KOMF: Ka mungesë të reagimit nga i gjithë sistemi për abuzimet, sulmet dhe ngacmimet seksuale ndaj fëmijëve

Aktuale

KOMF: Ka mungesë të reagimit nga i gjithë sistemi për abuzimet, sulmet dhe ngacmimet seksuale ndaj fëmijëve

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 11:39
KOMF

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka shprehur shqetësimin lidhur me abuzimet, sulmet dhe ngacmimet e vazhdueshme seksuale ndaj nxënësve në institucionet arsimore në Kosovë, si dhe mungesën e reagimit dhe indiferencën e gjithë sistemit ndaj kësaj dukurie.

KOMF u ka bërë thirrje shkollave dhe Drejtorive Komunale të Arsimit që të punohet në parandalimin e rasteve të abuzimit dhe të njëjtat të denoncohen menjëherë, të krijohet ambientit miqësor dhe përkrahës brenda shkollës dhe që problemi i abuzimit të mos trajtohet vetëm me qasje reaktive, të raportohen rastet me kohë, të edukohen fëmijët për abuzim seksual, të ngritën shërbimet profesionale në shkolla si psikologë, pedagogë, punëtorë social.

Ky koalicion i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit që të miratojë Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve në institucione arsimore; të angazhojë inspektorët e arsimit në mënyrë që të jenë me aktiv në terren për identifikimin dhe parandalimin e fenomenit të ngacmimit, sulmit dhe abuzimeve seksuale.

Përveç shkollave dhe Ministrisë së Arsimit, ky koalicion u ka bërë thirrje edhe mediave në Kosovë që të raportojnë më mënyrë profesionale mbi rastet a abuzimeve duke pasur konsideratë primare mbrojtjen e viktimës, të mos dëmtojnë dhe mos cenojnë edhe më shumë viktimën, duke shmangur çdo ri viktimizim të mundshëm gjatë raportimit, si dhe të mbrojnë të dhënat dhe të ruajnë konfidencialitetin e viktimës gjatë raportimit në media.

Ndërsa në lidhje me organet e drejtësisë, KOMF ka bërë thirrje që të ashpërsohen dënimet ndaj kryerësve të veprave penale kundër integritetit seksual brenda limiteve të përcaktuara me Kodin Penal, të krijohet databazë e personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre tek fëmijët, të përgjigjen penalisht profesionistët e mandatuar për mbrojtje të fëmijës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat