Ambasadorët: S`ka sanksione ndaj Kosovës, por tkurrje raportesh

Aktuale

Ambasadorët: S`ka sanksione ndaj Kosovës, por tkurrje raportesh

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 21:51
Ambasadori i Francës, Olivier Guerot

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe ai i Francës, Olivier Guerot, në intervistë  për “RTK Prime”, kanë folur për shumë çështje që kanë të bëjnë mes Kosovës, vendeve të tyre dhe BE-së. Situata e fundit në veri dhe Asociacioni, ishin ndër temat kryesore.

Të pyetur nga RTK se si mund të cilësohet marrja e tre policëve të Kosovës nga ana e Serbisë, derisa në diskursin publik dhe deklarimet e zyrtarëve të Kosovës, ajo çfarë ka ndodhur quhet  rrëmbim e kidnapim dhe si e cilësojnë ata një gjë të tillë, ambasadori gjerman tha se kjo është një pyetje që nuk është çështje kryesore.

"Çështja kryesore është që këta policë do të kthehen dhe Qeveria e Kosovës e ka thënë këtë e nuk ka rëndësi se çfarë themi ne, kurse Qeveria e Serbisë e thotë të kundërtën. Ajo që duhet të behet si pyetje është se cili është vullneti politik që bëhet për ta zgjidhur këtë çështje imediate dhe në dobi të tre policëve”, tha ambasadori gjerman në Kosovë.

Sipas tij, për këtë po kërkohet lirimi i pakushtëzuar i policeve. “Tani duhet të jem fundamental në marrëdhëniet ndërkombëtare ku njëra palë e thotë një gjë e pala tjetër, diçka tjetër, atëherë unë i referohem asaj që ka thënë KFOR-i e se ata nuk kanë qenë aty”, tha Rohde. Sipas tij, KFOR-i është  përmbajtur nga përcaktimi i saktë se çfarë ka ndodhur.

Ai madje dha një shembull duke lënë të kuptohet se si ka ndodhur ky rast, mund të mos përcaktohet asnjëherë zyrtarisht. “Kur ka shpërthyer  gazsjellësi NordStream, nuk ka pasur ndonjë përcaktim se çfarë ka ndodhur saktë sepse mund të jetë e vështirë”, tha ai.

Por sipas tij, çështja politike është e rëndësishme. “Kosova e Serbia duhet të ulen dhe të flasin për këtë”, tha ambasadori i Gjermanisë.

Ai u shpreh se se është  mirë të dihet se ku ka ndodhur marrja e policëve, por nuk e ka këtë qartësi, duke bërë që të kalojë tek cështja e Asociacionit.

“Asociacioni i komunave është pjesë e marrëveshjes pako të marrëveshjeve të nënshkruara dhe obligimi i Kosovës që nga viti 2013 e 2015. Gjashtë qeveri janë ndërruar e nuk është bërë asgjë”, tha ai.

“Unë jam ambasador në Kosovë dhe unë pres nga Kosova që të veprojë dhe e njëjta gjë kërkohet edhe nga ambasadori ynë në Serbi”.

Nga ana e tij, ambasadori i Francës u pyet për “sanksionet” e BE-së ndaj Kosovës.  “Nuk do ta përmendja fjalën sanksione në asnjë mënyrë dhe as me apo pa thonjëza. Liderët tanë në deklarata i janë referuar pasojave negative”, tha ai.

“Jemi e kemi qenë miq që  nga viti 1999, viti 2008 me njohjen e pavarësisë e kur them ne, flas për të gjitha vendet  e Quint-it,  vendet fqinje, brenda e jashtë BE-së, si Kroacia e Sllovenia që kanë ndihmuar shumë në këtë drejtim,në  ndërtimin e  shtetësisë e shërbimeve”, tha ai.

Ambasadori i Francës u shpreh se është punuar shumë në këtë drejtim dhe ka mbështetur punën e madhe të qytetarëve të Kosovës.

“Dhe  jo të gjitha këto rrezikohen, por një pjesë e tyre tkurrën ose mund të jenë më pak të mundshme sepse po humbin diçka që ishte shumë e rëndësishme në marrëdhëniet tona”, tha ai.

“E kjo është dëgjimi i ndërsjellë”.  Ambasadori i Francës u shpreh se ata kanë dëgjuar të gjitha nevojat e Kosovës në të gjitha këto pika që ka përmendur.

“Kemi dëgjuar dhe kemi pasur përshtypjen që jemi dëgjuar edhe ne kur kemi pasur kërkesa tona. Tani në javët e fundit kemi përshtypjen se po dëgjohemi më pak e do të ishte e lehtë të kthehemi në pozitën ku dëgjohemi në mënyrë të ndërsjellë”.

I pyetur nëse ka lëkundje të partneritetit, ai tha se ka pasur momente ku ka qenë marrëdhënie më e mirë, por nuk beson se është e vështirë të kthehen në situatën që ishte më parë.

“Kemi  disa hapa që duhet të ndërmerren dhe besoj se ka të bëjë me fillimin e hapave të vërtetë në fillimin e punës për ndërtimin e Asociacionit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve që pritet nga Kosova”.

Ambasadori i Francës u shpreh se nuk ka qenë absolutisht e  pamundur që të bëhet kjo. “E kur të bëhet kjo, jam i bindur që atmosfera  do të kthehet e do të bëhet më e mirë siç ka qenë më parë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat