Rasti “Subvencionet 1”, dëshmitari pohon se eurot e marra si subvencion i dha ryshfet

Aktuale

Rasti “Subvencionet 1”, dëshmitari pohon se eurot e marra si subvencion i dha ryshfet

Më: 19 qershor 2023 Në ora: 18:51
Ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin “Subvencionet 1”, të hënën dëshmitari bashkëpunues Bekim Shala, ka pohuar se nga 180 mijë euro të pranuara si subvencion, 70% të tyre i kishte dhënë si ryshfet, pra 126 mijë euro për të akuzuarit Alban Bushati dhe Salih Kelmendi.

Dëshmitari Shala, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Halimi, ka deklaruar se në vitin 2020 kishte aplikuar për subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë për misër dhe grurë, në emër të tij dhe të gruas së tij.

I njëjti ka sqaruar se zyrtarët me të cilët ai është takuar, nuk janë këtu fare.

Janë Alban Bushati, i cili gjendet në burg dhe Salih Kelmendi që po thonë se gjendet në Amerikë. Unë me ata duhet me kon këtu”, tha dëshmitari Shala.

Ai tha se fillimisht kishte menduar se kishte dalë të pinte kafe me Berat Nikën, por që realisht ky person kishte qenë Sedati, mbiemri i të cilit tha se nuk i kujtohet.

Sipas dëshmitarit bashkëpunues Shala, Alban Bushati dhe Salih Kelmendi pas një muaji e gjysmë që kishte aplikuar e kishin ftuar për ta pyetur për ndërrimin e kulturave.

“Ata më thanë Bekim a t’i ndërrojmë këto t’i bëjmë që kemi mbjellë bimë aromatike. Unë nuk e kam ditë çka janë bimët aromatike dhe në fillim nuk kam pranuar. Ata më thanë po i ndërrojmë se s’ki me pas kurrfarë problemi edhe mu s’ma ka marrë mendja që mund e bëjnë atë punë se edhe veç ish kryer edhe afati i atyre punëve”, tha Shala.

I njëjti ka sqaruar se me Albanain dhe Salihun vazhdimisht kishte pasur kontakt dhe se të njëjtit i kishin thënë se janë duke ia punuar edhe një letër kinse është i certifikuar për bimë aromatike, duke ia kërkuar nga 8 mijë euro për të dhe gruan e tij.

Unë s’kam pas kurrfarë marrëveshje me ta, unë jam kanë i interesuar vetëm 30% që ka qenë për grurë dhe misër, ndërsa 70% të shumës së subvencionit ia kam dhënë Albanit dhe Salihut”, tha Shala.

Ai tha se nga subvencionet kishte pranuar 180 mijë euro, ndërsa 70% i kishin marrë Albani dhe Salihu./BD

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat