Kurti me fotografi: Policët u kidnapuan në territorin e Kosovës - KFOR-i i pa gjurmët, e habitshme që s’reagoi

Aktuale

Kurti me fotografi: Policët u kidnapuan në territorin e Kosovës - KFOR-i i pa gjurmët, e habitshme që s’reagoi

Nga: Bota sot Më: 15 qershor 2023 Në ora: 07:04 Përditësuar në ora: 10:38 më 15.06.2023
Albin Kurti

​Letra e Borrellit, Kurti: Edhe Jabllanoviq po të ishte kryetar do ta mbroja me polici

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe për letrën që Borrell i ka kthyer lidhur me kërkesat e tij për shtensionimin e situatës në veri, ku ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare të merret me arsyet e tërheqjes së Aleksandër Jabllanoviqit nga gara për kryetar të Leposaviqit.

Lidhur me deklaratën e Borrellit se një takim i ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të organizohet para se Kosova të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën, Kurti përsëriti se prania e Policisë së Kosovës në veri do të reduktohet vetëm kur të largohet grupet kriminale nga atje.

Ai ka theksuar se sikur Jabllanoviq të mos kërcënohej për t’u tërhequr nga gara, sot do të ishte kryetar të cilin do ta mbronte njëjtë, me Polici.

Kurti: Po të ishte Jabllanoviqi kryetar komune do ta mbroja njëjtë me Polici

“Problem është që Jabllanoviqi doli nga fushata. Të gjithë ndërkombëtarëve unë iu sugjeroj që të merren sesi doli Jabllanoviqi nga fushata. Ai ka qenë fitues i sigurt, ne kemi qenë të gatshëm ta pranojmë si kryetar komune. Po të ishte Aleksandër Jabllanoviqi kryetar komune, unë njësoj me polici do ta mbroja Aleksandër Jabllanoviqin nga sulmet e kësaj milicie fashiste atje, të këtyre ekstremistëve të dhunshëm, me të cilët kurrë nuk dua t’i barazojë qytetarët serbë. Ata janë në hall edhe më shumë se ne në hall me ta, sepse i kanë më afër”, ka thënë ai.

Ai theksoi po ashtu se dhuna më e madhe nuk është bërë në Leposaviq ku është kryetari, porse në Zveçan ku nuk ka pasur kryetar në objektin komunal.

Kurti: Jam i gatshëm për dialog, por në Kosovë ‘ligj dhe Kushtetutë’

“Unë nuk mund të shndërrohem në shkelës të ligjit këtu në Kosovë. Në dialog i gatshëm, i përkushtuar, por në Kosovë ligj dhe Kushtetutë... Vetëm kur të kemi sundim të ligjit që i largon këto grupe kriminale në mënyrë graduale dhe proporcionale do të mund ta zvogëlonim ne praninë e policisë tonë në këto ndërtesa”, u shpreh ai.

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për planin pesë pikësh për uljen e tensioneve në veri. Ai ka thënë se “një takim i ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të organizohet para se Kosova të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën”. 

A janë kontaktuar familjarët e policëve të kidnapuar?

Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë tha se menaxhmenti i policisë ka kontaktuar me familjet e policëve të kidnapuar.

Ai u shpreh se edhe gjatë ditë do të kontaktojnë me familjarët për të shprehur solidaritetin dhe siç u shpreh ai, për të parë për nevoja eventuale.

“Në momentin që është ditur pak a shumë se çfarë ka ndodhur, menaxhmenti i policisë ka kontaktuar me familjet dhe është në kontakt të vazhdueshëm.

Ne gjatë ditës do të kontaktojmë me familjarët për të shprehur solidaritetin normalisht me ta edhe për të parë për nevoja eventuale”, u shpreh ai.

Kurti tregon se gjatë një bisede me Escobarin dhe Hovenierin folën për situatën e sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ka thënë se mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me Emisarin Special amerikan, Gabriel Escobar edhe me Ambasadorin amerika, Jeffrey Hovenier.

Ai tha se gjatë këtyre telefonatave kanë diskutuar për situatën e sigurisë.

Ai u shpreh se u ka thënë që pret nga KFOR-i që të sjellin informacion në formë të vlerësimit, por sipas tij, nuk ka pasur asnjë të tillë.

“Unë mbrëmë kam pasur bisedë telefonike me të dy, edhe me emisarin special amerikan, Gabriel Escobar edhe me Ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilët kemi diskutuar situatën e sigurisë dhe unë u kam thënë që pres që KFOR-i të më sjellë informacion mua në formë të vlerësimit e konkluzionit para mbledhjes të Këshillit të Sigurisë, e cila u mbajt sot në ora07:00 të mëngjesit këtu në kryeministri”.

“Mirëpo, asnjë informacion, pra në mbledhjes e Këshillit të Sigurisë sot ne kemi shkuar vetëm me informacionet e Republikës së Kosovës të cilat qartazi janë të sakta dhe të vërteta”, u shpreh Kurti.

Kurti: Ende habitem si KFOR-i nuk del me një sqarim zyrtar se ku ishte vendi i kidnapimit të policëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kidnapimi i tre policëve ka ndodhur në një vend thellë në territorin e Kosovës, që i bie se bëhet fjalë për kidnapim dhe jo arrestim siç theksohet nga propaganda e Serbisë.

“1 km larg kufirit në njërën anë, që i bie të jetë pjesa veriperëndimore, 670m pjesa veriore dhe në pjesën jugperëndimore 300m, në të njëjtën kohë kemi fotografitë e rrugës së prerë në të cilën shihet qartazi se nuk kanë mundur të kalojnë tutje siç pretendon Serbia se kanë shkuar në Serbi dhe janë arrestuar”.

Kurti ka thënë se habitet se si ende KFOR-i nuk tregon se ku ishte ky vend kur dje ka qenë në vendin e ngjarjes.

“Në vendin e ngjarjes ka qenë KFOR-i, policia e Kosovës, këpucët gjurmët e policisë dhe KFOR-it, kur lidhëset e tyre të policisë për pranga janë në tteritorin e Kosovës. Me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim para juve, KFOR-i nuk del zyrtarisht, të nesërmen e një ngjarjeje që ishte në mesditë, KFOR-i nuk del me një sqarim zyrtar se ku ishte ky vend”.

Kurti: Kurti shpalos detajet: Njësia Speciale serbe “Sai” dhe ajo ushtarake “Kobra” kidnapuan tre policët e Kosovës

Nga: M.L.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kidnapimi i tre policëve ka ndodhur në vendin që është thellë në territorin e Kosovës dhe i cili është 1 km larg kufirit në njërën anë që i bie të jetë pjesa veriperëndimore pastaj 670 metra larg që i bie pjesa veriore kurse në pjesën jugore 500 metra.

Kurti ka shfaqur edhe fotografitë e rrugës së prerë në të cilën shihet qartazi se se nuk kanë mundur të kalojnë siç pretendon Serbia që paskan shkuar në Serbi dhe atje qenkan arrestuar.

Pra nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi por bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë. Kjo rruga e prerë këtu është bërë për t’i ndalur 16 shtigje ilegale të kontrabandës që janë bërë gjatë vitit të kaluar dhe nuk bëhet fjalë për kurrëfar kalimi të Policisë përtej kufirit të Serbisë e madje as përtej rrugës së prerë”, ka thënë kryeministri.

Në vendin e ngjarjes kryeministri tha se janë gjetur nga Policia dhe KFOR-i pikërisht në vendin e apostrofuar pranga e lidhëse të këpucëve të policëve.

Ai ka thënë se KFOR ende s’ka dalë me shpjegim zyrtar se ku është ky vend.

Sipas tij, kidnapimin e policëve e ka bërë Njësia speciale anti-terrorise që ata (serbët) e quajnë “Sai” dhe njësia ushtarake “Kobra”.

Kurti thotë se janë shtuar kontrollet në kufi: Ndërkombëtarët ta dënojnë aktin e Serbisë

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mbajnë konferencë për medie.

Me këtë rast, Kurti tha se rrëmbimi i tre policëve në territorin e Kosovës, nga Policia e Serbisë ishte agresion e intencë për eskalim.

Ai ka kërkuar lirimin e policëve dhe ka kërkuar nga ndërkombëtarët që ta dënojnë aktin. Madje u shpreh i çuditur për heshtjen e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë.

Sipas tij, veprimet e radhës e Kosovës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve të Kosovës. Kurti shtoi se synimi është siguria, veçmas në kufijtë e Kosovës.

“Sa e përfundim Këshillin e Sigurisë së Kosovë duke marr për temë rrëmbimin në brendi të territorit tonë. Institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet e tyre. Rasti i djeshëm ishte agresion, intencë për eskalim”.

“Për këto arsye institucionet tona e kanë rritur nivelin e sigurisë. Janë shtuar kontrollet kufitare me Serbinë. Kërkojmë lirimin e policëve dhe kërkojmë nga ndërkombëtarët që të dënojnë këtë akt. Ajo çka është e çuditshme heshtja e faktorëve ndërkombëtar ndaj Serbisë”.

Fillon konferenca

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën po mbajnë një konferencë.

Kjo konferencë po mbahet pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Dje, tre policë të Kosovës janë kidnapuar nga policia e Serbisë, të cilët ishin thellë në territorin e Kosovës.

Nis mbledhja e Këshillit të Sigurisë

Ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurisë, e cila mbahet pas situatës së kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga Policia e Serbisë.

Lajmin se ka nisur mbledhja e ka konfirmuar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili shkurtimisht tha “po”.

Kujtojmë se dje, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar nga Policia e Serbisë, të cilët kanë hyrë thellë në territorin e Kosovës.

Kurti e Sveçla mbajnë konferencë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën do të mbajnë një konferencë për media në ora 08:30.

Kjo konferencë pritet të mbahet pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, që është raportuar të mbahet sot pas situatës në veri.

Dje, tre policë të Kosovës janë kidnapuar nga policia e Serbisë, të cilët ishin thellë në territorin e Kosovës.

​Nis mblidhja e Këshillit të Sigurisë

Ka filluar të mblidhet Këshilli i Sigurisë ​së Kosovës.

Gazetarja e Tëvë1, ka raportuar se në Qeveri deri më tani ka arritur, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendësministri, Besnik Bislimi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Petrit Ajeti, drejtori i AKI-së, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ndryshe, kjo mbledhje, e cila tashmë veçse pritet të fillojë, vjen pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku forcat serbe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në territorin e Kosovës, në vijë kufitare.

Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat