Dita e Çlirimit të futet në kalendarin e festave zyrtare

Aktuale

Dita e Çlirimit të futet në kalendarin e festave zyrtare

Më: 12 qershor 2023 Në ora: 17:20
Foto ilustrim

Në kalendarin e festave zyrtare të shtetit nuk figuron 12 qershori, Dita Çlirimit të Kosovës. Kjo ditë nuk u shënua zyrtarisht në të gjithë vendin, përveç në disa nga institucionet. Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkojnë që kjo ditë të jetë pjesë e festave zyrtare, ndërkaq nga pushteti deklarojnë se ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare është i pamundur pa votat e Listës Serbe.

Xhavit Jashari nga OVL-UÇK thotë se 12 qershori ka vlerë të përmasës kombëtare.

"Dita e Çlirimit dhe lufta e UÇK-së kanë vlerë të përmasës kombëtare. Sot i nderojmë dhe respektojmë të gjithë ata që kanë sakrifikuar, të gjithë ata jo vetëm të UÇK-së, por të periudha të ndryshme kohore të historisë së popullit shqiptar që kanë bërë luftë dhe sakrificë, kanë punuar dhe kanë vepruar, kemi të burgosurit politik dhe shtresa të ndryshme, pa të cilët nuk do të ishim këtu e që me luftën e UÇK-së kulmoi si rezultat e si projekt më i madh i përmasës kombëtare", thotë ai.

Tutje, Jashari insiston në kërkesën që edhe 5 maji të ligjësohet, si Ditë të Dëshmorëve.

Po ashtu, ai kërkon nga institucionet që Dita e Çlirimit të Kosovës, të definohet si festë zyrtare.

"Ligji për shënimin e festave shtetërore duhet të korrigjohet, duhet të ndryshohet. Duhet të votohet në Parlamentin e Kosovës dhe jo vetëm dita e çlirimit, por kemi edhe festa të tjera të përmasës kombëtare, ditën e flamurit dhe ngjarje të tjera, Epopenë e UÇK-së dhe gjithë ato festa të cilat duhet t'i shënojmë dhe janë vlera jo vetëm të Kosovës, por janë vlerë kombëtare. Mendoj se institucionet e Kosovës këto festa duhet t'i shënojnë ashtu siç duhet dhe e meritojnë. Mendoj që nuk duhet të ketë laramani, në disa institucione të punohet dhe në disa mos të punohet, por të shënohet ashtu siç i shënojnë popujt e civilizuar", shton ai.

Por kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Valon Ramadani, deklaron se ndryshimi i këtij ligji aktualisht është i pamundur, për shkak të kushtëzimit të Listës Serbe.

"Ligji për Festat Zyrtare është pak problem të ndryshohet, sepse ka filluar disa herë të ndryshohet dhe është e pamundur të ndryshohet për momentin, sepse është ligj me karakter vital, që i bie që duhet ta votojnë 2/3 e pakicave. Diku i bie 12 apo 13 deputetë prej 20 ta votojnë. Dhe nuk mund të ketë kurrfarë ndryshimi në këtë moment. Janë ato nja dy festa të cilat janë të panevojshme në atë ligj. Për shembull është 9 maji, Dita e Evropës, e ajo nuk festohet askund, vetëm tek ne, është fut aty në ligj dhe është problem të hiqet. E dyta, është kur ka festë të shtunën apo të dielën, pushohet të hënën. Ajo është në ligj aty dhe është problem të ndryshohet, derisa të sigurohen votat për të kaluar këtë ligj. Këtë ligj po e kushtëzon Lista Serbe... Iniciativa është, ka disa iniciativa që janë marrë në kuvend për tu ndryshuar ky ligj, por nuk mund të ndryshohet, këtu është problemi", deklaron ai.

Në anën tjetër, eksperti i protokollit, Tomorr Avdija, tregon për KosovaPress se pothuajse të gjitha shtetet, ditën e çlirimit e përcaktojnë si festë zyrtare.

Sipas tij, duhet të përcaktohet një datë për çlirimin e vendit.

"Duhet tek Ligji i ri për festat të gjenden mënyra të vendoset si festë kombëtare, si festë nacionale dhe në tërësi si festë. Sepse çdo shtet që ka themelimin e vet edhe ato që janë në rajonin tonë, në Evropë dhe jashtë Evrope, kanë të përcaktuar si ditë dhe si festë ditën e çlirimit të tyre. Ne e kemi karakterizuar dhe është vendosur në ligj si ditë e memories apo si ditë e paqes. Ku në ligj është një terminologji shumë e zbehtë me rregulla protokollare ceremoniale, ku lejon që kjo të ketë vetëm esencë përkujtimi, pa thënë më shumë dhe të quhet si një ditë, e cila mund të përkujtohet vetëm ata që kanë rënë apo ndaj atyre qe janë kryet masakra dhe vrasje. Me elemente shumë të vogla dhe jo shumë ato çfarë duhet të meritojnë ata që kanë dhënë kontribut për lirinë tonë që të ju bëhet nderime në këtë ditë", deklaron ai.

Në Kosovë shënohen tri lloje të festave, ato të paqes, përkujtimit dhe festat nacionale.

Kosova u çlirua përfundimisht nga Serbia në qershor të vitit 1999.

24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s, si dhe administrata përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Kjo u bë pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, udhëhequr nga ShBA-të, kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, Serbi e Mal të Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat