Haxhiu publikon prapë emrat e deputetëve që votuan “Marrëveshjen e parë të parimeve”: 2/3 e problemeve që i kemi me Serbinë na vijnë nga ky votim

Aktuale

Haxhiu publikon prapë emrat e deputetëve që votuan “Marrëveshjen e parë të parimeve”: 2/3 e problemeve që i kemi me Serbinë na vijnë nga ky votim

Më: 27 qershor 2023 Në ora: 18:28
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar edhe njëherë emrat që janë stërpublikuar nga Vetëvendosje, të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, të cilët para 10 vitesh votuan “Marrëveshjen e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë” e cila u pat nënshkruar më 19 prill 2013 nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi i Kosovës e Ivica Daçiq i Serbisë.

“Gabimin që e bënë kur e nënshkruan, e dyfishuan kur e sollën në Kuvend për ta votuar e ratifikuar. Më shumë se 2/3 e problemeve që i kemi në dialogun me Serbinë sot vijnë nga ky votim me mbi 2/3 në Kuvendin e Republikës para fiks një dekade”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

“Këtë trashigimi të së kaluarës që na e lanë pas, po e adresojmë me marrëveshjen e re e cila në qendër ka njohjen reciproke de facto, marrëdhëniet dhe të drejtat reciproke”, pretendon ajo.

Image
Emrat

POSTIMI I PLOTË:

Para një dekade na u soll në parlament për votim “Marrëveshja e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë” e cila u pat nënshkruar më 19 prill 2013 nga ish kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.

Marrëveshja vetëm në titull e kishte normalizimin pasi në qendër e në përmbajtje e kishte themelimin e Asociacionit një-etnik të komunave me shumicë Serbe. Gjashtë nenet e para të kësaj marrëveshjeje ishin vetëm për Asociacionin/Zajednicën i cili përmendej gjithsej 9 herë në 15 nene.

Në prezantimin e saj në Kuvend, fjala kyçe ishte marrëveshje që sjell integrim. Integrime euroatlantike, integrim në familjen evropiane, përshpejtim të procesit të heqjes së regjimit të vizave, si dhe shuarjen dhe integrimin e strukturave paralele serbe në kuadër të institucioneve të Kosovës.

Karakterin një-etnik, delegimin kundër-kushtetutes të kompetencave ekzekutive dhe krijimin e një shtrese të tretë të pushtetit të qeverisjes që e mëtonte kjo marrëveshje e parimeve, gjykata do t’i gjente në shkelje të kushtetutës dy vite më vonë kur kësaj marrëveshje ju sqaruan e zhvilluan kompetencat me marrëveshjen Mustafa-Vuçiq më 25 gusht të vitit 2015.

Strukturat paralele ilegale nga shërbimet e BIA-s, “Mbrojta Civile” dhe “Rojat e Urës”, në vend të shpërbërjes u rehabilituan në institucione të Kosovës. Pasi nuk u shpërbënë, ato kurrë nuk u integruan.

Sot, dhjetë vite pas, përveçse ilegale kryejnë edhe vepra terroriste e kriminale siç e pamë me 29 maj të këtij viti në Zveçan si dhe me aktin terrorist që u parandalua para katër ditësh po ashtu në Zveçan.

Nga kjo marrëveshje, Kosova përfitoi Asociacionin/Zajednicën kurse Serbia integrimin, pra po sillnin bosnjëzim për Kosovën e evropianizim për Serbinë. Vetëm një ditë pas votimit në Kuvendin e Kosovës, pra më 28 qershor 2013, Këshilli Evropian miraton rekomandimin e Komisionit për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE për Serbinë e cila deri në dhjetor të vitit 2021 ka hapur 22 nga 35 kapitujt.

E patëm kundërshtuar fort nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin/Zajednicën e më pas sjelljen për votim në Kuvend dhe u munduam shumë që ta ndalim votimin e saj, por aq mund të bënim nga ulëset e opozitës.

Gabimin që e bënë kur e nënshkruan, e dyfishuan kur e sollën në Kuvend për ta votuar e ratifikuar. Më shumë se 2/3 e problemeve që i kemi në dialogun me Serbinë sot vijnë nga ky votim me mbi 2/3 në Kuvendin e Republikës para fiks një dekade.

Këtë trashigimi të së kaluarës që na e lanë pas, po e adresojmë me marrëveshjen e re e cila në qendër ka njohjen reciproke de facto, marrëdhëniet dhe të drejtat reciproke.

Disa nga emrat që e kanë votuar Asociacionin/Zajednicën para 10 viteve e kritikojnë atë sot, por do të ishte mirë që kritikës t’i paraprijë pendimi e kërkim falja. Asisoj do të kuptohej sinqeriteti në kritikë e besimi në angazhim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat