​Zeqiri pas betimit: Do të ofrojmë shërbime për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim

Aktuale

​Zeqiri pas betimit: Do të ofrojmë shërbime për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim

Më: 25 maj 2023 Në ora: 11:10
Izmir Zeqiri

Kryetari i zgjedhur i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, deklaroi se do të ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët e kësaj komune, pa asnjë dallim.

Pas betimit si kryetar, tha se do të plotësojnë kërkesat e të gjithë qytetarëve, përfshirë atyre nga komuniteti serb.

Kandidati i PDK-së i cili doli i pari në zgjedhjet e 23 prillit në Zubin Potok, u betua në një seancë solemne në fshatin Çabër.

Gjithçka kaloi qetësisht dhe pa ndonjë incident.

Seancën solemne të Kuvendit Komunal, i cili përbëhet prej 19 këshilltarëve, prej të cilëve dy janë serb, e udhëhoqi anëtari më i vjetër, Sefer Veseli.

Zeqiri: Do të ofrojmë shërbime për të gjithë qytetarët e Zubin Potokut, pa asnjë dallim

“Uroj që neve tani e tutje të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë duke i ofruar qytetarëve të komunës së Zubin Potokut pas asnjë dallim të gjitha shërbimet, t’i plotësojmë kërkesat e të gjithë qytetarëve duke përfshirë sidomos komunitetin shumicë serb. Uroj të jemi bashkë, të jemi unik në punët dhe përgjegjësitë tona të përditshme që do t’i kemi të jemi sa më të fokusuar ta zbatojmë ligjin e Republikës së Kosovës në tërë territorin e Komunës së Zubin Potokut”, tha ai.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Sllavisha Bishevac nga Iniciativa Qytetare për Zubin Potokun, ka dhënë dorëheqje para dy javësh nga pozita e tij në këtë Komunë, me qëllim të “parandalimit në mënyrë demokratike” të marrjes së detyrës nga kryetari i zgjedhur, Izmir Zeqiri.

Zeqiri është kryetari i dytë që u betua pas zgjedhjeve të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, pas betimit të kryetarit të veriut të Mitrovicës, Erden Atiq.

Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat