Përfundon seanca e Kuvendit, miratohen disa projektligje - dështojnë disa të tjera

Aktuale

Përfundon seanca e Kuvendit, miratohen disa projektligje - dështojnë disa të tjera

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 07:01 Përditësuar në ora: 19:07 më 08.06.2023
Kuvendi i Kosovës

Në mungesë kuorumi ndërpritet seanca, Konjufca: S’keni përgjegjësi

Kuvendi i Kosovës në mungesë kuorumi e ka ndërprerë seancën e cila ishte duke u mbajtur e që në rend dite ishin pikat e papërfunduara.

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, tha se në votimin e amendamenteve po marrin pjesë vetëm 53 deputetë në votim, pasi sipas tij, kjo nuk është serioze.

“S’e keni përgjegjësinë e duhur për të ecur përpara. Kështu që, shihemi në seancën tjetër kur të ju thërras”, tha Konjufca.

Në sallën e kuvendit të pranishëm ishin së paku 68 deputetë, por një numër i tyre nuk pranonin të merrnin pjesë në votim.

Miratohet projektligji, zhbllokohen të hyrat vetanake të komunave

Kuvendi i Kosovë, me 81 vota për, ka miratuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin 2023.

Ky projektligj i hap rrugë zhbllokimit të të hyrave vetanake të komunave për vitet e kaluara.

Po ashtu, deputetët e legjislativit i zgjatën mandatin Komisionit At-hoc për procesin e vettingut dhe miratuan Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për minierat dhe mineralet.

Ndërkaq, Kuvendi dështoi sërish të miratohet Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

​Kuvendi miratoi në lexim të dytë Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme

Kuvendi i Kosovës, me 79 vota për ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Deputetët e pozitës dhe opozitës u bënë bashkë për t’i dhënë dritën e gjelbër reformës zgjedhore, ku miratuan edhe 19 amendamente shtesë për këtë projektligj.

Miratimi i këtij projektligji erdhi me procedurë të përshpejtuar, pas miratimit në lexim të parë gjatë së enjtes.

Kuvendi ndërpreu përkohësisht punimet e seancës plenare deri në orën 17:30, për t’i dhënë hapësirë miratimit në lexim të dytë edhe të Projektligjit për ndarjet buxhetore.

A ka draft për Asociacionin, Kurti: Kam prezantuar draft-vizionin, mund ta thelloj atë nëse ka pajtueshmëri

Kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend u pyet nga deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi nëse ka filluar puna për hartimin e draftit të Asociacionit dhe nëse e ka formuar ekipin për ta bërë këtë punë.

Kurti nuk tha që ka hartuar një draft të tij siç po i kërkohet nga ndërmjetësit, por tha se ka prezantuar draft-vizionin dhe se për ta thelluar atë fillimisht duhet pajtimi në parim nga pala tjetër.

“Unë kam propozuar një draft-vizion për të zbatuar nenin 7 të marrëveshjes bazike e në lidhje edhe me nenin 10 për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër që s’e pranoi fare dokumentin e më pas edhe të Brukselit zyrtar që vazhdon ta konsiderojë këtë çështje të hapur. Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit, pra është një çështje e hapur nga pikëpamja e Brukselit për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel dhe i cili përfaqëson shkronjën dhe frymën e Kushtetutës sonë”.

Por, Musliu sërish e pyeti se si do të duket statuti i tij.

Në përgjigje Kurti përsëriti se qëndrimi i tij për këtë çështje është publik në dy faqet e publikuara të draft-vizionit të tij të prezantuar në Bruksel.

“Në takimin e fundit më 2 maj unë kam prezantuar draft-vizionin për atë që thuhet në nenin 7 si nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb. Pra, unë kam prezantuar draft-vizionin e si duket ai më së miri e shpjegon teksti dyfaqësh. Pra, porsa të lexohet teksti kuptohet si do të duket në vijim dhe konkretisht unë jam inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare për tri arsye. E para; Kroacia ka dalë nga lufta gjatë shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë sikurse Kosova. E dyta; për shkak se Kroacia është shembull suksesi i vendit anëtar në BE dhe NATO. E treta; për shkak se Serbia e ka një marrëveshje tashmë me Kroacinë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ku përfshihen edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.

“Pra, si duket e kam dhënë vizionin. Ai është dy faqe dhe është publik dhe të gjithë mund ta lexojnë atë. Unë këtë mund ta thelloj, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që i kam thënë në Ohër më 18 mars, ne lirisht mund ta thellojmë tekstin, por nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilave mund të gjendet mesatarja aritmetikore pa u pajtuar njëherë në pajtim”.

Ndërkaq, Musliu-Shoshi tha se aleatët kërkojnë propozim dhe jo vizion.

“Kemi obligime ligjore sepse jemi shtet i pavarur”, tha ajo.

Kica Xhelili – Golës: Policëve ia hiqni rrezikshmërinë prej pagës, a ia paguan morali bukën në fund të muajit?

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, i është kundërpërgjigjur ashpër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, raporton Gazeta Sinjali.

Gjatë fjalës së tij, Gola ka kritikuar reagimet e opozitës dhe një pjese të opinionit publik në raport me ngjarjet e fundit në komunat e banuara me shumicë serbe në veri.

Sipas tij, për ngjarjet në veri secili nga deputetët opozitarë do të duhej ta vendoste vetën në pozitën e mësimdhënësit të “Edukatës Qytetare”

 “Ajo  që më sillet ndër mend ditëve të fundit, është pozita e mësimdhënësi të Edukatës Qytetare. Mund të tringëlloj cinik, e ndoshta edhe ngapak patetik, por sigurisht nuk e kam atë qëllim. Por njëmend shumicës së opozitarëve do ua rekomandoja që ta vendosin veten në pozitën e mësimdhënësit të Edukatës Qytetare sot, ku bëhet fjalë për veriun dhe për reagimet që në përgjithësi opozita dhe një pjesë e opinionit publik ka pasur në raport me këto ngjarje. Si do t’ia shpjegonin demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut, sundimin e rendit, sundimin e ligjit, pavarësinë, sovranitetin, institucionet, e kështu me radhë”, tha Gola.

Por Kica-Xhelili ka thënë se ai nuk duhet të tingëllojë as popullist.

“A të kanë mësuar që nuk është mirë të jesh vetëm cinik e ironik por edhe popullist. Kur flet për mbështetje të Policisë dhe ia heq rrezikshmërinë prej pagës e flet si duhet t’i mbështesim moralisht a ia paguan morali bukën në fund të muajit. Ky është mentaliteti me të cilin mundoheni ta atakoni secilin individ. Kur po mundoheni ta kapitalizoni patriotizmin më fal a keni harruar që deputetë në këtë sallë janë fëmijë të njerëzve që janë vrarë në luftë. Ju jeni në gjendje ta manipuloni opinionin sepse e dini që ka brishtësi të jashtëzakonshme në patriotizëm. Ne të tjerët e kemi guximin të dalim kundër asaj brishtësie sepse sot është lehtë të dalim në krah të Kurtit për populizëm. Kur dilni të bëni leksione herën tjetër merreni një pasqyrë para vetës”, ka theksuar Kica-Xhelili.

​Abazi: Me projektligjin për zgjedhjet ua kemi vështirësuar votimin mërgatës

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, i cili aktualisht është deputet i pavarur, Haki Abazi ka paraqitur sot pakënaqësitë e tij për projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Sipas tij, mbetja e Kosovës si një zonë zgjedhore e bën qytetarin vetëm votues e jo pjesëmarrës në proceset politike.

“Mbetja e Kosovës si një zonë zgjedhore e bën qytetarin vetëm votues dhe jo pjesëmarrës në proceset politike në Kosovës. Nuk ka asnjë kuptim që 23 pas luftës qytetari të mos ketë të drejtë të gjithë kandidatin apo kandidaten e vetë se çka ofron por të dëgjoj një listë zgjedhore të përzgjedhur nga udhëheqësi i partisë politike”, ka thënë ai.

Tutje, ish-deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka thënë se po manipulohet me idenë se do të lehtësohet mënyra e votimit e që në fakt po vështirësohet.

“Ne e dimë sa kemi ambasada e konsullata jashtë. Është keq me u mundu me manipulua me idenë që ua kemi lehtësuar jetën bashkatdhetarëve. Ne fakt ne ua kemi vështirësuar duke menduar me iu thanë që e kemi lehtësuar..prapë po e përdorim sistemin zgjedhor për ti joshur njerëzit që të vijnë dhe votojnë dhe tu themi se kemi bërë diçka për ta por kur vije puna të përmbajtja ditën kur përfundojnë zgjedhjet harrojmë kush janë diaspora”, është shprehur ajo.

Për projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë kanë shprehur mbështetjen të gjitha partitë politike në vend. Ndërsa, si risi në këtë projektligj është mundësia e votimit fizikisht në ambasadat e Kosovës në vendet, ku jetojnë mërgata, si dhe vota preferenciale, e cila nga 5 është rritur në 10.

Tahiri për Kurtin: Sovraniteti i Kosovës është reduktuar në një oborr e zyre të një kryetari

Qeveria e Kosovës e ka mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin e vendit, por jo për të reduktuar subjektivitetin shtetëror dhe për konflikt me partnerët ndërkombëtar.

Kështu tha shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili theksoi se mbrojtja e sovranitetit nuk ka qenë ndonjëherë më në rrezik.

“Nuk duhet të e tejkalojmë me qetësi dhe normalitet faktin që sovraniteti i Kosovës është reduktuar në një oborr dhe në një kopsht e zyre të një kryetari që kryeministri e quan herë me k të madhe e herë me k të vogël. Është reduktuar sovraniteti tek njësitë tona të cilat po e mbrojnë një pjesë dhe një zyre e cila e ka shumë të diskutueshëm legjitimitetin demokratik. E ka edhe tash në mbrojtjen e pikës 1 dhe 31 në mbrojtje të doganave, e ka mbështetjen në mbrojtjen e sovranitetit dhe vendosjes së njësive speciale policore elite në pikat që kanë vendin e vetë, por nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë në qoftë se këtë pjesë të rëndësishme të subjektivitetit tonë shtetëror dhe kombëtar e ka reduktuar në një konflikt të hapur mes Kosovës dhe vendeve që na kanë qenë krah në shpalljen, njohjen e anëtarësimin”, tha ai.

Pas situatës tensionuese në veri të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka propozuar inicimin e një mocioni mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Musliu: Kosova po e përjeton eksodin më të madh të historisë së saj, si pasojë e keqqeverisjes

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për mosveprim ndaj emigrimit masiv të qytetarëve të Kosovës.

Musliu tha se pozita që dy vite rresht vuan nga ambicia e sëmurë për të qenë aktorë në parketin politik ku trajtohen krizat dhe sfidat politike dhe ekonomike globale, ndërkohë që populli i Kosovës e ka humbur shpresën në klasën e vet politike dhe si rezultat ka vendosur të ikë jashtë vendit.

“Sot ne kemi një qeveri e cila çdo ditë e më shumë po e groposë përfundimisht shpresën e qytetarëve dhe po e fakton se ndryshimin që e propaganduan e sollën por e sollën për keq.

Si rezultat i gjithë kësaj, me një politikë kaotike dhe pa përmbajtje në sfond, qytetarët tanë kanë marrë botën në sy. Kosova po e përjeton eksodin më të madh të historisë së saj. Po e përjeton në heshtje sepse tematizimi i tij nuk është në favor të qeverisë”
, theksoi Musliu.

Ajo tha se emigrimi është revoltë e një populli kundër politikbërjës dhe kundër arrogancës së pushtetit, si rezultat i së cilës, Kosova sot ndodhet në mes të një katastrofe sociale kombëtare.

“Mjekë, mësues, ushtarë, polic, zjarrfikës, bankierë, avokatë, sipërmarrës, shtresat e mesme të arsimuara, qytetarë të cilët do të preferonin të qëndronin dhe të ndërtonin të ardhmen e tyre në Kosovë, sot, për shkak të bastardimit të sistemit dhe për shkak të zhvlerësimit të tyre profesional dhe personal kanë zgjedhur të braktisin vendin. Dyqanet nuk kanë klientë. Shtëpitë nëpër fshatra kanë mbetë bosh. Rënia e numrit të nxënësve nëpër shkolla është e frikshëm. Standardi i jetesës për familjet është i papërballueshëm me pagat që ofrohen. Perspektiva për të ardhmen është inekzistente. Arsyet e emigrimit masiv janë të qarta: zhgënjimi, frika nga e ardhmja qe i pret, por arsyeja kryesore është humbja e shpresës se kjo klasë politike do tu qaset me seriozitet temave të cilat rregullojnë dhe sigurojnë përditshmërinë dhe ligjshmërinë e kësaj shoqërie. Si rezultat i gjithë kësaj, Kosova sot ndodhet në mes të një katastrofe sociale kombëtare”, shtoi Musliu.

PDK kërkon që Qeveria të ndërmarrë hapa urgjent për ta parandaluar zbrazjen e vendit.

“Referuar situatës faktike, e kemi për obligim që të angazhohemi dhe të ofrojmë politika të cilat e kthejnë shpresën dhe garantojnë perspektivë për një jetë me mirëqënie për qytetarët tanë. Qeveria e vendit duhet ta merr me prioritet dhe të ndërmarrë hapa urgjent për ta parandaluar zbrazjen e vendit sepse nëse vazhdojmë kështu, nesër ne nuk do të kemi se për kë të angazhohemi”, tha Musliu.

Kurti: Ligji i ri për zgjedhjet do t’i japë fund padrejtësisë ndaj mërgimtarëve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë që Ligji i ri për zgjedhjet do t’i japë fund padrejtësisë ndaj mërgimtarëve.

“Ndër çështjet më të rëndësishme të cilat rregullohen me këtë projektligj janë regjistrimi i votuesve jashtë vendit ,mënyra e votimit jashtë vendit, e drejta e votës, numërimi i votimeve, fletëvotimeve për kandidatët e subjekteve politike he mbështetja financiare shtesë për partitë të cilat krijojnë hapësirë për numër më të madh të deputeteve gra, sa është kuota e përcaktuar”, ka thënë Kurti në Kuvend.

“Projektligji i ri e parasheh regjistrimin online përmes një platforme që do ta krijojë KQZ-ja në mënyrë që votuesit nga mërgata të mos kenë nevojë të dërgojnë dokumente të shumta, qoftë përmes emailit apo përmes postës”.

“Me platformën e regjistrimit online synohet të zvogëlohen barrierat tkenike dhe procedurale, por edhe të ulet kostoja e të rritet efikasiteti”.

Kurti po ashtu e shpjegoi se ekzistojnë tri mënyra se si mërgimtarët do të mund të votojnë nga larg.

“Me projektligjin e ri mërgata d to ti ketë tri mënyra të votimit: e para, votimi fizikisht në ambasada dhe konsullata, e dyta: votimi i dërguar me postë të brendshme në adresë të ambasadës, dhe e treta mbetet mënyra e vjetër duke i dërguar ato në adresë të KQZ-së”.

Ai tha se me ligjin e ri, e drejta e votës u takon vetëm atyre që janë pjesë e regjistrit civil dhe që i kanë dokumentet e Kosovës.

“Ligji i ri për zgjedhjet do t’i japë fund padrejtësisë së gjatë që u është bërë të gjithë mërgimtarëve, shtetasve të Kosovës. Lidhja e tyre e fuqishme me vendin ne vet, kontributi i tyre i pamohueshëm në çdo kohë dhe në çdo rrethanë e bën edhe më të domosdoshme nevojën që ata të jenë sa më shumë pjesë aktive e vendimmarrjes në atdheun e tyre.

Partitë dakordohen për Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme

a nisur shqyrtimi i parë i Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Ky projektligj, është paraqitur para deputetëve si një ligj i ri dhe për të cilin grupet parlamentare kanë pasur konsensus gjatë hartimit të tij.

Në emër të grupit punues për reformën e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, deputeti Abelard Tahiri, tha se nga 130 nene gjithsej, 92 janë rishkruar apo rihartuar tërësisht.

Ai tha se ky projektligj ka sjell si risi mundësinë e votimit për mërgatën e cila do të mund të votojë edhe në ambasadat e Kosovës në vendet ku jetojnë, por edhe është rritur vota preferenciale për kandidatë, nga 5 në 10.

“Projektligji përbëhet prej 21 kapitujve, derisa ka trajtuar rekomandimin e misionit të vëzhguesve të BE-së dhe faza e dytë rekomandimin e Grupeve Parlamentare”, tha Tahiri.

Ai tha se nga BE-ja, janë trajtuar 40 rekomandime që kanë të bëjnë me zgjedhjet nacionale.

Sipas tij, për këtë projektligj ka pasur një konsensus politik si nga pozita ashtu edhe opozita.

Në seancën ku po shqyrtohet në lexim të parë Projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës janë të pranishëm edhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ambasada Amerikane të cilët kanë ndihmuar ligjvënësit e Kosovës për hartimin e këtij projektligji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat