheh mënyrë se si qeveria do të mund të jetë e afërt dhe si do t’i bind qytetarët se ajo që po bën është në të mirë të tyre.

“Sovraniteti kurrë nuk ka qenë I diskutueshëm për mua as për shumicën e qytetarëve atje, por kuptoni që në veri ekziston vakuumi që 23 -24 vjet. Me hapa të vegjël por të sigurt, ta shikojmë edhe një herë këtë propozim”.

“Pavarësisht se shumica nga ta janë të zhgënjyer/mohuar madje edhe të manipuluar prapëseprapë ata janë qytetarët tanë, nuk janë ata fajtorët kryesorë që nuk kanë informata të mjaftueshme. Dikush tjetër menaxhon me ta që një kohë të gjatë”, tha Rashiq.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se dy formacione ilegale, “Mbrojtja Civile” dhe Brigada e Veriut”, janë shpallur organizata terroriste nga ana e institucioneve të Kosovës.

Kurti ka thënë se vendimi është marrë nisur nga fakti që ato përbëjnë kërcënim serioz për rendin juridik e kushtetues të vendit.

“Rendi kushtetues e juridik është i pakompromis dhe duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’, shpallen organizata terroriste”, ka thënë Kurti.

“Niveli i rrezikut prej tyre është i lartë dhe institucionet janë në përpjekje të vazhdueshme për kundërvënie ndaj aktiviteteve dhe parandalimit të pasojave”.

Kurti: Jemi në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të enjten në mbledhjen e Qeverisë se janë në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet.

Para kabinetit qeveritar, ai ka thënë se harta do të pasohet me planin e menaxhimit të përmbytjeve.

Këto deklarime Kurti i ka bërë teksa ka folur për vërshimet në qytetin e Pejës që ndodhën të shtunën, e të cilat lanë të vdekur dy persona.

“Qeveria jonë është në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet, e cila do të pasohet me planin e menaxhimit të përmbytjeve”, ka thënë kreu i qeverisë.

Ai tutje ka bërë të ditur se do të fillojnë strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, “e cila vjen si rezultat i ligjit të parë për ndryshime klimatike”.

“Po lobojmë për të siguruar që Kosova të ketë qasje të drejtpërdrejt në fondet për këtë qëllim. Vlerësohet se Kosovës i duhen më shumë se 1.3 miliard euro në infrastrukturë për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike”, ka thënë Kurti. 

Kurti për masat ndaj Kosovës: Me raste kemi qenë kritik ndaj BE-së, por asnjëherë as cinik, as të hidhëruar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbledhjen e Qeverisë e ka nisur duke folur për masat e propozuara nga Bashkimi Evropian ndaj Kosoëvs.

Ai është shprehur se BE-ja, tek Kosova e gjen partnetin dhe aleatin e saj më të sinqertë.

Kurti tha se me raste mund të kenë qenë kritik ndaj Bashkimit Evropian, po siç u shpreh ai, asnjëherë as cinik, as të hidhëruar.

“Komisioni Evropian  dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate”.

“Kosova të tillë e ka Qeverinë, të tillë e ka popullin, së pari popullin e pastaj Qeverinë. Me raste kemi qenë kritik ndaj Bashkimit Evropian, po asnjëherë as cinik, as të hidhëruar. Nuk jemi as sot”, u shpreh ai.

Kurti sot mbledh ministrat, nuk dihet agjenda

Sot Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës.

Mbledhja e qeverisë është paralajmëruar të nisë nga ora 10:00.

Për këtë mbledhje, qeveria akoma nuk e ka publikuar rendin e ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat