Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve - ​Dëshmitari serb pretendon se ishte ndaluar nga UÇK

Aktuale

Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve - ​Dëshmitari serb pretendon se ishte ndaluar nga UÇK

Më: 19 qershor 2023 Në ora: 07:54 Përditësuar në ora: 17:06 më 19.06.2023
Foto ilustrim nga "Bota sot"/ Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

​Dëshmitari serb në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve pretendon se ishte ndaluar nga UÇK

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me dëgjimin e dëshmitarit të dhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Dëshmitari i nacionalitetit serb ka dëshmuar nën masa mbrojtëse për në seancë të hapur për publikun.

Dëshmitari i cili mban kodin 3540 ka thënë se në gusht të vitit 1998 ishte arrestuar nga disa persona, që ai pretendon se ishin pjesë e UÇK-së.

Ai pretendon se ishte mbajtur dhe keqtrajtuar për më shumë se një muaj në Bajgorë, për çka sipas tij urdhri ishte dhënë nga Latif Gashi.

Gjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se është ndalur më 2 gusht të vitit 1998 dhe se në atë kohë punonte roje pylli në Bradash.

Si rojtar pylli, dëshmitari ka thënë se mbante një armë, por sipas tij, të njëjtën nuk e kishte përdorur në momentin kur pretendon se e kishin arrestuar.

“Ndërkohë që po kontrolloja pyllin, në pikën e quajtur uji i mirë, e pash që po priteshin disa pemë kështu që shkova për të parë se çfarë po bëhej atje sepse bëhej fjalë për një pyll shtetëror. Uji i mirë është një përrua i madh dhe shkon për në Keqekollë, kur mbërrita atje pash që katër burra dolën nga asgjëja, meqë kishin armë automatike unë i ngrita duart, ata mu afrua, mi mbyllën sytë. Mi lidhën duart pas shpine, ndërkohë që dy prej tyre vazhdonin që të prisnin dru atje. Ata ma morën pistoletën, thjeshtë me thanë ngriti duart, njëri prej tyre mu afrua dhe më mori pistoletën”, ka thënë ai.

Dëshmitari me kodin 3540 ka thënë se si roje pylli mbante armë, por sipas tij të njëjtën nuk e kishte përdorur gjatë momentin që ai pretendon se ishte ndaluar.

Por, një dokument, i cili u paraqit edhe në gjykatë, por jo për publikun, ishte i nënshkruar nga dëshmitari dhe thoshte se ai ishte përpjekur të qëllonte.

“Ky është një dokument që më dhanë kur më liruan, pra më dhanë këtë dokument i cili thotë se kur jam arrestuar dhe kur jam liruar, megjithatë, ky dokument nuk është pranuar në gjykatë, më thanë që ky ishte një dokument i falsifikuar që unë e kisha falsifikuar këtë dokument. Ajo çfarë thuhet në këtë dokument është që arma zyrtare mu mor, pra pistoleta që kisha me vete ma morën dhe që unë isha përpjekur që të qëlloja në drejtim të anëtarëve të UÇK-së, megjithëse nuk do të mund ta kisha bërë dot një gjë të tillë. Megjithatë mu desh që të nënshkruaj këtë dokument në mënyrë që të lirohesha”, ka thënë ai.

Sipas dëshmitarit, ekzistonte edhe një dokument tjetër për të cilin ai pretendon se ja ka dhënë Latif Gashi dhe se në të shkruhej se ai nuk ishte keqtrajtuar dhe se nuk të shkelte më në Kosovë.

“Ka pasur edhe një tjetër dokument, Latif Gashi ma lexoi atë dokument, një dokument tjetër dhe më kërkoi që ta nënshkruaj atë dhe dokumenti thoshte që unë nuk do të shkelja më në Kosovë dhe gjëja e dytë për të cilën do të duhej të nënshkruaja është se nuk është se jam keqtrajtuar gjatë asaj kohe, dhe gjëja e tretë për të cilën do të duhej të nënshkruaja ishte që mua më ishin dhënë të gjitha gjërat që kisha pasur, përveç pistoletës”, ka thënë ai.

Dëshmitari pretendon se bashkë me të në Bajgorë ishte ndaluar edhe një person që quhej Sabit Berisha që sipas tij ishte keqtrajtuar nën dyshimin se i njëjti kishte bashkëpunuar me serbë.

Sipas dëshmitarit edhe Osman Sinani ishte i ndaluari tjetër aty, për të cilin ai ka thënë se është vrarë dhe sipas tij për këtë ka mësuar nga Fadil Syleviqi.

“Këtë e kam dëgjuar nga Fadil Syleviqi, që atë e kishin rrahur deri në vdekje, e kishin rrahur me shkopinj sepse Fadil Suleviqi kishte qenë në të njëjtën dhomë me të. Kur mua dhe Sinanin na dërguan në pyll për t’u ekzekutuar, Sinani u lidhe te një pemë ndërkohë që unë u lidha në një pemë tjetër, duart i kishim të lidhura dhe e dëgjova kur ata thanë ‘ a do ta pranosh që ke bashkëpunuar me serbët, ai tha jo, nuk kam bashkëpunuar asnjëherë me serbët, Ishte shoqëruar me serbët, unë e njihja personin nëpër kafene sepse e kisha parë si në kafene shqiptare ashtu edhe serbe. Më pas dëgjova një të shtënë, nuk mund të jem i sigurt sepse ka dy versione”, ka thënë dëshmitari.

Për këtë dëshmitari ka thënë se ka mësuar pasi janë liruar nga vendi që pretendon të jenë mbajtur.

Tutje, dëshmitari ka thënë se disa ushtarë e kanë dërguar të shkolla ne Bare ku sipas tij ishte pritur nga person rreth të 70-ave.

Sipas dëshmitarit, atij i ishte thënë se aty është gjykata

“Aty me çuan dy ushtarë, aty të shkolla, ku është edhe fabrika e hdz-së, më thanë që aty është gjykata, hymë në një dhomë, aty ishte ulur një person i vjetër rreth 70 vjeçar dhe tha që ishte gjykatës, më pyeti pse ndodhesha aty, unë i thash që nuk e dija, dhe kur thash që nuk e dija pse, dikush më goditi mbas koke dhe unë radhën tokë dhe humba vetëdijen. Në Bare. Në më kujtohet data e saktë, kanë kaluar 24-25 vjet nga ajo ngjarje”, ka thënë ai.

Dëshmitari pretendon se atë e akuzonin se ishte agjent dhe punonte për policinë dhe ushtrinë.

Gjatë kësaj dëshmie, ai ndër të tjera ka thënë se ishin marrë gjashtë persona shqiptarë sipas tij me urdhër të Latif Gashit ishin dërguar për të hapur bunkerë.

Gjatë intervistimit, nga ZPS është thënë se dëshmitari në fjalë kishte dhënë dëshmi në vitet 2002, 2003 dhe 2009 ku kishte thënë se ishte rrahur nga Latif Gashi.

“Është e saktë që ai (Latif Gashi) ka dhënë urdhër për të më rrahur mirëpo unë i kam pasur sytë e lidhur kështu që mund të më ketë rrahur edhe ai, mirëpo ka dy versione, njëri se ai ka dhënë urdhra sepse ishte përgjegjës, dhe ndoshta edhe më ka rrahure dhe vetën ndonjëherë. Më 21 gusht ai ishte i përfshirë në rrahjen time dhe të Berishës në mbrëmje, ne u rrahëm aq shumë saqë unë mendoj se edhe ai ishte pjesë e grupit që na rrahën atë natë”, ka thënë ai.

Por në një deklaratë të tij të dhënë në tetor të vitit 1998 ai nuk kishte përmendur Gashin.

“Kur kam dhënë këtë deklaratë, e isha harruar në atë kohë shumë gjëra, dhe akoma nuk isha plotësisht i ndërgjegjshëm, kisha kaluar shumë trajtime mjekësore, pak më vonë kur e ora një çikë vetën, u kujtova për komandantët. Sëmundja ime, gjendja ime, për shkak të sëmundjes nuk e përmenda dot as Latfi Gashin, as Nuredin Ibishin”, ka thënë ai.

Gjatë intervistimit nga ZPS është përmendur edhe një raport që tregon se dëshmitari serb ishte shtruare tri herë në neuropsikiatri.

Pas pyetjeve të prokurorisë ai është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes dhe trupit gjykues.

Fillon seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, ka nisur seanca e së hënës, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Trupi gjykues më të filluar seanca sqaroi se janë të shqetësuar me rrjedhën kohore të procesit gjyqësore .

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith III me të filluar seanca  lëshoi tre urdhra gojorë, ku urdhri i parë gojorë kishte të bënte me shkurtimin e kohës për marrjen në pyetje të dëshmitarëve nga ana e prokurorisë dhe mbrojtjes.

Gjykatës Smith III tha se trupi gjykues është i shqetësuar me ecurinë e kohore të këtij procesi gjyqësor penale, duke i kërkuar palëve në procedurë që pyetjet karshi dëshmitarëve t’i shkurtojnë më arsyetimin se tashmë deklaratat e secilit dëshmitar i ka gjykata.

Po ashtu gjykatësi luti prokurorin që për hir të të akuzuarve që ndaj tyre të zhvillohet procesi gjyqësorë në kohë të arsyeshme kërkoi që pyetjet t’i rishikojnë, ndërkaq mbrojtës i dha afat që deri në ditë e nesërme të bëjë rishikimin e kohës për marrje në pyetje të dëshmitarëve.

Seanca vijoi me urdhrin e dytë gojorë përmes të cilit për mbrojtjen e Thaçit, Veselit dhe Krasniqi u zgjatë afati për apelimin e dy vendimeve gjyqësore deri me 26 qershor te këtij viti.

Kurse në urdhrin e tretë gojorë me kërkesë të gjykatësit Smith III seanca kaloi në sesion privat,

Ndërkaq pas shqipitimi të tre urdhrave gojorë seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të dhjetë me numrin (03540).

Në sallën e gjykimet fizikisht u paraqitën i akuzuari Thaçi, Veseli dhe Selimi, ndërkaq përmes video-lidhjes i akuzuari Krasniqi.

Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Sot, do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara.

Gjykimi do të nisë nga ora 09:00.

Ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së.

Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat