Atiq betohet si kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, “blindohet” objekti i komunës

Aktuale

Atiq betohet si kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, “blindohet” objekti i komunës

Më: 19 maj 2023 Në ora: 06:44 Përditësuar në ora: 10:18 më 19.05.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

Situatë e qetë para betimit të Atiqit në Mitrovicën Veriore, vërehen më shumë policë para komunës

Forca policore, patrulla të rregullta të tyre, por edhe përfaqësues të KFOR-it dhe Eulex-it po qëndrojnë pranë objektit të komunës në veri të Mitrovicës, në prag të seancës solemne, e cila pritet të mbahet sot ku do të betohet kryetari i ri i kësaj komune.

Edhe përgjatë rrugës nga komuna drejt urës kryesore dhe në drejtim të udhëkryqit tek “Lagja e boshnjakëve”, pastaj rruga drejt “Tre rrokaqiejve” vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të policisë, ndërsa edhe automjetet e parkuara tek rrethrrotullimi pranë urës po largohen.

Aktualisht situata e sigurisë në këtë pjesë është e qetë.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe në veri të Mitrovicës u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar. Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte shoferët me makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, t’i regjistronin ato në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

Sot bëhet betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut

Sot fillon betimi i kryetarëve të rinj të 4 komunave në veri të Kosovës.

Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nuk ka pikë tjetër në rendin e ditës.

Seanca solemne nis në orën 11.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat