​Protestë, Ramusa: BE po i mbyll sytë karshi politikave fashiste të Serbisë

Aktuale

​Protestë, Ramusa: BE po i mbyll sytë karshi politikave fashiste të Serbisë

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 12:01
Pamje nga protesta

Para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë është protestuar të hënën me kërkesën që BE "të hap sytë" ndaj shkeljeve dhe politikave fashiste të Serbisë.

Në aksionin simbolik, anëtarë të organizatës "Lëvizja për Demokraci" kanë qëndruar me sy mbyllur, mbi të cilët ishte flamuri i BE-së.

Kryetari i "Lëvizjes për Demokraci", Mexhid Ramusa tha se Bashkimi Evropian po i mbyll sytë karshi shkeljeve që po bën Serbia ndaj Kosovës.

Ramusa: BE po i mbyll sytë karshi politikave fashiste

"Arsyeja pse e kemi mbajtur këtë aktivitet është sepse BE po i mbyll sytë karshi politikave fashiste të Serbisë. Vuçiqi është pasardhës i politikave të Millosheviqit dhe plani i tyre është i qartë, spastrimi etnik i shqiptarëve. Ne duhet t'i tregojmë BE-së se Serbia është e njëjta nuk ka ndryshuar aspak. Me një shtet të pavarur vjen dhe t'i rrëmben dhe kidnapon policët dhe të gjithë heshtin, arsyeja është sepse jemi shqiptarë. Po të kishte ndodhur kjo që t'i kishim rrëmbyer ne, atëherë do të na vërsuleshin të gjithë neve. BE duhet të kujdeset për shumë arsyeje, sepse të gjitha ushtrimet që i bën ushtria e Serbisë është si ta poshtërojnë Kosovën", tha ai.

Edhe anëtari tjetër i organizatës, Driton Ismajli i ka bërë thirrje BE-së që të bëjë presion mbi Serbinë.

Ismajli: BE po i jep një dozë të tepruar të mbështetjes Serbisë

"Bashkimi Evropian është duke i dhënë një dozë të tepruar të mbështetjes, Serbisë. Prandaj ajo po e gjen formën dhe motivin të sillet në këtë mënyrë. Kohëve të fundit kemi deklarata nga BE të cilat e cenojnë edhe ekzistencën e BE-së. Sepse, BE do të duhej të funksiononte të paktën mbi bazën e politikave të cilat janë neutrale. Nga vendimet dhe veprimet e fundit realisht nuk kemi parë diçka të tillë. Kemi parë vetëm politika të anueshme nga përfaqësuesit e ndryshëm të Bashkimit Evropian. Ne i bëjmë thirrje BE-së që presionin të cilin e ka drejtuar kundrejt Kosovës, le ta drejton nga shteti i cili është agresiv në raport me Kosovën. Kemi akte terroriste të cilat e cenojnë thellë edhe ekzistencën e shtetit të Kosovës, kemi akte të cilat tregojnë për shkeljen e marrëveshjeve të nënshkruara më herët. BE duhet t'i hap sytë dhe ta sheh të vërtetën, jo të sillet në raport me Kosovën kështu siç është duke i sjellë deri më tani", shtoi ai.

Tre policët kosovarë të rrëmbyer në brenda territorit të Kosovës, janë liruar ditën e sotme. Të njëjtit ishin rrëmbyer me 14 qershor nga forcat e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat