Britania kërkon sërish nga Serbia lirimin e tre policëve të Kosovës

Aktuale

Britania kërkon sërish nga Serbia lirimin e tre policëve të Kosovës

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 17:10
Policët e Kosovës, të arrestuar nga Serbia

Ambasadori britanik, Neil Holland, shef i misionit të OSBE-së në Serbi, ka bërë thirrje për lirimin e tre policëve të Kosovës që u kidnapuan nga forcat speciale serbe, në brendi të territorit të Kosovës.

Në raportin e tij për muajin qershor, Holland, thotë se dy vendet, Kosova dhe Serbia, duhet të ulin tensionet menjëherë.

“Britania e Madhe është shumë e vetëdijshme për rritjen e fundit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Mbretëria e Bashkuar bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor. Qeveritë e Serbisë dhe Kosovës duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të ndërmarrin hapa drejt de-përshkallëzimit menjëherë”, ka thënë Holland në raportin e tij.

Tutje, ai tha se Britania e Madhe i ka përsëritur thirrjet ndaj Qeverisë së Kosovës që të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të komunave t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative dhe që njësitë e Policisë Speciale të tërhiqen nga afërsia e ndërtesave komunale.

Po ashtu, ai deklaroi se Britania e Madhe kërkon që “zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur – në të cilat presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës të marrin pjesë”.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, potencoi ambasadori britanik, Neil Holland.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat