​Çeku: Projektligji për lirinë fetare rregullon statusin juridik të bashkësive fetare

Aktuale

​Çeku: Projektligji për lirinë fetare rregullon statusin juridik të bashkësive fetare

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 16:54
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, rregullon statusin juridik të bashkësive fetare.

Sipas tij, i njëjti rregullon edhe mënyrën e regjistrimit të bashkësive të reja fetare e çështja të tjera në këtë aspekt.

Shqyrtimi këtij projektligji ishte në rend dite në seancën e Kuvendit të Kosovës, por i njëjti është shtyrë për një tjetër seancë.

Megjithatë, ministri Çeku, me autorizim të kryeministrit, Albin Kurti ka dhënë arsyetimin për këtë projektligj.

Por, përveç këtij arsyetimi, projektligji në fjalë nuk u hodh në votim në mungesë të prezencës së deputetëve nga komuniteti serb.

“Me këtë projektligj garantohet ushtrimi i lirisë së fesë sipas Kushtetutës dhe instrumenteve ndërkombëtare përfshirë këtu Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Projektligji rregullon statusin juridik të bashkësive fetare mënyrën dhe kushtet e regjistrimit të bashkësive të reja fetare në Kosovës, çështjen e varrezave dhe riteve të varrimit, fondet dhe donacionet e bashkësive fetare si dhe raportimin e tyre financiar” , ka thënë ai.

Më pas, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë do të bëhet kur të krijohen kushtet në Kuvend.

“Ky projektligj e kërkon që votohet në Kuvend të Kosovës me 61 vota për, por gjysma e pakicave po ashtu 51% e pakicave të komuniteteve, deputetët që vijnë nga komunitetet duhet ta kemi votën e tyre për këtë projektligj që ky të kaloj. Kjo nënkupton se 11 vota duhet të jenë të komuniteteve. Kjo i bie që së paku të jetë edhe 1 votë nga Lista Serbe, ata nuk i kemi të pranishëm fare në Kuvend, kështu që ky projektligj mbetet të trajtohet njëherë tjetër kur t’i kemi kushtet e krijuara në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, me 70 vota, është krijuar edhe Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

Nga Lëvizja Vetëvendosje është nënkryetar i këtij Komisioni, Alban Bajrami dhe anëtare janë Arjeta Fejza, Labinotë Demi-Murtezi, Yllza Hoti dhe Mirlinda Sadiku.

Ndërsa, nga PDK anëtarë do të jenë Ariana Musliu-Shoshi dhe Florent Zejnullahu, kurse Duda Balje do të përfaqësoj grupin multietnik.

E meqenëse nuk ishin në sallë deputetët e LDK-së dhe AAK-së, përfaqësimi në Komisionin Hetimor do të plotësohet në ndërkohë.

Alban Bajrami deputeti i LVV-së ka treguar çështjet themelore që do t’i trajtojë Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje.

“Do të përqendroj hetimin e tij për të zbardhur këto çështje themelore sa është numri i rasteve të dhunës seksuale dhe dhunës në familje për periudhën 5 vjeçare, cili është epilogu aktual i këtyre rasteve sa zgjat një trajtim i rasteve të dhunës seksuale dhe në familje, sa është numri i dënimeve të shqiptuara për këto raste, sa është prezente gjuha seksiste dhe paragjykues në këto aktgjykime, sa raste të tilla janë parashtruar”, tha ai.

Në mungesë të deputetëve të AAK-së në sallën e Kuvendit është shtyrë votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës, e cila është propozuar nga kjo parti.

Me 61 vota, Kuvendi i Kosovës në parim e ka votuar projektligjin për organizimin e tregut për produktet bujqësore. Po ashtu, ligjvënësit kosovarë kanë votuar pro edhe për Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat